NXITIMI NGA ASPEKTI KURANOR DHE SHKENCOR

Jetojmë në botën e kompjuterëve, të raketave kozmike dhe të zbulimeve të mëdha teknologjike, të cilat ndryshuan edhe mënyrën e jetesës dhe qëndrimit tonë. Nuk është tërë problemi tek intelekti njerëzor, që ka një energji të papërshkrueshme për të bërë hulumtime dhe zbulime të reja, por i tërë problemi qëndron në çështjen se këto zbulime kolosale bëhen me shpejtësi aq të rrufeshme, saqë e bëjnë njeriun e sotëm si një makinë robot me kërkesa dhe dëshira të pafundme.

Është e vërtetë se të gjithë njerëzit nuk mund të bëhen të pasur apo të ditur, mirëpo sot, për fat të keq, shumica e njerëzve, duke mos kërkuar dituri të vërtetë dhe fitim të ndershëm, vrapojnë me nxitim pas diplomave dhe pasurimit me çdo kusht. Për këtë arsye ata nuk janë në gjendje ta shfajësojnë veten në këtë drejtim dhe nuk mund të zgjidhin problemet e shumta me të cilat ballafaqohet bota bashkëkohore sot.

Kurani famëmadh ka shumë versete lidhur me nxitimin:

            “Njeriu nga vetë natyra e tij është i ngutshëm . . .”

(El – Enbija, 37)

            “Njeriu (e tepron) lutet për keq, ashtu sikurse lutet për mirë, (po Zoti nuk e pranon lutjen e tij për keq); njeriu (nga vetë natyra e tij) është i ngutshëm.”

(El – Isra, 11)

            “Jo, nuk është ashtu! Por ju jeni që e doni të ngutshmen (Dunjanë).”

(El – Kijame, 20)

Nga verseti i fundit kuptojmë se një prej emrave të kësaj bote është el-axhiletun, që do të thotë se kjo botë kalon shpejtë.

Allahu i lavdishëm me fjalët kuranore na ka treguar se ekzistojnë dy lloj nxitimesh a ngutësish:

  1. Ngutësia me të cilën bëhen mëkatet, zullumi dhe harami;
  2. Ngutësia për fitimin e lejuar, me të cilin arrihen vlerat shpirtërore.

Lidhur me këtë lexojmë me vëmendje dhe duke medituar versetet kuranore në vijim:

            “Dhe, shumë prej tyre i sheh se nguten në mëkat, në mizori e në ngrënie të haramit. Sa e shëmtuar është ajo që bënë ata.”

(El – Maide, 62)

            “Secili (popull) ka një anë të cilës ai i kthehet, ju shpejtoni kah punët e mbara, kudo që të jeni . . .”

(El – Bekare, 148)

            “Dhe,ata të cilët japin (sadaka-zeqatë) nga ajo që u është dhënë, pse dinë se do të kthehen te Zoti i tyre, andaj zemrat e tyre i kanë të frikësuara.

            Të tillët janë duke nxituar drejt të mirave dhe të parët do t’i arrijnë ato.”

(El – Mu’minunë, 60-61)

            “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhennet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit.

            Të cilët japin kur janë shlirë edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që ua falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit.”

(Ali Imran, 133-134)

Pra, ngutësia për të bërë punë të mbara dhe të lejuara është e rekomanduar dhe e preferuar, por njerëzit, duke u ngritur për ta arritur ritmin e kohës moderne, bëjnë gjëra të palejueshme.

Nga ngutësia e tepruar pëson edhe organizmi i njeriut, ngase organizmi ynë nuk është i përgatitur që të reagojë në mënyrë adekuate gjatë streseve të shumta në jetën e përditshme.

Jemi dëshmitarë dhe për çdo ditë dëgjojmë se filani përjetoi infarkt në zemër, se filani është paralizuar apo ka ulçerë. Pra, këto janë të gjitha ato që mjekësia bashkëkohore i përshkruan si stres, që do të thotë reagim joadekuat i njeriut në momente të veçanta.

Sistemi kardiovaskular reagon ndaj stresit me takikardi, me rritjen e vëllimit brenda një minute, me ngritjen e tensionit të gjakut, me ndryshime të ritmit si dhe me variabilitete të potencialeve elektrike, të cilat manifestohen më ndryshime elektro-kardiografike.

Sindromi i ulçerës peptike është pasojë e reaksionit stresogjen joadekuat. Koliti ulçeroz fillon dhe ekzacerbon (ngacmohet, përkeqësohet) tek personat në momente stresogjene.

Sindromi hiperventilar, si manifestim i stresit, karakterizohet me episoda të hiperpnesë, frymëmarrjes së vështirësuar e të shpejtuar, të shoqëruar nga një ndjenjë “urie” për ajër dhe dhembje në kafazin e krahërorit.

Veprimet stresogjene shkaktojnë ndryshime të mëdha në aktivitetin sekretues të gjëndrave me sekretim të brendshëm dhe për pasojë shkaktojnë ndryshime metabolike e sidomos te diabeti dhe hipertireoza.

Psikoneurozat janë ndryshime të shumta të personalitetit tek të cilët procesi i të menduarit emocional dhe somatik është stereotipik, ngase nuk është adekuat dhe nuk është adaptuar mirë për t’i përballuar streset e përditshme dhe kërkesat e jetës.

Sot njerëzit kërkojnë të arrijnë në çdo mënyrë rezultate të mëdha nën presion të përhershëm dhe qëndrojnë para alternativës fight or flight (luftë apo ikje), duke harruar mundësinë e tretë – flow (rrjedh qetë).

Njeriu bashkëkohor mundohet t’i ikën stresit në mënyrë artistike përmes stimulantëve të ndryshëm si alkoolit, cigareve, mjeteve qetësuese, etj.

Si pasojë e përdorimit të këtyre stimulantëve të përmendur më sipër shkaktohet dëmi i organeve vitale: sistemi nervor qendror, i zemrës, i mushkërive, i mëlçisë dhe i enëve të gjakut.

Si pasojë e streseve të mëdha, vetëm në vitin 1978 afro 4 milionë francezë janë ankuar për depresion, ndërsa në vitin 1988 ky numër ka shënuar ngritje duke arritur shifrën prej 8 milionë. Sipas mendimit të mjekëve pasojë e kësaj janë nxitimi, ndjenja e lodhjes, rraskapitjet, dhembjet e kokës, palpitimet prekardiale, marramendjet, të qarët pa pra, pagjumësia dhe humbja e personalitetit.

Po në Francë, vetëm në vitin 1978 u përdorën 8 milionë skatula të ilaçeve për qetësim.

Amerikanët për çdo vit konsumojnë 400 tonë të barbiturateve në vlerë prej 500 milionë dollarësh. Po ashtu atje për çdo vit harxhohen 10 miliardë tableta amfetaminë (stimulues të intelektit).

Mejkët e sotëm u rekomandojnë personave që kanë strese që të konsumojnë më pak duhan, një gotë alkool, reduktimin e peshës trupore, dieta të ndryshme dhe mundësisht dy herë në ditë të bëjnë procedurën e meditimit transcendental. Kuptohet, këto këshilla u preferojnë nëpunësve, politikanëve, biznesmenëve dhe njerëzve që janë të rrezikuar nga strese të përhershme, ngase ata nuk i njohin recetat islame, ata nuk kanë asnjë njohuri mbi mënyrën e mjekimit islam.

Nuk duhet të harrojmë se islami është fe e natyrshme, e përshtatshme për jetën njerëzore. Lidhur me këtë, këtu më poshtë po japim disa rregulla që i preferon feja islame për mbrojtjen kundër stresit:

  1. Ndalon rreptësisht përdorimin e alkoolit;
  2. Ndalon përdorimin e substancave narkotike;
  3. Obligon agjërimin, si ilaçin më efikas trupor e shpirtëror;
  4. Kundër frikës preferon mbështetjen e plotë tek Allahu i gjithfuqishëm, siç aludon verseti kuranor në vijim:

            “E atyre (shokëve të Pejgamberit) që dikush u tha: “Populli (idhujtarët) është tubuar t’ju sulmojë, pra kini frikë!” Ajo, vetëm ua shtoi edhe më shumë besimin e thanë: “Neve na mjafton që kemi All-llahu, Ai është mbrojtësi më i mirë!”

(Ali Imran, 173)

Besimtarët , duke u mbështetur tek Allahu i madhërishëm, gjejnë qetësi mendore e shpirtërore. Kur u ndodh diçka e mirë ata e dinë se ajo është dhunti nga Allahu xh.sh., i Cili ka pushtet mbi çdo gjë, prandaj e falënderojnë dhe i shprehin mirënjohje. Por kur i prek ndonjë fatkeqësi ata durojnë e nuk dyshojnë se ajo është nga Zoti, i Cili ka dashur t’i vërë në sprovë, prandaj i luten vetëm Atij që t’ua lehtësojë fatkeqësinë dhe t’u jep kurajo. Nëse njeriu nuk e ka mbështetjen e Allahut të gjithëfuqishëm, atëherë atij nuk i ndihmojnë as prirjet e tij, as fuqia, as mençuria. Muslimanët e parë i kuptuan shumë mirë versetet kuranore dhe vepruan sipas tyre, punuan parreshtur dhe, duke u mbështetur në ndihmën e Zotit xh.sh., merreshin me tregti, me punët industriale, bujqësore dhe me studime shkencoro-filozofike. Në sajë të të gjitha këtyre ata përparuan me shpejtësi të madhe dhe në këtë mënyrë arritën të jenë mësues të botës gjatë disa shekujve.

  1. Për meditim transcendental islami ë bën të detyrueshëm namazin.

Në Amerikë mënyra e fundit për mënjanimin e stresit është e ashtuquajtura teknikë e meditimit transcendental. Po ta përkthejmë fjalë për fjalë kjo do të thotë meditim i thellë abstrakt. Kjo modë burimin e vet e ka në Indi dhe paraqet një formë të jogës dhe, si çdo risi tjetër, gjeti hapësirë dhe kushte për t’u pranuar masovikisht në perëndim, e sidomos në Amerikë. Për këtë metodë u botuan libra të tërë, u organizuan shumë tubime shkencore dhe kongrese, në të cilët u përfshin me miliona emisarë dhe misionarë. Kjo metodë kërkon nga ithtarët e saj që brenda ditës të lirohen disa minuta nga preokupimet dhe brengat ditore, duke i mbyllur sytë në gjendje të qetësisë së plotë dhe duke i përsëritur disa formula (në gjuhën sanskrite). Kjo gjendje qetësimi do t’ju bëjë të mundur atyre që për një moment të lirohen nga brengat e përditshme të kësaj bote, nga peripecitë e saj, duke kaluar në botën transcendentale, pra në botën e qetësisë shpirtërore.

Mjekët kanë konstatuar se gjatë këtyre seancave normalizohet tensioni i gjakut, ngadalësohet pulsi dhe arrihet harmonizimi dhe baraspesha e përbërjes kimike të gjakut. Në revistat e tyre hasim në të dhëna të thukta statistikore, të cilat dokumentojnë se shumë njerëz duke zbatuar këtë metodë janë shëruar me sukses nga tensioni i lartë i gjakut, nga sëmundjet kardiovaskulare, nga çrregullimet hormonale, nga dhembjet kronike të kokës dhe nga sëmundjet psikike.

Këtë metodë kaq të popullarizuar sot në botë muslimanët e kanë njohur që para 1400 vjetësh, duke bërë namaz pesë herë në ditë. Namazi ynë është i lidhur me përgatitje trupore e shpirtërore. Besimtari i sinqertë në namaz lirohet plotësisht nga brengat dhe preokupimet ditore. Ai lirohet tërësisht nga dëshirat, lakmitë, nga mendimet e tij kur i thotë fjalët All-llahu Ekber (Zoti është më i madhi). Namazi dallon shumë nga teknika e meditimit transcendental, sepse është hyrje në prezencën e Allahut të madhërishëm, hyrje në kuvendim me Të.

Ne nuk shërbehemi me formula indiane dhe talismane të pakuptimta, por e lartësojmë dhe e madhërojmë Krijuesin absolut, duke e thirrur me emrat e Tij më të bukur: Rrahman, Rrahim, Malik, Rabb dhe duke e ndier dhe përjetuar prezencën e Fuqisë dhe të Bukurisë absolute.

Namazi nuk është pushim i mendjes, por rilindje e zemrës dhe e shpirtit, hapje e horizonteve të reja gjatë të cilave besimtari merr dritë të re, nektar të freskët, valë të reja të mëshirës dhe qasje të re nga afërsia hyjnore. Namazi është momenti më i frytshëm, më i begatshëm kur besimtari e ripërtërin lidhjen me burimin e fshehtë nga i cili merr ekzistencën e tij. Nëse besimtari e fal namazin me përkushtim të plotë, me prezencën e fuqishme të zemrës dhe shpirtit, duke u zhytur në pastërtinë e plotë, siç kërkon Allahu xh.sh. prej nesh, ai namaz i shërben edhe si ilaç i fuqishëm kundër sëmundjeve trupore e shpirtërore. Sikur gjatë kohës sa zgjat namazi të bëheshin analizat laboratorike të gjakut, të qendrave akupunkturale, të punës së zemrës, të lëvizjeve së gjymtyrëve, të boshtit kurrizor, të likuorit cerebrospinal, të tensionit të gjakut, pulsit, të bioaminave të trurit, të kateholaminave, do të shënoheshin rezultate të shkëlqyera. Andaj për këto arsye që i përmendëm më sipër namazi mbetet depo e fshehtë dhe atë që përmban e di më së miri vetëm ai që e kryen namazin me prezencën komplete të trupit dhe të shpirtit.

Zoti xh.sh. urdhëroi: Faleni (kryeni) namazin! Nuk tha lutuni në namaz, sepse namazi i vërtetë është ai në të cilin marrin pjesë të gjitha organet së bashku me shpirtin.

Perëndimi gaboi kur namazin, të cilin islami e bëri të detyrueshëm për ithtarët e vet, e quajti fizkulturë, ngase e shikuan vetëm anën e jashtem të tij dhe harruan se lëvizjet në namaz janë vetëm simbolike. Qëndrimi në këmbë gjatë namazit simbolizon madhërimin e Allahut xh.sh. Pastaj rukui dhe sexhdeja janë shenjë e dorëzimit të plotë dhe çlirim shpirtëror.

Andaj, namazi është miraxh i vogël i besimtarit në krahasim me Miraxhin e madh të Resulullahut s.a.v.s.

Namazi është burim i fuqisë dhe i vullnetit, mineral shpirtëror që e frymëzon njeriun për të ngadhënjyer mbi vështirësitë e jetës, për ta fituar betejën me jetën. Ja çka thotë dr. Kissis Karel, fitues i çmimit Nobel, për namazin: “Nga të gjitha metodat e njohura deri më sot, namazi është burimi dhe fuqia më e madhe për rivendosjen e shkathtësisë së njeriut. Këtë e vërtetova personalisht si mjek i shumë pacientëve të cilët nuk patën sukses të shërohen me medikamente, por të cilët i shëroi nga sëmundja intervenca e namazit.”

Namazi është institucion për edukim trupor dhe shpirtëror, që çon në dashuri reciproke dhe barazi ndërmjet njerëzve. Është motor i fuqishëm që e vë njeriun në lëvizje pesë herë në ditë. Është fuqi nga e cila buron adhurimi, pastërtia, kultura, civilizimi, edukata, morali, është arma më e fuqishme kundër nxitimit në punë të këqija dhe kundër stresit.

Duke cituar pjesë nga nga Kurani, besimtari i lutet Zotit xh.sh. për lumturi dhe shpëtim, angazhon maksimalisht fuqinë mendore dhe energjinë intelektuale, ushtrohet dhe lartësohet duke u ngritur mbi qenien shtazore, duke u bërë vetëm rob i Allahut të madhërishëm e i askujt tjetër.

Kush e kryen namazin rregullisht, ai e ngrit lart zemrën dhe e fisnikëron shpirtin, ngadhënjen mbi veset epshore, pastrohet sikur ari i kulluar i argjendarit.

Në fund të konkludojmë se namazi është pasuria jonë e depozituar në bankën e Allahut xh.sh. dhe mbetet depo e fshehtësive komplete, për të cilat dimë pak, ndërsa fjalët për të nuk kanë fund.

Porosia hyjnore është e përhershme dhe vlen për të gjithë brezat njerëzorë, duke nxitur intelektin për meditim të thellë:

“Ka shpëtuar ai që është pastruar.

            Që e përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet.” (El – A’ëla, 14-15)

LITERATURA:

  1. H. Sherif Ahmeti: Kur’ani – Përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Prishtinë, 1987;
  2. Ibn Kajjim el-Xhevzi: Mjekësia e të Dërguarit Muhammed a.s., Shkup, 2011;
  3. Arthur C. Guyton: Textbook of Medical Physiology, USA, 2002;
  4. Terry F. Pettjohn: Psikologjia, Pejë, 1997;
  5. Artan Shkoza: Fiziologjia e njeriut, Tiranë, 2000.
  6. Ali Iljazi: Kur’ani Famëmadh nga këndvështrimi shkencor, Gjakovë, 2004;
  7. Jeanne Segal, Ph.D., Melinda Smith, M.A.: Stress Symptoms, Signs, and Causes, USA, 2015.