KËSHILLA E BABAIT

Një baba duke e parë që djali i tij ishte tepër i vrazhdë me të tjerët, i tha: – “Unë dua të jap një këshillë sesi ta heqësh këtë ves. Merre një dërrasë dhe sa herë nervozohesh me dikë, e fyen dhe ofendon, ngule një gozhdë në të!”

Djalit i pëlqeu këshilla e babait dhe menjëherë filloi ta aplikojë.

Ditën e parë i nguli 37 gozhda dhe i erdhi rëndë, kështu që ditën e dytë i nguli 20 gozhda. Ditën e tretë i nguli dhjetë dhe kështu vazhdoi me radhë t’i pakësojë, saqë pas një jave në dërrasë nuk kishte ngulur asnjë gozhdë. Kishte filluar të ushtrohet dhe mësohet me vetëpërmbajtje. Kur e pa që kishte arritur të mos zemërohet dhe nervozohet, shkoi tek babai i gëzuar dhe i tha: – “Baba, shiko, sot nuk e kam ngulur asnjë gozhdë!”

Por, babai i tha: – “Puna yte ende nuk ka përfunduar. Tani duhet t’i shkulësh të gjitha gozhdat e ngulura në dërrasë!”

Djali i hyri punës dhe i shkuli. Më pas, babai mori dërrasën e mbushur me vrima dhe i tha: – “A i sheh këto vrima dhe të çara në dërrasë? Këto janë plagët që u ke shkaktuar njerëzve me të cilët je nervozuar, i ke fyer dhe ofenduar.”

Të ndalemi pak dhe ta pyesim veten sa gozhda duhet t’i ngulim ne në ditë? Me sa njerëz zihemi? Sa herë në ditë i ofendojmë hallexhinjtë dhe ata pa përkrahje? Sa herë zihemi me gratë dhe fëmijët tanë? Përse të mos provojmë edhe ne që sa herë që bërtasim dhe nervozohemi ta ngulim nga një gozhdë në dërrasë?

Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë: “Zemërimi është një prush të cilin shejtani e hedhë brenda njeriut. Ai është një prush që merr flakë në zemër. A nuk e sheh atë që zemërohet sesi i skuqet fytyra dhe i fryhen damarët?”

 

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi