PENDIMI I SULLTANIT PËR SHKAK TË LËSHIMIT TË SABAHUT
Sulltan Muradi i tretë (1546-1595) ka qenë i njohur për devotshmërinë e tij.
Një ditë, e lëshoi namazin e sabahut dhe kur u zgjua, e qortoi shpirtin e tij indiferent dhe e shprehu këtë me vargje, që paraqesin diç më të bukur të shkruar në literaturën islame turke.
Në realitet, sulltan Muradi i tretë ka qenë edhe poet. Vjershat e tij i ka shkruar në turqisht, arabisht dhe persisht. Vjersha e tij “Zgjohuni sytë e mi” i ka pesë strofa.
ZGJOHUNI SYTË E MI
Zgjohuni sytë e mi, nga indiferenca zgjohuni
Zgjohuni sytë e mi të përgjumshëm, zgjohuni
Më besoni, Azraili kah shpirti anon
Zgjohuni sytë e mi, nga gafleti zgjohuni
Zgjohuni sytë e mi të përgjumshëm, zgjohuni.
Të gjithë zogjtë para agimit zgjohen
Emrin e Allahut me gjuhët e tyre e përmendin
Kodrat, shkëmbinjtë dhe pemët teuhidin e Tij e vërtetojnë
Zgjohuni sytë e mi, nga gafleti zgjohuni
Zgjohuni sytë e mi të përgjumshëm, zgjohuni.
Hapen dyert e qiellit
Dhe rahmeti përhapet mbi besimtarët
Petkat e Xhenetit qepen për ata që e falin sabahun
Zgjohuni sytë e mi, nga gafleti zgjohuni
Zgjohuni sytë e mi të përgjumshëm, zgjohuni.
Dynjaja është kalimtare, mos qëndro i humbur
Mos u mbështet në kurorë, në fron dhe trashëgimi
Dhe mos u kryelartëso që sundon me botën.
Zgjohuni sytë e mi, nga gafleti zgjohuni
Zgjohuni sytë e mi tejet të përgjumshëm, zgjohuni.
Unë jam Muradi, robi Yt i vdekshëm, më fal
Mi fal mëkatet, mi fshiej gabimet
Më ringjall nën flamurin e Pejgamberit
Zgjohuni sytë e mi, nga gafleti zgjohuni
Zgjohuni sytë e mi tejet të përgjumshëm, zgjohuni.
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi