NJËMBËDHJETË LEKSIONE EDUKUESE DHE JETËSORE NGA KAPTINA TAHA
Kurani është fjalë e Allahut xh.sh. U shpall si udhërrëfyes dhe udhëzim për gjithë njerëzit për çdo gjeneratë dhe çdo kohë deri në ditën e Gjykimit. Të lexosh Kuranin d.m.th. të dëgjosh Fjalët e Zotit dhe të ecësh kah kënaqësia dhë mëshira e Tij. Kurani është takim në mes njeriut të dobët dhe Zotit Fuqiplotë:
“Elif, Lam, Mim.
All-llahu është Një, e nuk ka të adhuruar (Zot) pos Tij, është i përjetshëm, mbikëqyrës.
Ai ta zbret ty (Muhammed) librin me argument që është vërtetues i librave të mëparshëm. Ai e zbriti më parë Tevratin dhe Inxhilin.
Udhërrëfim për njerëz, e zbriti edhe Furkanin (dalluesin e së vërtetës nga gënjeshtra). S’ka dyshim se ata që mohojnë argumentet e All-llahut i pret ndëshkimi i rreptë. All-llahu është ngadhënjyes, shpagimtar.
(Ali Imran, 1-4)
Të gjithë ata që Kuranin e dëgjuan nga goja e Pejgamberit s.a.v.s. e përjetuan si realitet të gjallë. Në zemrat e tyre nuk kanë pasur asnjë thërrmi dyshimi se Allahu i madhëruar u drejtohej nëpërmes Pejgamberit të Tij, s.a.v.s. Për këtë të Folurit e Allahut aq thellë depërtoi në zemrat dhe mendjet e tyre. Sytë e tyre posa e dëgjonin mbusheshin me lotë, ndërsa lëkurat e tyre rrënqetheshin. Secilën fjalë të shpalljes e konsideronin esenciale dhe zgjidhje për probleme dhe vështirësi, andaj nxitonin që Kuranin ta praktikonin në jetë. Kurani edukoi gjeneratën e parë të artë si individ dhe si komunitet.
Ndërsa arabët nga tregtarët e rëndomtë dhe barinjët e deveve dhe deleve, u bënë paraprijës së njerëzve.
RËNDËSIA E NDRYSHIMIT TË MARRËDHËNIES SË MUSLIMANËVE NDAJ KURANIT
Ne sot në duart tona e mbajmë të njëjtin Kuran. Në mesin e njerëzve sillen me miliona shembuj të Mus’hafit. Kurani pandërprerë lexohet edhe ditën edhe natën, në shtëpi, në xhami, në minberë. Dhjetëra e qindra vëllime librash na shpjegojnë kuptimet e tij. Fjalët dhe ligjëratat pandërprerë rrjedhin duke u përpjekur të shpjegojnë mësimet dhe dispozitat e tij. Por, edhe pas gjitha këtyre sytë e muslimanëve mbesin të tharë, zemrat mbeten të ngurta, mendjet e paprekura dhe jetët e pandryshuara. Nënçmimi dhe prapambeturia e kanë mbuluar ummetin islam. Pyesim përse? Një prej shkaseve të problemeve tona gjithsesi është marrëdhënia e keqe ndaj Kuranit, por Allahu e di më së miri. Shumë muslimanë më nuk e përjetojnë Kuranin si udhërrëfyes për jetë. Po e përjetojnë si të shenjtë, por konsiderojnë se ai flet vetëm për ngjarjet e kaluara, për njerëzit dhe ndodhitë që kanë qenë dikur, e sot është kohë e re, bashkëkohore dhe rrethana tjera.
Njerëzit përziejnë dy gjëra: kushtet në të cilat jetojnë dhe natyrën njerëzore.
Kushtet e jetës sot dhe para njëzet vjetëve nuk janë të njëjta, pajtohemi. Por natyra njerëzore ka mbetur e paprekur. Njeriu është i njëjtë në esencë si para 1400 vjetëve. Edhe sot, por edhe pas nesh. Shpirti i njeriut, zemra, trupi, nevojat njerëzore, dëshirat njerëzore, frikësimet njerëzore, të gjitha kanë mbetur të paprekura. Ndërsa e ashtuquajtur shoqëri moderne është tregues më i mirë i kësaj. Në realitet, koha bashkëkohore është e shënuar me zhvillimin tekniko-teknologjik në gjitha lëmitë e jetës.
Nga ana materiale, civilizimi njerëzor asnjëherë nuk ka qenë në nivel më të lartë.
Por, në anën tjetër ky përparim kaq i madh në një drejtim, njëkohësisht njerëzit i ka bërë invalidë shpirtëror, largim nga parimet fetare, ka ardhur deri te bestytnitë e të gjitha llojeve, frikësimeve, vetëvrasjeve, sëmundjeve të varësisë, AIDS, etj. A thua në të gjitha këto fenomene nuk na udhëzojnë në atë që njerëzit në pikëpamje shpirtërore kanë ngecur prapa? A janë të palumtur? Po, kush konsumon alkool, drogë, a është i lumtur?
Me gjithë këto gjëra njerëzit përpiqen ta plotësojnë zbratësinë e cila mbizotëron tek ata.
Për këtë pyesim, a thua për ne Kurani mundet me qenë burim i fuqisë siç ka qenë për paraardhësit tanë dhe sahabët e ndershëm gjatë historisë së ndershme të Islamit? Kjo është çështje më e rëndësishme për muslimanët e sotit për të cilën duhet të gjejmë përgjigje në mënyrë që mjedisi ynë të përjetojë lulëzim me rilindje.
Në këtë kapitull do të prekim disa leksione pedagogjike dhe jetësore nga Kaptina TaHa. Gjithsesi, leksionet dhe mësimet nga Kurani janë pafund. Sa më shumë meditojmë për të dhe dhurojmë vëmendjen tonë të paturbullt në aq masë edhe zemrat tona do të lidhen me Allahun e madhërishëm dhe jetët tona do të lulëzojnë me beharin e fesë.
Ajetet për të cilët do të flasim janë:
“A të ka ardhur ndonjë njohuri për ndodhinë e Musait?
Kur ai e pa një zjarr, e i tha familjes së vet: “Rrini ku jeni, se vërejta një zjarr, e unë ndoshta do t’ju sjellë ndonjë gacë prej tij, ose do të gjejë te zjarri ndonjë udhërrëfyes.”
(Ta Ha, 9-10)
Le të ndalemi pak dhe të mendojmë për leksionet e rëndëishme të këtyre dy verseteve. Do të numërojmë njëmbëdhjetë mësime, e që natyrisht ka edhe dobi tjera të shumta, siç thotë i Lartësuari:
“Në këtë Kur’an Ne shtruam çdo lloj shembulli për hir të njerëzve, po njeriu (jobesimtar) më shumë se çdo tjetër është kundërshtar.”
(El – Kehf, 54)
- Siguria familjare në rend të parë. Të mendojmë për situatën në të cilën gjindej Musai a.s. dhe familja e tij. Errësira i rrethon nga të gjitha anët. Udhëtojnë nëpër vend të pabanuar në largësi. Musai a.s. e vërejti shkëlqimin e zjarrit. Kujtojmë se kushtet e udhëtimit dhe jetës nuk ishin sikur sot. Ata nuk kishin rrugë të sigurta, ndriçim e as mjete komunikimi. Rreziqe të shumta kanë kërcënuar dhe një vendim i gabuar ka mundur të jetë edhe shkatërrim të gjithë familjes.
Për këtë Musai a.s. dha shembullin e bashkëshortit të vërtetë dhe bariut i cili në rend të parë mbron tufën e tij. Ai u tha fëmijëve që ta presin, ndërsa vetë lëshohet në rrezikun e mundur dhe niset të hulumtojë burimin e dritës.
- Karakteristikat e bashkëshortit besimtar. Këta dy versete ofrojnë orientim si duhet të sillet bashkëshorti besimtar. Disa prej karakteristikave që Musai a.s. i paraqiti si bashkëshort janë:
– Brenga për familjen. Kjo përfshin mbrojtjen e tyre fizike dhe kujdes kundruall nevojave të tyre.
– Trimëria dhe ballafaqimi me rreziqet.
– Aftësia e vlerësimit të shpejtë të situatës dhe sjellja e vendimeve.
– Optimizmi dhe mbështetja në ndihmën e Allahut të madhërishëm.
– Asnjëherë mos rrezikoni sigurinë e familjes suaj dhe ruani nga rreziqet.
- Gjatë vlerësimit të situatës të vlerësoni faktorët e dëmit dhe dobisë. Musai a.s. ishte i vetëdijshëm se nuk ka siguri ta lë familjen në errësirë dhe pa mbrojtje. Por, në anën tjetër ky ishte rrezik më i vogël nga ajo sesa të gjithë së bashku të niseshin kah drita e zjarrit, duke mos ditur çfarë rreziqe i presin atje. Duke pasur brengën për familjen, nevojitet të vlerësosh dëmin potencial dhe dobinë nga veprat tona. Planifikimi dhe kujdesi për veprimet dhe obligimet janë pjesë përbërëse e familjes së fortë.
- Ekspozimi i rrezikut individual është më mirë se rreziku i tërë komunitetit.
Musai a.s. vendosi se rreziku që i ekspozohet ai si individ është më i vlefshëm nëse gjen burimin e nxehtësisë dhe udhëzimin për familjen e tij. Kur njeriu has në problemet e jetës, si aftësi e jetës është aftësia e sjelljes së vendimeve. Me këtë rast nevojitet të vlerësosh dhe ruash resurset ekzistuese dhe nevojat e komunitetit t’i vësh mbi interesat personale.
- Një person (emir) sjell vendimin përfundimtar. Në çështjen e sjelljes së vendimeve si në planin familjar, ashtu edhe në gjitha pjesët e jetës me rëndësi është që vendimin përfundimtar ta sjell një person i cili plotëson kushtet e udhëheqësit kualitativ. Kështu vendoset harmonia në jetë dhe punë. Në të kundërtën çfarë ndodh nëse në familje dhe në punë nuk dihet kush është lider, dhe kush është ai që bart përgjegjësinë më të madhe? Bëhet anarki dhe çrregullim dhe rrënohen themelet e vetë shoqërisë.
- Udhëheqësi konsultohet me tjerët dhe shpjegon shkaset e vendimit të tij. Musai a.s. shpjegoi shkaset e vendimit të tij që ta lë familjen e tij dhe shkon për të hulumtuar burimin e dritës. Në familje mund të dalin problemet nëse kryefamiljari sjell vendim pa shpjegim dhe konsulltim me anëtarët tjerë të familjes. Kjo është në kontradiktë me shembullin e Pejgamberit s.a.v.s. Me qenë bari nuk do të thotë me qenë tiran dhe njeriu duhet me qenë i vetëdijshëm që kjo pozitë është përgjegjësi dhe emanet nga ana e Allahut të madhërishëm. Besimi në familje rrënon jo vetëm vendimet e këqija, por edhe për shkak të mosekzistimit të komunikimit në mesin e familjarëve.
- Gjatë sjelljes së vendimeve duhet vlerësuar edhe mendimin e fëmijëve dhe familjarëve. Musai a.s. u drejtua fëmijëve të tij dhe gjithë familjes e jo vetëm bashkëshortes. Nëse prindërit vlerësojnë mendimin e bijve dhe bijave të tyre dhe tregojnë respekt, nga fëmijët e tyre bëjnë persona të fortë, me ndihmën e Zotit dhe i përgatisin më vonë për jetë të pavarur. Në të kundërtën nëse prindi anashkalon zërin e fëmijëve të tij, mos të çuditet më vonë nëse fëmiu kur të rritet mos të dëshirojë që brengën ta ndajë me të.
- Mos premtoni atë që nuk mund ta plotësoni. Musai a.s. tha: “ . . . Ndoshta do t’u sjell ndonjë gacë prej tij . . .”, dhe nuk premtoi atë që nuk është i sigurt. Pak gjëra në atë masë e rrënojnë kredibilitetin dhe autoritetin e prindit sa mosplotësimi i premtimit. Por edhe disa prej problemeve më të mëdha në jetën bashkëshortore janë mu për shkak të mosplotësimit të obligimeve dhe pakujdesisë për kryerjen e premtimit. Për këtë, gjithmonë flisni të vërtetën dhe mos premtoni atë që nuk jeni të sigurtë se mund ta plotësoni.
- Përpiquni të nxirrni maksimumin sado që situata është e keqe. Musai a.s. përmend çfarë planifikon të fitojë – nxehtësinë, dritën, udhëzimin për rrugë të mëtejme. Me këtë këshillohemi që situatat e jetës t’i analizojmë dhe ecim kah realizimi i të mirës, bile edhe në ato situata që duken si humbje totale.
- Në jetë nevojitet të dini prioritetet. Musai a.s. e përmendi nxehtësinë dhe drurin e ndezur me të cilën do të kthehet te familja e vet duke iu ofruar nxehtësi, dritë dhe kujdes para se ta përmend gjetjen e rrugës. Ai e kuptoi nevojën më të madhe të familjes së tij dhe për këtë së pari deshi që atë ta kënaq para çdo gjëje tjetër.
- Të merrni përgjegjësi për veprimet personale. Musai a.s. tha: “. . . Unë e vërejta zjarrin . . .”, për ta arsyetuar veprimin e vet. Ai morri përgjegjësi për sjelljen e vendimeve dhe pati për qëllim të arrijë të mirën, qoftë edhe nëse nuk garanton. Në kohën bashkëkohore familjet dhe bashkësitë shkatërrohen për mungesë të përgjegjësisë.
Marrja e rolit të bariut dhe udhëheqësit të familjes ose shoqërisë kërkon edhe aftësinë që njeriu të merr përgjegjësinë për vendimet dhe veprimet e tij, siç thotë Pejgamberi s.a.v.s. në hadithin e njohur: “Të gjithë ju jeni barinj dhe të gjithë do të pyeteni për tufën tuaj.
Njeriu është bari në familjen e tij dhe ai është përgjegjës për tufën e tij. Gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe është përgjegjëse për tufën e saj. Shërbëtori është bari në pasurinë e zotëriut të vet dhe ai është përgjegjës për tufën e tij. Të gjithë ju jeni barinj dhe të gjithë do të pyeteni për tufën tuaj.” (Buhariu në Sahih, 59/2)
Prof. Nedim Botiq
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi