RRUGA PËR NË HËNË

Në kujtimin e shumicës nga ne, hëna është simbol i kujtimeve të paharruara, imazheve tejet të bukura dhe peisazheve romantike. Për ata që shërbehen me kalendarin lunar, hëna paraqet mjet preciz për llogaritjen e kohës.

Lexojmë me vëmendje versetin e Kuranit fisnik:

            “(Betohem) në hënën kur ajo është e plotë.

            Ju me siguri do të ngriteni dhe do kaloni nga shtresa në shtresë!

            E, çka kanë ata që nuk besojnë?”

            (El – Inshikak, 18-20)

Batica dhe zbatica që shkakton hëna për njeriun gjithmonë kanë qenë mister. Nga disa prej nesh kjo është simbol për matematikë, për disa astronomi, për disa art, ndërsa për disa tjerë romantizëm. Gjatë historisë, hëna për njeriun ka paraqitur edhe simbol të mosarritshmërisë. Kjo padyshim ka qenë në periudhën kur Muhammedit a.s. i është shpallur Kurani. Për këtë, gati 1400 vjet nuk ka qenë e mundur të kuptohet që në versetet e përmendura ekzistojnë indikacione të udhëtimit njerëzor në hënë.           Formulimet që fillojnë me “ve” në Kuran shfrytëzohen për të kthyer vëmendjen në diç të rëndësishme. Numri i madh i përkthyesve këtë “ve” e kanë përkthyer si “betohem”, duke dëshiruar në këtë mënyrë ta potencojnë. Pasi që në këtë mënyrë është kthyer vëmendja në hënën, është thënë që do të “ngriteni duke kaluar nga shtresa në shtresë”. Ata që janë përpjekur më herët të kuptojnë Kuranin, verseteve 18 dhe 19 i janë qasur ndaras dhe sintagmën “kalim nga shtresa në shtresë” janë përpjekur ta komentojnë ndryshe. Kjo për arsye se në vetëdijen e tyre hëna ka qenë e paarritshme, as nuk është paramenduar shkuarja në hënë, por edhe nëse është menduar, kjo ka qenë e mundur si imagjinatë romantike.

Në ndikimin e këtij kuptimi është menduar se “kalimi nga shtresa në shtresë” paraqet ngritje shpirtërore dhe shpjegon kalimin nga dynjaja në ahiret, që në kuptimin figurativ aktualizon fazët e njeriut që kalon nga sperma deri te rinia, nga rinia deri te pleqëria. Mirëpo, në verset thuhet që në të ardhmen njerëzit do të kalojnë nga shtresa në shtresë. Ngritja shpirtërore apo fazët kaluese nga fëmijëria deri në pleqëri kanë ekzistuar edhe para shpalljes së Kuranit, kanë ekzistuar edhe gjatë shpalljes, por kanë ekzistuar edhe pas shpalljes. Për këtë mendojmë që komentuesit e këtij verseti nuk përputhen. Në verset flitet për ngjarjen që do të ndodh në ardhmëri dhe pyet: “E çka kanë ata që nuk besojnë?” – kur të ndodh kjo ngjarje. Pra, do të ketë pabesimtarë edhe kur në të ardhmen ndodh kjo ngjarje. Përveç kësaj, fjala “shtresë” e cila përmendet në versetin e cituar, përmendet edhe në vende tjera në Kuran. P.sh. në versetin 3 të kaptinës El-Mulk dhe në versetin 15 të kaptinës Nuh, ku flitet për shtatë shtresa qiellore e nuk flet për disa shtresa apo gjendje shpirtërore. Kjo që thuhet se “ngritje dhe kalim” shkon në favor të supozimit se aludohet në rrugën për në hënë.

Kur, pas kësaj analize të versetit 19, shikojmë në versetin 18, kthimit të vëmendjes në hënë, vërteton idenë që “ngritja dhe kalimi” nga shtresa në shtresë” për të cilën flitet në versetin 19, ka të bëjë me rrugën nga toka në hënë.

 

PËRSE NUK BESOJNË?

 

Fluturakja e parë e cila më 12 shtator të vitit 1959 arriti në hënë, ka qenë fluturakja kozmike Luna 2. Në të njëjtin vit nga Luna 3 janë bërë fotografitë e para të anës së fshehtë të hënës. Mirëpo, ngjarja shumë më e rëndësishme ka qenë kur Neil Armstrong dhe ekipi i tij më 21 korrik të vitit 1969 me Apollon 11 kanë shkelur me këmbë në hënë.

Skena e fluturimit të tyre në transmetimin direkt televiziv ka qenë padyshim një prej ngjarjeve më emocionuese në historinë e njerëzimit. Kështu u realizua diç që më parë është konsideruar e pamundur. Pas kësaj ngjarje, ka pasur vërtet disa “pozitivistë“ që këtë e kanë konsideruar si fitore të madhe të shkencës dhe argument kundër fesë.

Disa komentues të paarsimuar të fesë nga bota islame pohuan se kjo është gënjeshtër dhe në realitet nuk ka ndodhur, dhe është i mallkuar secili që mendon se ka ndodhur kështu. Mirëpo, siç mund të konkludohet, ky është një aluzion kuranor dhe mijëra argumente që pohojnë se Kurani është libër i Allahut.

Parashikimi kuranor u vërtetua edhe njëherë duke treguar artin e Allahut, fuqinë dhe madhështinë e Tij. Fotografitë e realizuara në hënë edhe njëherë tregojnë madhështinë e krijimit të Allahut. Masa e hënës dhe largësia nga toka ilustrojnë përsosmërinë e kreacionit të Allahut. Sikur masa e hënës të ishte diç më e madhe apo sikur hëna të ishte më afër tokës, batica do të ishte aq e fortë saqë do të përmbyste tokën dhe pamundësonte ekzistencën e njeriut. Është interesant që pas verseteve 18 dhe 19 në të cilët aludohet për shkuarjen në hënë, parashtrohet pyetja: “E, çka kanë ata që nuk besojnë?”

Edhe pse shkuarja në hënë dhe gjitha zbulimet lidhur me hënën flasin për përsosmërinë e artit të Allahut, ateistët kanë vazhduar me pabesim, dhe shkuarjen në hënë gati e kanë paraqitur si fitore e shkencës mbi fenë.

Ata nuk kanë kuptuar që shkenca mundëson kuptimin më të mirë të krijimit të Allahut dhe ligjet që Allahu i Gjithëdijshëm i ka vendosur në botën materiale paraqesin një tërësi dhe për këtë konsiderojnë se ekziston lufta për mbizotërim në mes shkencës dhe fesë. Allahu e ka dhënë edhe shkencën edhe fenë. Nuk mund të jetë kundërthënëse ajo që është nga Allahu i madhërishëm. Kundërthëniet ekzistuese kanë ndodhur për shkak të gabimeve shkencore ose për shkak të “teologëve” të caktuar të cilët në emër të fesë kanë plasuar absurditete. Këso kundërthënie nuk mund të rrjedhin nga feja e vërtetë.

Verseti 21 i kaptinës El-Inshikak i cili pason pas verseteve të cituara është:

            “Dhe kur u lexohet atyre Kur’ani, nuk përulen (nuk bien në sexhde)?”

(El – Inshikak, 21)

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi