MËSUESI I CILI U DHA STUDENTËVE PYETJET PARA PROVIMIT POR NJË NUMËR I MADH I TYRE RANË NË PROVIM
Para fillimit të provimit, një mësues ua shpërndau pyetjet studentëve të tij dhe u tha që të përgatiten mirë, sepse ato pyetje krejtësisht në të njëjtën formë do të jenë në provim.
Provimin e ndau në dy afate e gjithsej ishin shtatë pyetje. Në rrethin e parë do të jenë vetëm tri pyetje e në të dytin, katër.
Mirëpo, pasi mësuesi ua zbuloi pyetjet studentëve, u ndanë në grupe. Grupi i parë nuk i besoi, thanë se gënjen, ndërsa grupi i dytë i besuan.
Grupi që besoi poashtu u nda në dy nëngrupe. Nëngrupi i parë ishin përgatitur për pyetjet e rrethit të parë, i kishin mësuar dhe kishin kaluar me sukses dhe kishin pritur për rrethin e dytë të pyetjeve, ndërsa nëngrupi tjetër thonin se do të presin kohën pak para provimit. Mirëpo, kur erdhi koha e provimit ishin të papërgatitur.
Është koha që tani t’ua zbuloj shtatë pyetjet si dhe emrin e mësuesit.
Ai është mësuesi i të gjitha kohëve, edukatori dhe pedagogu më i mirë, ai është Muhammedi a.s.
Ai, neve (studentëve) na ka dhënë shtatë pyetje të cilave duhet t’u përgjigjemi gjatë dy afateve të provimit. Kush janë afatet?
Transmetuar nga Pejgamberi s.a.v.s. se çdo njeri do t’i ketë dy afate provimi, përkatësisht shtatë pyetje, tri në varr dhe katër pyetje në ditën e Gjykimit.
Meqenëse ai çdokujt ia dëshiron të mirën për të na lehtësuar ato provime qysh përpara na i ka dhënë pyetjet.
Afati i parë i provimit është në varr dhe atëherë do t’i kemi vetëm tri pyetje:
Kush është Zoti yt? Kush është Pejgamberi yt? Dhe cila është Feja yte?
Pyetje këto që në tokë janë të lehta, por nën tokë të rënda. Në tokë përgjigjen e di çdokush madje edhe shumica e jomuslimanëve, mirëpo nën tokë ku varri është plot errësirë, ku hapësira është e ngushtë, ku je i braktisur prej të gjithëve, ku je i shqetësuar, gjendja është ndryshe.
Atëherë vjen dikush i cili paralajmëron afatin e dytë të provimit. Meleku Israfil me lejen e Allahut paralajmëron afatin e dytë të provimit. Atëherë i sheh njerëzit e tubuar. Por, kjo nuk është si ditët tjera, kjo është dita e panikut, e frikës së tmerrshme, ditë kur nëna e harron foshnjën në gji, ditë kur biri ik nga babai, vëllai nga vëllai, ditë që do të zgjat pesëdhjetëmijë vjet, njerëzit do të qëndrojnë lakuriq.
Të gjithë do të jenë në pritje të provimit të madh dhe përfundimtar. Përfundimi do të jetë me gojë. Atëherë, Allahu xh.sh. do të pyes secilin për katër pyetje të cilat na ka zbuluar qysh përpara Pejgamberi s.a.v.s. që të jemi të përgatitur për këtë provim.
Ka thënë Pejgamberi s.a.v.s.: “Nuk do ta lëviz robi as këmbën Ditën e Gjykimit përderisa nuk do të pyetet për katër gjëra:
Jetën e tij – ku e ka kaluar;
Rininë – si e ka kaluar;
Paranë – si e ka fituar dhe ku e ka shpenzuar;
Diturinë – si e ka përdorur.” (el Bezar dhe Taberaniu)
Në dynja mund ta shtyesh provimin, mund të biesh prej tij, por përsëri do të paraqitesh derisa ta kalosh. Pyete veten tënde a do të jesh i përgatitur të përgjigjesh në të gjitha shtatë pyetjet. Ai që nuk i kalon këto shtatë pyetje, Allahu xh.sh. thotë:
“. . . Thuaj: Të dështuar në ditën e kijametit janë ata që e kanë humbur veten dhe familjen e vet. Vini re: ky është ai dështimi i njëmendtë.”
(Ez – Zumer, 15)
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi