KU U ZHDUK MIQËSIA?

Të kesh mik të sinqert është pasuri e madhe dhe begati nga Allahu i madhërishëm sidomos sot në kohën kur materia ka errësuar të gjitha vlerat reale me të cilat Allahu i madhërishëm e ka cilësuar njeriun si qenie njerëzore dhe kur shpesh i anashkalojmë për shkak të mënyrës së jetës që na është imponuar.

Jemi në muajin kur më intensivisht e përkujtojmë të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., i cili si shembulltyrë e njerëzimit gjatë kohës së misionit të tij relativisht të shkurtër tregoi vlerat e vërteta me të cilat duhet të zbukurohet komuniteti me prosperitet.

Themeli i parë që e vendosi në Medine me ndërtimin e xhamisë e cila ishte oazë shpirtërore, ishte vëllazërimi i muhaxhirëve dhe ensarëve, që janë shembull të miqësisë së vërtetë, e treguan me vepër, duke hapur njëri-tjetrit zemrat para shtëpive.

Miqësinë që e kanë mësuar nga mësuesi i njerëzimit e kanë ruajtur me kujdes dhe përcjellur në pasardhësit e tyre. Do ta kujtojmë një shembull, jo nga gjenerata e parë, por nga trashëgimtarët e tyre, fëmijëve të tyre të cilëve u kanë lënë amanet miqësinë – tabi’inëve.

Me një rast derisa udhëtonte për në Mekë, Abdullah b. Omeri e pa një njeri që i dha selam të cilit ia dhuroi gomarin dhe turbanin e vet. Kur e pa këtë, ibn Dinari e pyeti: “Pashë Zotin, përse i dhe aq shumë? Ai do të ishte i kënaqur edhe me më pak se kaq!” Në këtë, Abdullahu tha: “Babai i këtij njeriu ka qenë mik i afërt i Omer b. Hattabit, r.a., e unë kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. duke thënë: – Bamirësia më e madhe është që njeriu t’i mbajë lidhjet me miqtë e babait të tij.” (Muslimi)

Në këtë shembull madhështor shohim që muslimanët e gjeneratave të para kanë pasur kujdes edhe për miqtë e prindërve të tyre, që e bëri komunitetin e tyre të respektuar dhe të shembëllyeshëm.

Sot, bota virtuale zëvendësoi shumë zakone të bukura, si te ne ashtu edhe në botë, që kanë treguar për respektin, brengën, miqësinë, duke filluar nga letrat, vizitat . . . dhe të cilët e kanë kultivuar edhe pse situata e atëhershme materiale nuk ka qenë më e mirë se në kohën e sotit, dhe nga këto vizita fëmijët kanë mësuar se ekziston miqësia që nuk ka çmim.

Mjerisht, në kohën e sotit, edhe pse secila shtëpi posedon së paku një veturë, humbi kjo praksë dhe u kthye në rrjete shoqërore në të cilat bile i kemi edhe fotot që na paraqesin emocionet.

Me këtë tekst nuk dëshirohet që të përhapet pesimizmi dhe dyshimi dhe sjellja e të metave, përkundrazi qëllimi është që së pari të gjejmë veten dhe fillojmë të ndryshohemi e pastaj të përhapim këtë mirësi që e ndiejmë në vete me veprat tona.

Dëshira është që vlerave të vërteta njerëzore t’u japim vend që u takon, në mënyrë që të gjithë të ndiejmë mirëqenie në jetët tona edhe në komunitetin ku jetojmë.

LLOJET E MIQËVE

 

Miku i cili të përmirëson. Të nxjerr nga gjendja e humbjes dhe të kthen në jetë, të jep lindje të re, zemër të re, gjak të ri . . . rilind sërish dhe të jep jetë të re.

Miku që të shkatërron. Rrënon forcën tënde, shkatërron forcën tënde imunologjike, ndez zjarrin në jetën tënde, bën rrënime të mëdha në thellësirat e zemrës sate dhe rrënon çdo gjë të mirë dhe pozitive te ti.

Miku i cili të mashtron. Luan rolin e ujkut në jetën tënde, të qesh në fytyrën tënde, ndërsa fsheh kthetrat nga ti, të lavdëron në prezencën tënde, ndërsa pas shpinës e ha mishin tënd – të përgojon.

Miku i cili të lë në baltë. Është pasiv ndaj problemeve tua dhe luan rolin e vëzhguesit, është indiferent ndaj teje kur je në gjendje të humbur, mbyll veshët në rënkimet tua, kur i nevojitesh gjen çfarëdo mënyre për të ardhur tek ti, ndërsa kur ti ke nevojë për të, tretet sikur pika e ujit.

Miku i cili të deh. Mbizotëron me ndjenjat tua, të lëviz kah dëshirat e tij, është artist, kur të udhëheq nuk vëren thumbimet e tij, nuk zgjohesh nga gjendja derisa nuk bëhet vonë.

Miku i cili të shfrytëzon. Lehtë të transformon në gjah me mimikën e fytyrës së tij, të ofron dorën e “ndihmës” edhe nëse nuk e kërkon, të magjeps me tregimet gënjeshtare sesi ai i nxjerr njerëzit që janë në fatkeqësi.

Miku ziliqar. Me sy të pangopur shikon në atë që posedon dhe dëshiron që të zhduken këto begati, kur flet për lumturinë tënde, atëherë vepron sikur edhe ai është i gëzuar, ndërsa zemra e tij është e mbushur me urrejtje dhe shëmti, duke mos u ndalur që begatitë tua t’i krahasojë me të vetat, dhe digjet por edhe ty të djeg me zilinë e tij.

Miku i cili të mbyt. Lëshon helm tek ti, të udhëheq në humbje, të shkëput nga njerëzillyku, t’i zbukuron greminat, të shtyn rrugës së brengës dhe të hudh në këtë greminë nga e cila nuk ka dalje . . . nuk ka kthim.

Miku i cili mbulon dobësitë tua. Në shoqërinë e tij ndien qetësi dhe rehati, gjithmonë ofron dorën e ndihmës, ta hap zemrën e tij, të ushqen ty dhe mbetet i etur vetë për të dhënë me pirë ty.

Miku i cili të bën të lumtur. Në prezencën e tij ndien lehtësim, të takon me buzëqeshje, ta zgjat dorën me gëzim, përhap energji pozitive, ripërtërin atë që është e rrënuar tek ti, të siguron moment të lumturisë, përpiqet me forcën e tij të zbulojë atë që do të bëjë të lumtur.

Miku që të pikëllon. Ai ta shet pikëllimin falas, pa kurrfarë arsyeje, fryma që vjen nga ai është vetëm brengë dhe nga ai nuk dëgjon pos “ah”, tek ai nuk sheh pos lotë, transmeton tek ti infeksionin e dhembjes, vajtimit, të godet me dhembjen e tij.

Miku që të ngulfat. Mrrolet sa herë që të sheh, ankohet për situatën rreth vetit, problemet e tij shpirtërore dhe emotive nuk kanë fund, zgjohesh nga vajtimi i tij, tërë natën të flet për detajet e brengës së tij, pastaj hesht dhe përsëri fillon me tregimin e ri i cili nuk ka fund.

Miku që të mashtron. Me kureshtje të afrohet, e thith tregimin tënd sikurse gjarpri, ndërsa zbulon fshehtësitë tua pas shpinës sate, flet për pikëllimin tënd para njerëzve, kështu që bëhesh temë e bisedës së njerëzve dhe me të gjitha mjetet shërbehet që këtë ta përhap në mes njerëzve.

Sa miq ke ti?

Mikun i cili bashkëndjen me ty në pikëllim dhe lumturi?

Mikun i cili paraqet ndjenjat e veta për lumturinë tënde?

Mikun i cili me ty ndan shijen e ëmbël dhe të ithët të jetës?

Mikun i cili sinqerisht të ofron dashuri dhe kujdes?

Sa miq ke ti?

Miq të sinqert, mik që është sikur vëllai, mik të cilin e zbukuron njerëzillyku, mik i cili është besnik?

Sa miq ke ti?

Në kohën kur janë përhapur mashtrimi dhe mosbesimi, në kohën kur sinqeriteti dhe besnikëria janë të rrallë, në kohën kur gënjeshtra i ka nxirë të gjitha poret e jetës, në kohën kur dominon narcisoizmi dhe interesi personal?

Në këtë kohë . . .

Nëse ke pasuri, ke edhe miq! Nëse ke pozitë, ke edhe miq! Nëse ke famë, ke edhe miq . . .

Papritmas . . .

Zhduket pasuria, zhduken edhe miqtë, humb famën, humb edhe miqtë, e humb pozitën, zhduket edhe miqtë . . .

Ismir Karaga

 

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi