USHQIMI I NDALUAR NGA KËNDVËSHTRIMI KURANOR DHE SHKENCOR. Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Allahu i madhërishëm në Kuranin famëmadh urdhëron e thotë:

            “(All-llahu) Ua ndaloi juve vetëm të ngordhtën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që therret (ngrihet zëri me të) jo në emër të All-llahut. E kush shtrëngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet All-llahu falë, është mëshirues.”

(El – Bekare, 173)

            “Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësirat, gjaku, mishi i derrit, ajo që theret jo në emrin e All-llahut, e furmja, e mbytura, e rrëzuarja, e shpuarja (nga briri i tjetrës), ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therrni (para se të ngordhë), ajo që është therrur për idhuj dhe (u është e ndaluar) ta kërkoni me short fatin. Kjo është mëkat ndaj All-llahut . . .”

(El – Maide, 3)

            “Thuaj: “Në atë që më është shpallur mua (në Kur’an) nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi, përveç në qoftë se ai (ushqimi) është: cofëtinë, gjak i derdhur ose mish derri, ai është i ndytë, dhe pos asaj që është therrur jo në emër të All-llahut (por të ndonjë idhulli) e që është mëkat. E kush detyrohet (t’i hajë këto të ndaluara), por duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, Zoti yt është që falë e mëshiron shumë.”

(El – En’amë, 145)

            “O ju që besuat! Mos i ndaloni (mos i bëni haram) të mirat që për ju i lejoi All-llahu (i bëri hallall) dhe mos teproni, se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë (i kalojnë kufijtë e dispozitave të Zotit).”

(El – Maide, 87)

            “Ç’keni ju që të mos hani nga ajo për të cilën është përmendur emri i All-llahut, e Ai ju sqaroi juve se çka është e ndaluar për ju, përveç kur jeni detyruar (atëherë edhe harami është hallall). Një shumicë (e mohuesve), duke mos pasur kurrfarë dije, por vetëm nga pasionet e tyre, duan t’i largojnë nga e vërteta (njerëzit).  

Po Zoti yt di më së miri për ata që i shkelin dispozitat.”

(El – En’amë, 119)

           

            “O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni All-llahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.”

(El – Bekare, 172)

            “Hani nga ajo që All-llahu ju furnizoi si hallall të mirë dhe, duke qenë se ju All-llahut i besoni, ruajuni dënimit të Tij!”

(El – Maide, 88)

            “Thuaj: “Më thuani, atë që All-llahu ju dha si ushqim (të lejuar), e ju nga ai diçka bëtë të ndaluar e diçka të lejuar?” Thuaj: “A ju lejoi All-llahu ju, ose ju i shpifni All-llahut?”

(Junus, 59)

            “O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji.”

(El – Bekare, 168)

            Qysh në kohët e lashta popujt kanë pasur qëndrime të ndryshme ndaj ushqimeve dhe pijeve, ndaj asaj që u lejohet dhe që u ndalohet, veçanërisht ndaj ushqimeve që janë produkte të kafshëve.

Disa popuj ose grupe të ndryshme shoqërore, e në mesin e tyre edhe brahmanitët dhe disa filozofë, ia ndalojnë vetes therjen e kafshëve dhe ngrënien e mishit të tyre. Ata ushqehen kryesisht me produkte bimore, sepse thonë se në therjen e kafshëve manifestohet vrazhdësia e njeriut ndaj gjallesave dhe për këtë njeriu nuk ka të drejtë t’ia ndalojë kafshës të drejtën e jetës.

Po të meditojmë thellë ne kuptojmë se këto kafshë nuk u krijuan si qëllim më vete, ngase nuk posedojnë intelekt e vullnet. Gjithashtu nga pozita e tyre natyrore kuptojmë se ato janë krijuar për t’i shërbyer njeriut.

Nga ligji i Zotit mbi krijesat gjithashtu kuptojmë se lloji më i ulët sakrifikohet për llojin më të lartë. P.sh. bima e gjelbër kositet për ta ushqyer kafshën, kurse kafsha theret për ta ushqyer njeriun, bile edhe njeriu, si individ, lufton e vritet për hir të shumicës . . . Nëse njeriu nuk i ther kafshët, ato nuk do të shpëtojnë nga ngordhja dhe shkatërrimi.

Në qoftë se nuk mbyten mes vete, ato do të ngrodhin në mënyrë natyrore, e në këtë rast kjo gjë nuk është më e dhembshme se therja me teh të mprehtë.

Arabët e periudhës paraislame, ndaluan therjen e disa kafshëve për shkak të papastërtisë, adhurimit, afrimit ndaj idhujve ose ndjekjes së iluzioneve, në një anë, kurse në anën tjetër lejuan shumë ushqime të papastërta, si p.sh. mishin e cofëtinave dhe gjakun e derdhur.

Populli ndodhej në këtë gjendje kur u shpall Islami. Kurani fisnik u bën apel të gjithëve njerëzve:

“O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji.”

(El – Bekare, 168)

Kurani famëmadh i thirri njerëzit që të ushqehen me të mirat e sofrës së madhe që ua ka përgatitur Allahu i madhërishëm (sofra është toka e gjerë me të gjitha begatitë) dhe të mos e ndjekin djallin dhe rrugën e tij, i cili, nga ajo që na lejoi Zoti ua zbukuroi ndalesën vetëm disa njerëzve.

Gjithashtu Islami u bëri apel besimtarëve duke thënë:

“O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni All-llahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.”

            “(All-llahu) Ua ndaloi juve vetëm të ngordhtën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që therret (ngrihet zëri me të) jo në emër të All-llahut. E kush shtrëngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet All-llahu falë, është mëshirues.”

(El – Bekare, 172-173)

Në këtë apel të posaçëm për besimtarët Zoti i madhërishëm i urdhëron të hanë ato të mira me të cilat i furnizoi përnjëherë, por njëherazi ta falënderojnë vetëm Atë për këto dhunti.

Më tej, Allahu i gjithëdijshëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:

            “Thuaj: “Në atë që më është shpallur mua (në Kur’an) nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi, përveç në qoftë se ai (ushqimi) është: cofëtinë, gjak i derdhur ose mish derri, ai është i ndytë, dhe pos asaj që është therrur jo në emër të All-llahut (por të ndonjë idhulli) e që është mëkat. E kush detyrohet (t’i hajë këto të ndaluara), por duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, Zoti yt është që falë e mëshiron shumë.”

(El – En’amë, 145)

Në kaptinën el-Maide, Kurani famëmadh edhe më shumë i detajizon këto ndalime:

            “Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësirat, gjaku, mishi i derrit, ajo që theret jo në emrin e All-llahut, e furmja, e mbytura, e rrëzuarja, e shpuarja (nga briri i tjetrës), ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therrni (para se të ngordhë), ajo që është therrur për idhuj dhe (u është e ndaluar) ta kërkoni me short fatin. Kjo është mëkat ndaj All-llahut . . .”

(El – Maide, 3)

Nuk ka kurrfarë kundërshtimi mes këtij verseti, që përmend dhjetë ndalime, dhe verseteve të para, që përmendin katër, por këtu ka detajizim të verseteve tjera. E ngulfatura, e mbytura, e rrëzuara, e shpuara dhe ajo që e ka ngrënë egërsira janë të mbytura. Ajo që është therur për hir të ndonjë idhulli ka trajtim të njëjtë sikur ajo që është therë me qëllim të kërkimit të fatit.

Pra, në përgjithësi, të ndaluarat janë katër, kurse të detajizuara janë dhjetë.

 

  1. Ndalimi i ngrënies së cofëtinës dhe urtësia e kësaj ndalese.

 

            Që në fillim versetet ndalojnë ngrënien cofëtinës që ka ngordhur vetvetiu, që është lënë nga ndonjë kafshë ose shpezë tjetër, kryesisht cofëtinën që nuk e ka therë ose nuk e ka gjuajtur njeriu qëllimisht.

Nëse njeriu bashkëkohor pyet për urtësinë e ndalimit të përdorimit të cofëtinës për nevoja të njeriut, atëherë arsyet mund të përmbledhen si vijon.

Natyra e shëndoshë e urren dhe e konsideron si diçka të neveritshme, poshtërim të dinjitetit të njeriut. Për këtë arsye vërjemë se të gjitha fetë e shpallura e ndalojnë mishin e cofëtinës dhe e lejojnë vetëm atë që theret, pa marrë parasysh.

Muslimani duhet të mbështetet në qëllimin dhe vullnetin e vet. Ai fiton ose ndëshkohet vetëm sipas qëllimit dhe përpjekjes që ka bërë. Qëllimi i therjes së kafshës është marrja e shpirtit të kafshës për ta ngrënë. Allahu i madhërishëm nuk pranon që njeriu të hajë atë që theret pa qëllim (ashtu siç është rasti me cofëtinën), kurse kafsha theret ose gjuhet vetëm me një qëllim të caktuar.

Ajo që ka ngordhur vetvetiu mund të ketë ngordhur se i kishte ardhur koha, nga veprimi i ndonjë faktori të papritur, nga veprimi i njeriut, nga ndonjë bimë helmuese që e ka ngrënë, etj. Në këtë rast, ngrënia e mishit të saj mund të shkaktojë dëme dhe infektime toksike të paparapara në organizmin e njeriut. Pra, intoksikimi i organizmit është njëri prej rreziqeve më të mëdha për jetën e njeriut. Po kjo vlen edhe për kafshën.

Status të njëjtë ka kafsha që ka ngordhur për shkak moshe ose nga uria.

Zoti i madhërishëm ua ka ndaluar njerëzve cofëtinën nga mëshira e Tij ndaj kafshëve e shpezëve (cofëtinarët). të cilat e kanë ushqim të tyre natyral, ngase edhe ato janë një bashkësi sikurse ne, ashtu siç theksohet edhe në Kuran.

Ky ndalim inkurajon njerëzit që të kenë kujdes ndaj kafshëve që i posedojnë në mënyrë që të mos bëhen viktimë e sëmundjes dhe dobësisë e më në fund të ngordhin, por të shpejtojnë për t’i shëruar ose t’i therin.

 

  1. Ndalimi i gjakut të derdhur

 

            Ndalimi i dytë është gjaku i derdhur, kryesisht ai që rrjedh. Kur e kanë pyetur Ibn Abbasin për shpretkën, ai është përgjigjur: “Hajeni!” Kur e kanë kundërshtuar, duke i thënë se është gjak, ai është përgjigjur: “Është i ndaluar vetëm gjaku që rrjedh.”

Është vërtetuar shkencërisht, se gjaku është mjedisi më ideal për zhvillimin e bakterieve. Agari dhe gjaku përdoret në laboratorët mikrobiologjikë për mbjelljen e kulturave bakteriale. Po ashtu është vërtetuar shkencërisht se kur të arrijë gjaku i konsumuar në lukth, duke rënë nën ndikimin e acidit klorhidrik, formon koagulate të klorkematinës me ngjyrë të zezë, të cilat nuk treten në lukth. Pra, duke qenë i këtillë, nuk është ushqim i përshtatshëm për natyrën e njeriut.

 

  1. Mishi i derrit

 

            Ndalimi i tretë është mishi i derrit. Natyra e shëndoshë e konsideron të fëlliqur dhe largohet prej tij, ngase derri më së shumti i pëlqen ushqimin e papastër. Dosa është kafsha e vetme që i ha të vegjlit e saj kur është e uritur. Mjekësia bashkëkohore vërteton se ngrënia e mishit të derrit përcjell parazitin vdekjeprurës – trichina spiralis, shiritin e zorrëve (tenia solium). Derri është bartës edhe i disa viruseve. Një karakteristikë tjetër e dëmshme është se mishi i tij përbëhet nga fibrat elastike që stërngarkojnë tretjen në lukth.

Mishi i derrit shkakton ngritjen e nivelit të proteinlipideve, triglicerideve dhee koleterinës në gjak dhe në këtë mënyrë përshpejton procesin e arteriosklerozës dhe, për pasojë, vdekjen e parakohshme.

Mishi i derrit përmban 88 miligramë kolesterol në 100 gramë si dhe sasi të mëdha të yndyrave të ngopura. Kardiologu i shquar amerikan Antonio Gato, shef i katedrës për sëmundjet e brendshme në Hjuston, thekson se kolesterina dhe lipidet janë faktorë rreziku numër një të sëmundjeve kardiake.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës para dhjetë vjetëve e kanë hequr krejtësisht përdorimin e mishit të derrit nga ushqimi i përditshëm. Kështu vepruan edhe shtetet e tjera me standard të lartë. Këtë e përdorin ende vetëm shtet e varfëra.

Hulumtimet e hollësishme të Cottet-it, Bronte-ut dhe Stewart-it, treguan se arterioskleroza varet kryesisht nga mënyra e ushqimit. Në ato vende ky yndyrat përbëjnë mbi 40% të kalorive të përgjithshme të konsumuara më ushqim,

arterioskleroza paraqitet si sëmundje e shpeshtë.

Ushqimi i begatshëm me yndyra shtazore (konkretisht mishi i derrit) përmban sasi të mëdha të kolesterinës, triglicerideve dhe proteinlipideve, të cilat kanë efekt të shtuar aterogjen. Ato depërtojnë në shtresën e brendshme të enëve të gjakut dhe, duke i ngushtuar, shkaktojnë ndryshime arteriosklerotike.

Dy sëmundje sot janë dominante në patologjine botërore. Këto janë arterioskleroza dhe kanceri.

Sipas të dhënave që u paraqitën në një kongres të patologëve amerikanë doli se arterioskleroza është sëmundje e shekullit njëzet. Janë të njohura mirë komplikimet vdekjeprurëse të cilat përcjellin arteriosklerozën. Këto komplikime janë: angina pektoris, infarkti i zemrës, insulti cerebrovaskular, nefroangioskleroza dhe endoarteriti obliterans.

Andaj, duke i ditur këto komplikime, ekspertët amerikanë rekomandojnë që parandalimi i arteriosklerzoës si sëmundje më masovike të fillojë që nga mosha fëmijërore e mbi të gjitha të mënjanohet ushqimi i pasur me këto yndyra, materie të cilat sot më së shumti akuzohen si shkaktare e arteriosklerozës.

Disa shkencëtarë konstatuan se tek mishi i derrit gjendet në sasi të tepërt edhe hormoni i rritjes (somatotropina – STH). Ky mund të shkaktojë zhvillimin abnormal të këmbës, dorës, hundës, nofullës, etj. Mbi të gjitha hormoni i rritjes stimulon zhvillimin e kancereve.

Në yndyrën e derrit është e pranishme veçanërisht një lëndë helmuese e quajtur “sutoksin”.

Dhjami i derrit gjithashtu është i pasur me squfur. Kjo sasi e tejkaluar që hyn në organizëm nëpërmjet mishit të derrit, duke u përqendruar në muskuj, në rrjetin e fijeve nervore dhe në kërcet, shkakton infeksione, kalcifikimin e tyre, etj.

Lëndët e histaminës dhe imitazolit, që përbëjnë lëkurën e derrit, provokojnë kruarje të lëkurës, reaksione alergjike dhe përgatitin premisat për sëmundjet e ekzemës, dermatitit, neurodermatitit, etj.

Nga e tërë kjo që u theksua mund të konkludojmë se ndalimi i mishit të derrit në islam ka edhe argumente dhe mbështetje bindëse në shkencën bashkëkohore. Kjo njëherazi argumenton qartë se Kurani është libër i Allahut të gjithëdijshëm dhe fuqiplotë, fjalët e të cilit vërtetohen dhe argumentohen në çdo kohë dhe në çdo shekull, siç konfirmon verseti:

            “Dhe thuaj: “Falënderoj All-llahun, e Ai do t’ua tregojë argumentet e veta dhe do t’i kuptoni ato atëherë . . .“

(En – Neml, 93)

            “Në këtë Kur’an Ne shtruam çdo lloj shembulli për hir të njerëzve, po njeriu (jobesimtar) më shumë se çdo tjetër është kundërshtar.”    

(El – Kehf, 54)

 

  1. Therja që nuk bëhet në emër të Zotit

 

            Ndalimi i katërt është therja që i dedikohet ndokujt tjetër e jo Zotit, si p.sh. flijimi i kafshëve për hir të idhujve. Kur idhujtarët thernin diçka, i drejtoheshin idhujve të tyre duke i thirrur me zë emrat e tyre, si p.sh. emrat e Latit dhe të Uza-it. Në këtë mënyrë ata adhuronin idhujt e jo Zotin. Ata adhuronin emra të tjerë, por nuk e zinin në gojë emrin e Zotit të madhërishëm.

Shkaku i ndalimit këtu ka karakter të pastër fetar, d.m.th. për ruajtjen e besimit.

Kjo kishte për qëllim pastrimin e besimit, luftimin dhe rrënimin e idhujtarisë dhe të dukurive të idhujtarisë në çdo mënyrë.

Zoti, i cili e krijoi njeriun, ia nënshtroi atij çdo gjë që është në Tokë. Kështu ia nënshtroi edhe kafshët dhe ia lejoi t’i therë në interes të tij në qoftë se e përmend emrin e Tij të madhëruar kur e ther kafshën. Duke përmendur emrin e Zotit, njeriu vërteton se atë që e bën me kafshën e gjallë e bën me lejen dhe me pëlqimin e Zotit. Por, në qoftë se e ther në emër të ndokujt tjetër e jo në emër të Zotit, atëherë e abstrahon lejen dhe me plot të drejtë i ndalohet kafsha e therur.

 

Llojet e cofëtinave

 

Në përgjihtësi, këto ishin katër llojet e ndalesave, ndërsa verseti i kaptinës el-Maide i detajion deri në dhjetë:

  1. E ngulfatura është ajo kafshë që ngordh nga ngulfatja, respektivisht nga litari në qafë, nga futja e kokës në ndonjë hapësirë të ngushtë, etj;
  2. E mbytura është ajo që goditet me shkop ose me diçka tjetër deri në ngordhje;
  3. E rrëzuara është ajo që rrëzohet nga ndonjë vend i lartë ose ajo që bie në pus;
  4. E çukitura është ajo që çukitet nga ndonjë kafshë tjetër dhe ngordh;
  5. Ajo që e kanë ngrënë egërsirat dhe ka ngordhur.

Pas këtyre pesë llojeve, verseti në fjalë përjashton vetëm kafshën që keni gjetur të gjallë dhe e keni therur.

Kuptimi më konkret i kësaj forme është që kafsha të jetë sadopak e gjallë. Ali Ibn Ebi Talibi r.a. thotë: Nëse e therni ndonjë të ngulfatur, të rrëzuar ose të çukitur që ende lëviz ndonjë këmbë ose krah, hajeni.

Dahhaki rrëfen se njerëzit e kohës paraislame e hanin këtë lloj ushqimi, mirëpo Zoti ua ndaloi kur ua shpalli islamin. Kështu, çdo gjë që lëviz këmbën, bishtin ose syrin, theret dhe konsiderohet hallall.

Urtësinë e ndalimit të këtyre llojeve e theksuam në ndalimin e cofëtinave. Urtësia e fundit është ajo se Ligjdhënësi i Gjithëditur e njeh interesimin e njerëzve për kafshët, mirësjelljen dhe mbrojtjen e tyre. Pra, nuk duhet të lejohet që të ngulfaten, të mbyten ose të çukiten kafshët mes vete deri në mbytje. Gjithashtu nuk duhet të lejohet që kafsha të mundohet duke e rrahur deri në mbytje, ashtu siç vepronin disa barinj zemërgurë, të cilët i nxitnin kafshët, si p.sh. dy mëzetër ose dy desh, të dalin në luftim për të mbytur njëri-tjetrin me brirët e tyre.

Kemi edhe hadithe të shumta që flasin për sjelljen që duhet të kemi ndaj kafshëve. Ja, këtu më poshtë po i cekim disa prej tyre.

“Qoftë mallkimi i Allahut mbi atë që i mundon kafshët.” (Buhariu, Muslimi)

“Gruaja që e mbyll macen dhe ajo ngordh urie, do të jetë e dënuar me xhehennem.”

Ndërsa në rrëfimin tjetër thuhet: “Gruaja do të hidhet në xhehennem, nëse e lidh macen e nuk i jep të hajë, dhe as nuk e lëshon që ajo të ushqehet me rrëshqanës.” (Buhariu, Muslimi)

“Një grua, derisa po shkonte në shkretëtirë, e paskësh marrë etja tepër dhe paska zbritur në një pus e paska pirë ujë. Duke dalë e paska hetuar një qen tek po e kafshonte dheun nga etja. Ky qen e paska hallin tim, paska menduar. Paska zbritur në pus, e ka mbushur këpucën e paska marrë në dhëmbë e ka dalë nga pusi duke i dhënë të pinte. Allahu për këtë ia ka falur mëkatet. Sahabët pyetën: I Dërguar i Allahut, a thua edhe për kafshët kemi shpërblim? E ai u ka thënë: Po, për secilën krijesë të gjallë keni shpërblim.” (Buhariu, Muslimi)

“Kush vret një harabel pa arsye të denjë në ditën e Gjykimit (harabeli) do t’i cicërojë Allahut me tërë zërin: O Zot ky dhe ky, nga mendjemadhësia dhe jo nga nevoja më ka mbytur.” (Nesai, Ibn Habbani)

“Moti një thnegël e paskësh kafshuar një pejgamber të Allahut, dhe ai paska urdhëruar të ndizej e tërë çerdhja e tyre. Për shkak të kësaj, qe i kritikuar nga Allahu me fjalët: A thua për shkak që të kafshoi një thnegël, të kallësh tërë llojin, një lloj që e lavdëron Allahun?” (Buhariu)

Këtë na përkujton edhe verseti i Kuranit fisnik:

            “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë dhe as shpendë që fluturojnë me dy krahë e që nuk janë të ndara në grupe (të ndryshme), sikurse edhe ju (Zoti i krijoi, i pajisi si juve) . . .”

(El – En’amë, 38)

Ndalimi i mishit të kafshës që e kanë ngrënë egërsirat është respekt ndaj njeriut, ngase njeriut i ndalohet të hajë kërmat e egërsirave.

 

  1. Therja për idhujt.

 

            Ndalimi i dhjetë i detajizuar është therja, përkatësisht flijimi që u bëhet idhujve.

Kjo bëhet me qëllim të kërkimit të fatit nga idhujt ose nga altarët, të cilët adhuroheshin e nuk adhurohej Zoti. Këta (idhuj e altarë) ishin rreth Qabes dhe njerëzit e periudhës paraislame thernin për nder të tyre ose para tyre me qëllim që të fitonin simpatinë e zotave apo idhujve të tyre.

Kjo therje i takon llojit të therjes në emër të ndokujt tjetër e jo në emër të Zotit, ngase në të dy rastet glorifikohej hyji i falsifikuar.

 

Kafshët e ujit janë të lejuara në përgjithësi.

 

            Kafshët e ujit jetojnë në ujë dhe të gjitha janë të lejuara, pa marrë parasysh a janë të gjalla apo të ngordhura. Ky parim i përmbledh peshqit, balenat, peshkaqenin, etj., qofshin të peshkuara nga muslimani apo jomuslimani.

Allahu i madhërishëm u ka lejuar robëve të vet çdo gjë që jeton në ujë, pa e ndaluar asnjë lloj të tyre dhe pa e kushtëzuar prerjen. Ai ia ka lënë përgjegjësinë njeriut për mënyrat e gjuajtjes së tyre, por me kusht që t’i shmanget mundimit të tyre.

Allahu i gjithëdijshëm në Kuranin famëmadh përkujton:

            “Pastaj, Ai është që nënshtroi detin, që prej tij të hani mish të freskët . . .”

(En – Nahl, 14)

            “Gjahu dhe ushqimi në det u është lejuar, si përjetim për ju dhe për udhëtarët . . .”

(El – Maide, 96)

Kur e pyetën Pejgamberin s.a.v.s. për ujin e detit, ai ishte përgjegjur: “Ai është i pastër dhe cofëtirat në të janë të lejuara.” (Transmetimi i Ahmedit dhe autorëve të sunneteve)

Në Sahi-hajn (Buhariu dhe Muslimi), nga Xhabiri r.a., transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. i ka dërguar sahabët e vet në ekspeditë. Ata kanë gjetur një balenë të madhe jashtë detit (të ngordhur) dhe prej saj kanë ngrënë njëzet e ca ditë, pastaj janë kthyer në Medine dhe e kanë informuar Pejgamberin s.a.v.s., ndërsa ai u ka thënë: “Hani furnizimin (riskun) që e ka nxjerrë Zoti për ju dhe na ushqeni edhe neve me të në qoftë se keni.”

Mishi i peshkut është ushqimi kryesor dietal që preferohet për sëmundjet e zemrës. Hulumtimet në SHBA kanë treguar se njerëzit të cilët në ushqimin e përditshëm kanë përdorur më tepër peshk, pas katër javësh kanë zvogëluar nivelin e kolesterinës në gjak për 15%, ndërsa nivelin e triglicerideve deri në 38%.

 

 

 

 

 

Nevoja lejon përjashtime

 

            Islami e ngushton tryezën me ushqimet e ndaluara, por njëkohësisht e ashpërson kategorinë e haramit si dhe mënyrat e pengimit, qofshin të dukshme qofshin të padukshme.

Çdo gjë që shpie në haram, konsiderohet haram, çdo gjë që ndihmon haramin, konsiderohet haram dhe çdo gjë që e prezenton haramin si haram, e kështu me radhë.

Në anën tjetër islami jo vetëm se nuk i mohon nevojat e jetës dhe dobësitë e njeriut ndaj tyre, por i vlerëson nevojat e pashmangshme dhe dobësitë njerëzore.

Kështu, islami ia lejoi muslimanit që në rastet kur krijohen rrethana të veçanta, t’i bëjë të gjitha ato që i janë ndaluar, që konsiderohen nevojë elementare dhe që e shpëtojnë nga shkatërrimi. Për këtë shkak, pas ndalimit të të ushqyerit me cofëtina, me gjak e me mish derri, Allahu i madhërishëm thotë:

E kush shtrëngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet All-llahu falë, është mëshirues.”

(El – Bekare, 173)

Të njëjtën gjë e përsërit edhe në katër kaptinat e Kuranit fisnik, ku flitet për ushqimet e ndaluara. Mbi bazë të këtyre verseteve dhe të ngjashmeve me këto, juristët e islamit (fukahatë) e formuluan parimin e rëndësishëm: “Nevoja lejon përjashtime”.

Nëpërmjet lejimit të të ndaluarave në raste të nevojës së domosdoshme, islami e mbron shpirtin e vet universal dhe parimet e veta të përgjithshme, gjegjësisht pastërtinë shpirtërore të cilën nuk mund ta deformojë vështirësia. Islami gjithashtu e çliron popullin nga prangat që u ishin imponuar nga popujt e mëhershëm.

Është vërtetuar thënia e Allahut të madhërishëm:

            “ . . . All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju . . .”

(El – Bekare, 185)

            “ . . . All-llahu nuk dëshiron t’ju sjellë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë (prej mëkatëve), t’ua plotësojë të mirën e Tij ndaj jush e që t’i falënderoheni.”

(El – Maide, 6)

            “All-llahu dëshiron t’ju lehtësoj (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’u përballuar epsheve).”

(En – Nisaë, 28)

Shkaku i parë i konsumimit të ushqimit është që besimtarët ta zbatojnë urdhrin e Allahut të madhërishëm për t’u ushqyer siç aludon verseti i Kuranit të famëmadh:

            “O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni All-llahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.”

(El – Bekare, 172)

Shkaku i dytë është që përmes ushqimit të mbrojmë shëndetin, që është imperativ i Allahut të madhërishëm. Sikurse Kurani fisnik që urdhëron të ushqehemi, po ashtu edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. këshillon: “Hani, pini dhe ndajeni lëmoshën (sadakën), por çdo gjë në kufijt e lejuar dhe pa mendjemadhështi.”

Kurani famëmadh ndalon rreptësisht teprimin në të ngrënë e në të pirë (grykësinë). Muhammedi a.s. thotë: “Mos i mbytni zemrat tuaja me ushqim të tepërt.”

Teprimi i ushqimit shkakton dëme në këtë botë dhe në botën tjetër. jo vetëm se dobëson besimin, por e bën njeriun të plogësht dhe indiferent ndaj ibadetit. Njëherazi është shkak i shumë sëmundjeve.

Buhariu shënon hadithin e transmetuar nga Aisha r.a.: “Fatkeqësia e parë pas të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ndër ithtarët e tij është konsumimi i tepruar i ushqimit. Kur njerëzit e teprojnë në ushqim fillojnë të trashen. Në atë rast fillojnë të dobësohen ndjenjat e tyre fetare, ngase epshet trupore do t’i shpiejnë në mëkate të ndryshme.”

Në një hadith tjetër Muhammedi a.s. thotë: “Më së shumti kam frikë për ithtarët e mi me bark të madh, me gjumë e me përtaci të tepërt.” (Darekutni)

Aliu r.a. ka thënë: “Kurdo që e kam tepruar me ushqim e kam bërë ose së paku kam menduar në mëkat.”

Ebu Sulejman Ed-Daraniu ka thënë: “Nga ushqimi i tepërt njeriu ka shumë dëme, në mes tjerave humb ndjenjën ndaj obligimeve fetare, bëhet i paaftë për njohjen e urtësive fetare, humb ndjenjën dhe mëshirën ndaj krijesave të Allahut të Madhëruar, anon kah epshet e ulëta që shpiejnë në mëkate të ndryshme.”

Më tej Muhammedi a.s. thotë: “Nuk mund të arrijë te njohuria e vërtetë, ai i cili e mbush stomakun e tij (e tepron me ushqimin).”

Një sahabiut, i cili gromësinte në prani të Muhammedit a.s., i kishte thënë:

“Largohu nga ne me këtë gugsimë (e cila është shenjë e ushqimit të tepruar), mbaje mend se shumica e njerëzve të cilët në këtë botë kanë qenë përherë të ngopur, ditën e Gjykimit do të jenë të uritur.”

Profeti fisnik, bekimet e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Barku është shtëpi e sëmundjeve, e dieta është ilaçi kryesor.”

Lukthi, ky organ vital i trupit të njeriut, ka qenë gjithnjë shkaktar i së keqes dhe burim i shumë sëmundjeve.

Dy baza të mjekësisë bashkëkohore janë: higjiena  dhe dieta. Që të dyja këto islami i ka kultivuar me kujdes të veçantë që para 14 shekujsh.

Të tepruarit në ushqim dhe në pije shkakton indigjestion – mundime në lukth dhe e dëmton shëndetin duke e bërë njeriun të dremit, e bën përtac dhe e pëshpejton procesin arteriosklerotik.

Llukmani i urtë e ka këshilluar të birin: “O biri im! Kur të mbushet barku, mendja flen, urtia, mençuria dhe gjymtyrët pushojnë, ndërsa adhurimi ndaj Krijuesit zvogëlohet.”

Porosia e Kuranit fisnik është e përhershme, për çdo brez, kohë dhe shekull. Ai vazhdimisht provokon intelektin njerëzor:

            “ . . . Hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).”

(El – A’rafë, 31)

            “Fjalët e Zotit tënd janë plot të vërteta (çka lajmërojnë) dhe plot të drejta (çka gjykojnë). S’ka kush që të ndryshojë fjalët (vendimet) e Tij. Ai është që dëgjon e di.”

(El – En’amë, 115)

Vërtet djalli i mallkuar ia zbukuron njeriut gjërat e shëmtuara, andaj Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik porosit në mënyrë të qartë dhe decidive:

            “O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji.”

(El – Bekare, 168)

 

LITERATURA:

  1. H. Sherif Ahmeti: Kur’ani – Përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Prishtinë, 1987;
  2. Ibn Kajjim el-Xhevzi: Mjekësia e të Dërguarit Muhammed a.s., Shkup, 2011;
  3. Dr. Jusuf el-Kardavi: Hallalli dhe harami në Islam, Shkup, 2000;
  4. Kasim Dobraça: Ruhu nga të këqijat, Prishtinë, 1990;
  5. Charles H. Hennekens, Julie E. Buring: Epidemiology in Medicine, Boston, 1992;
  6. Markell and Voge: Medical Parasitology, Londër, 2006;
  7. Kumar, Abbas, Fausto, Mitchell: Robbins Basic Pathology, USA, 2007;
  8. B. Karakaseviq: Mikrobiologija i Parazitologija, Beograd-Zagreb, 1969;
  9. Prof. Kristaq P. Bërxholi: Zoonozat, Tiranë, 2007;
  10. Dr. Ali Iljazi: Kur’ani dhe shkenca bashkëkohore, Gjakovë, 2000.