TRI LEKSIONE NGA HIXHRETI

Para nesh është viti i ri i hixhretit 1437. Çdo gjë e bukur në fenë tonë është mësimi, ndërsa çdo gjë bile edhe ndodhia më e vogël nga e kaluara e jonë e shkëlqyer është leksion me vlerë floriri. Kështu është edhe me hixhretin. Leksionet dhe mesazhet e tij janë të shumtë. Në këtë hutbe do të përkufizohemi në disa prej tyre, saktësisht në tri leksione.

Nuk ka derë pa çelës. Nuk ka problem pa zgjidhje. Në kaptinën et-Talakë, Allahu i madhërishëm urdhëron e këshillon:

            “. . . E kush u përmbahet dispozitave të All-llahut, atij Ai i hap rrugë.

            Dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare . . .”

(Et – Talakë, 2-3)

Ky verset fisnik është vërtetimi më i mirë që për besimtarin e vërtet i cili i frikësohet Allahut dhe mbështetet tek Ai, nuk ka situatë pa dalje dhe problem pa zgjidhje. Hixhreti është argument për këtë. Si të përshkruhet ndryshe gjendja e vështirë dhe situata e padurueshme e muslimanëve në Mekë para hixhretit, pos me fjalët problem pa zgjidhje?! Muslimanët ishin të privuar tërësisht nga drejtësia, pamundësi të praktikimit të fesë, lëvizjes dhe pjesëmarrjes në jetën publike. Bile në periudha të caktuara ishin totalisht të izoluar, pa ushqim, ujë dhe pa asnjë kontakt me botën.

Problemi vërtet dukej pa zgjidhje. Pa zgjidhje dukej edhe situata në të cilën armiqtë e rrethuan shtëpinë ku ishte Muhammedi a.s. me një qëllim të vetëm, për ta vrarë. Dukej se për Pejgamberin a.s. nuk kishte rrugëdalje. Rrugëdalje nuk kishte edhe kur Suraka, duke dëshiruar shpërblimin e madh të premtuar për atë që e sjell kokën e Muhammedit a.s., e arriti Pejgamberin tonë s.a.v.s. dhe valviti shpatën e tij mbi kokënn e tij.

Rrugëdalja nuk shihej as në shpellën, kur politeistëve u mjaftone të ulen dhe nëpër hyrje të shohin brendinë e shpellës në të cilën ishin Muhammedi a.s. dhe Ebu Bekri r.a.

Të gjitha këto situata ishin pa zgjidhje. Mirëpo, me fe të vërtetë dhe mbështetje në Allahun, Ai japi rrugëdalje dhe zgjidhje. Ta analizojmë pak edhe jetën tonë. Besoj që secili prej nesh do të gjejë së paku një detal ose situatë në të cilën kemi menduar se nuk ka rrugëdalje.

Hixhreti na mëson që sikur që nuk ekzistojnë dyer për të cilat nuk ka çelës, ashtu nuk ekziston as problem për të cilin Zoti ynë nuk ka lënë zgjidhje, me kush që tek Ai të besojmë sinqerisht dhe tek Ai të mbështetemi me bindje të plotë.

Të kemi ndërmend hadithin vijues: “Sikur ju të mbështeteni në Allahun sinqerisht, Ai do t’u furnizojë ashtu siç i furnizon zogjtë. Në mëngjes fluturojnë të uritur, e në mbrëmje kthehen të ngopur.” (Tirmidhiu)

Komuniteti është më i afërt se individi. Muhammedi a.s. në mënyrë eksplicite ka kërkuar që të respektohet e drejta e secilit individ, por gjithmonë i ka dhënë përparësi komunitetit (bashkësisë). Është e njohur që në momentin e parë e ka liruar një të verbër nga ardhja në namaz të përbashkët, natyrisht për shkak të vështirësive që shkaktojnë ardhjen në xhemat personit të verbër.

Në të njëjtat gjurmë është edhe hixhreti. Muhammedi a.s. nuk e bëri hixhretin për vete apo për ndonjë individ tjetër, e bëri kryesisht me qëllim të ruajtjes së xhematit.

Ai u nis në Medine, Jethribi i atëhershëm, u drejtua vetëm kur edhe muslimani i fundit e lëshoi Mekën dhe bëri hixhret. Para kësaj u bind që të jenë kushtet e jetës dhe praktikimi normal i fesë në mjedisin e ri më të përshtatshëm. Për ta ruajtur xhematin, për ta mbajtur xhematin unik, u detyrua t’i fshijë të gjitha ndryshimet klasore dhe sociale në mes besimtarëve. Këtë e bëri nëpërmes vëllazërimit në mes muhaxhirëve të Mekës dhe ensarëve të Medinës. Në këtë mënyrë që nuk është shënuar më parë, bashkoi dhe afroi zemrat e besimtarëve, forcoi xhematin si asnjëherë më parë.

Pos kësaj, Muhammedi a.s. i respektoi dhe vlerësoi të drejtat e komuniteteve tjera në Medine. Marrëdhëniet në mes tyre i rregulloi në Traktatin e njohur të Medinës e cila kishte rëndësi të jashtëzakonshme për vetë muslimanët por edhe gjithë banorët e Medinës.

Miku i vërtet është begati e madhe. Hixhreti na dërgon mesazh të fortë për rëndësinë e miqësisë, por jo atë nga interesi por thjeshtë nga sinqeriteti. Sahabët bukvalisht kanë garuar cili përpara do t’i del tjetrit në takim dhe ndihmë. Në veçanti kjo ishte e dukshme kur ishte në pyetje marrëdhënia ndaj Muhammedit s.a.v.s. Kështu, Aliu r.a. e rrezikoi jetën e tij dhe fjeti në shtratin e Muhammedit a.s. ku ishte përgatitur kurtha dhe mbytja.

Rrëfim i veçantë i hixhretit është Ebu Bekri r.a. fisnik të cilin Kurani e përmend si bashkëudhëtar të Muhammedit a.s. dhe shok në shpellë. Ebu Bekri r.a. ndër të parët e pranoi Islamin dhe u bë mik i ngushtë i Muhammedit a.s. të cilit i besonte në skajshmëri. Në realitet besnikëria ishte e ndërsjellë. Kur Pejgamberi s.a.v.s. në një pjesë të natës e bëri Isranë dhe Miraxhin, që për kushtet e tanishme është gati largësi e pakalueshme për një kohë aq të shkurtër, dhe kur për këtë tregoi publikisht, mbizotëroi mosbesimi. Shumë këtë lajm e karakterizuan gënjeshtër. Disa të tjerë kishin dyshime.

Por jo Ebu Bekri. Ai kishte besim të pakufishëm në mikun e tij dhe e dinte që ai flet vetëm të vërtetën dhe kështu edhe e pranoi këtë lajm të çuditshëm. E fitoi ofiqin es-Siddik – i sinqerti. Kështu mbeti deri në fund të jetës. I besoi Muhammedit a.s., ndërsa miqësinë e tij e tregoi edhe gjatë hixhretit i cili ishte hija besnike në rrugën e gjatë në mes Mekës dhe Jethribit. Së bashku përballuan vështirësitë e rrugës dhe së bashku qëndruan në shpellë ku Ebu Bekri r.a. me duar e mbrojti Muhammedin a.s. nga thëmbimi i gjarprit.

Përfundimisht, Ebu Bekri r.a. e meritoi që Pejgamberi s.a.v.s. ta vlerësojë në këtë mënyrë: “Sikur imani i Ebu Bekrit të vihej në një tas të peshores e në tjetrin imani i gjithë ummetit, do të mbipeshonte imani i Ebu Bekrit.”

Miku i nevojitet secilit prej nesh dhe të gjithë do të dëshironim të kemi sa më shumë të tillë që do të mbështetemi dhe tek të cilët do të gjejmë besnikëri të pakushtëzuar. Shkurt, të gjithë dëshirojmë miq. Por, për të pasur vërtet mik, duhet të jemi vet mik. Është çmenduri të presim besnikërinë e dikujt nëse nuk e kemi nga ana e jonë. Është e pamundur të kërkojmë nga tjerët me qenë të sinqertë ndaj nesh e ne nuk jemi të tillë. Kështu, sinqeriteti dhe besnikëria e Ebu Bekrit r.a. është njëri nga leksionet më të mëdha të hixhretit.

Në fund themi:

Besimtarin e vërtet Allahu i madhërishëm asnjëherë nuk e lë duarthatë.

E drejta e xhematit është prioritet.

E dëshirojmë mikun e sinqert, atëherë duhet edhe vetë me qenë të tillë.

O Zot, na jep që Ty të shërbejmë, që fenë tonë ta duam dhe sipas saj të jetojmë.

AMIN.

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi