A JEMI BLETË, BILBILA APO HARDHUCA?!
Në shikim të parë ky titull duket jo i zakontë dhe paksa i çuditshëm. Në këtë më nxiti rasti i mikut të Allahut, Ibrahimit a.s. i cili për shkak të besimit të tij nga pabesimtarët u hudh në zjarr.
Ibrahimi a.s. para se gjithash ishte njeri i cili me fenë dhe mirësinë e tij u ngrit në nivelin që e xhelozuan edhe melekët. Në anën tjetër njeriu me veprat dhe ligësitë e tij mund të bie në nivelin që nuk u gjason as kafshëve.
Shembulli i Ibrahimit a.s. nuk është vetëm një tregim bosh që ka ndodhur mijëra vjet më parë. Përkundrazi, ky është një mesazh i përhershëm për të gjitha gjeneratat deri në ditën e Gjykimit. Ibrahimi a.s. ishte simbol i besimit, mirësisë, i dërguar për të paralajmëruar njerëzit dhe për t’i udhëzuar të humburit. Ndërsa populli i tij vërtet ishte zhytur në gjitha llojet e mëkateve.
Ibrahimi a.s. e dinte se është në rrugën e vërtetë dhe nuk u ndal dhe as nuk humbi shpresën. Por shpresën e kishte humbur populli i tij i prishur i cili vendosi që në fund ta hudh në zjarr të madh.
Natyrisht nga fuqia dhe mëshira e Tij, Allahu e bëri që zjarri mos ta djeg Ibrahimin a.s., përkundrazi u bë i ftohtë dhe shpëtimtar. Por sipas tregimeve të shumta ky rast ka shënuar edhe sjelljen e disa kafshëve. Kështu, bleta në gojën e saj ka bartur pika uji duke u përpjekur të ndihmojë në shuarjen e zjarrit dhe shpëtimit të Ibrahimit a.s. Ta shuajë zjarrin ka ndihmuar edhe bilbili. Por ishte një kafshë e cila ishte në anën e pabesimtarëve e kjo ishte hardhuca e cila i frynte zjarrit duke u përpjekur që ta përhap më shumë.
Përse i përmendëm këto?
Thamë se tregimet e Kuranit nuk janë vetëm rrëfime boshe, por mësim deri në ditën e Gjykimit. Sulmi mbi Ibrahimin a.s. është sulm mbi fenë, ndërsa hudhja e tij në zjarr është përpjekje që përgjithmonë të shuhet drita e Allahut. Këso sulme dhe përpjekje ka pasur dhe ka gjithmonë. Jemi dëshmitarë edhe sot përpjekjeve që të ulet feja dhe çdo gjë që lidhet me të, e në anën tjetër çdo gjë e shëmtuar paraqitet e bukur.
Sulmi dhe nënçmimi i fesë sonë kërkon edhe reaksionin tonë. Në këtë rast mundemi me qenë sikurse bletët dhe bilbilat të cilët kanë dhënë një kontribut modest gati minimal në shuarjen e zjarrit dhe në këtë mënyrë vetit i siguruan pozitë të veçantë deri në ditën e Gjykimit. Pak gjëra mund të maten me zërin e këndshëm të bilbilit, ndërsa për bletën flet një kaptinë e veçantë e Kuranit. Bleta është e inspiruar nga Allahu dhe nga barku i saj del mjalti i cili është ushqim dhe ilaç. Ndërsa hardhuca është e urrejtur deri në ditën e Gjykimit.
Pra, bleta dhe bilbili kanë qenë të vetëdijshëm se nuk mund ta shuajnë tërë atë zjarr në të cilin ishte hudhur Ibrahimi a.s. dhe se mundi i tyre ishte i vocërr, gati i pavërejtur. Por nuk deshën të ngecin anash dhe në mënyrë pasive të vëzhgojnë shkatërrimin e të vërtetës. Në këtë mënyrë na dhanë mesazh të madh, leksion që vazhdimisht duhet ta kemi ndërmend. Nuk duhet të jemi vëzhgues pasiv i së keqes dhe nuk duhet të arsyetohemi me atë se nuk mund të ndryshojmë asgjë.
Përkundrazi, duhet të japim kontributin tonë në promovimin e së mirës dhe largimin e së keqes, qoftë edhe minimalisht. Në fund edhe Pejgamberi ynë s.a.v.s. na këshillon që të jemi sikurse bleta, ngase ajo ushqehet me atë që është e bukur dhe pastër dhe pas vetit lë atë që është e këndshme dhe e pastër.
Mjerisht ka prej nesh që i gjasojmë hardhucës dhe çdo përpjekje të pabesimtarit që të na përul neve dhe fenë tonë e presim duke e përkrahur, e mos dhashtë Zoti edhe duke e ndihmuar.
Me çfarë tjetër ta krahasojmë atë që promovon të keqen, ndan xhematin, prish bukuritë e fqinjësisë, shkruan, debaton, duke njollosur fenë dhe komunitetin, pos me hardhucën e cila i fryu zjarrit ku ishte hudhur Ibrahimi a.s.
Por, zjarri nuk e djegi Ibrahimin a.s. edhe pse keqbërësit këtë shumë e dëshironin. Jam i sigurt që me ndihmën e Allahut as zjarri i sprovave dhe kurthave me të cilat ne si besimtarë vazhdimisht jemi të ekspozuar, nuk do të na dëmtojë as neve e as fenë tonë.
Për këtë, të meditojmë për rrëfimet e Kuranit dhe të jemi gjithmonë në anën e së mirës, sepse e mira gjithmonë triumfon.
Lutemi Allahut xh.sh. të na bëjë prej atyre që urdhërojnë për të mirën dhe largojnë nga e keqja dhe prej atyre që Ai është i kënaqur.
AMIN!
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi