SI DO TA DISH A JE NJERI I DYNJASË APO NJERI I AHIRETIT

Një njeri erdhi tek një dijetar dhe i tha: – “Dëshiroj të di a jam njeri i dynjasë apo njeri i Ahiretit, gjegjësisht a më shumë e dua dynjanë apo Ahiretin?”

Dijetari iu përgjigj: – “Allahu është jashtëzakonisht i mëshirshëm ndaj robërve të Tij dhe nuk ka bërë që peshorja të jetë në duart e mia apo në duart e tjerëve, pos ka bërë që kjo peshore të jetë në duart e secilit njeri individualisht.”

– “Si?” – pyeti njeriu.

Dijetari i tha: – “Për arsye se ti mund t’i mashtrosh njerëzit tjerë, por veten nuk mundesh. Peshorja yte është në duart tua dhe t’i vetë mund të vlerësosh a je njeri i dynjasë apo njeri i Ahiretit.”

Njeriu pyeti: – “E si mund ta vlerësoj veten?”

Dijetari iu përgjigj: – “Nëse të vie një njeri me dhuratë të vlefshme, e pastaj një i varfër që t’i japësh lëmoshë, cilit nga këta dy më tepër do t’i gëzohesh? Nëse i gëzohesh më shumë atij që të ka sjellur dhuratë, atëherë je njeri dynjasë, por nëse më tepër i gëzohesh të varfërit të cilit do t’i japësh lëmoshë, atëherë je njeri i Ahiretit.”

 

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi