NGA TREGIMI KURANOR PËR MERJEMEN, A.S., KAM MËSUAR QË LEHTËSIMI VJEN NGA NUK SHPRESOJMË

Ed’hem Sherkavi

             Nga tregimi kuranor për Merjem bint Imran, a.s., kam kuptuar që ligjet në kozmos kanë të bëjnë me njerëzit e jo me Allahun, xh.sh., dhe i Gjithëmëshirshmi i vendos ligjet në kozmos për t’i udhëhequr ato, e jo që me këto ligje të kufizohet forca e Tij, Ai është i lartë mbi ato që Atij njerëzit ia përshkruajnë. Dhe ashtu siç Allahu e krijoi Ademin, a.s., pa nënë dhe baba, ndërsa Havën nga brinja e Ademit, ashtu edhe të birin e Merjemes, Isain, a.s., e krijoi pa baba biologjik, që njerëzve t’u bëhet argument i qartë i fuqisë dhe madhështisë së Allahut.

Nga tregimi kuranor për Merjemen, a.s., kam mësuar që lutja e prindërve është “shigjetë” e cila gjithmonë e qëllon cakun, gjegjësisht është lutja të cilën e pranon Allahu, xh.sh., andaj duhet të lutemi për çdo të mirë për fëmijët tanë. Derisa Merjemja ishte ende në djep, nëna e saj lutej:

“…Zoti im, unë e linda femër!” Po All-llahu e di më së miri atë që ajo e lindi. E mashkulli nuk është si femra. “Dhe unë e emërtova atë Merjeme, e atë dhe pasardhësit e saj po t’i lë Ty në mbrojtje prej djallit të mallkuar.

(Ali Imran, 36)

Për këtë, shejtani nuk ka mundur t’i afrohet Merjemes dhe djalit të saj, Isait, a.s., të cilin Allahu e bëri pejgamber të zgjedhur të Tij.

Nga tregimi kuranor për Merjemen, a.s., kam kuptuar që zemrat pastrohen dhe lëmohen në mihrabe (xhamia) e jo në sexhdet për namaz, varësisht lidhjes së tyre për tesbih dhe lutje, Allahu, xh.sh., i forcon dhe i përgatit për ta ndryshuar botën, siç aludon ajeti:

Oj Mejreme, vazhdoje adhurimin ndaj Zotit tënd, bën sexhde dhe falu për Zotin bashkë me ata që falen!

(Ali Imran, 43)

Nga tregimi kuranor për Merjemen, a.s., kam mësuar që besimtari në çdo situatë së pari i frikësohet Allahut, xh.sh., dhe devotshmëria është mbi të gjitha. Kur Merjemja e pa melekun Xhibril, a.s., në formën e njeriut të përsosur, fjalët e para që i tha ishin:

…Unë i mbështetem të Gjithëmëshirshmit prej teje, nëse je që i frikësohesh Atij (pra më le të lirë)!

(Merjem, 18)

Në atë moment nuk i ra ndërmend Zekerija, a.s., i cili kujdesej për të dhe i cili e edukoi, as klerikët të cilët i hudhën pendët e tyre nga kallami që të shohin se kush do të përkujdesej për Merjemen. Kështu është gjendja e besimtarit të sinqertë, në çdo moment dhe në çdo situatë së pari i bie ndërmend Allahu e pastaj njerëzit.

Nga tregimi kuranor për Merjemen, a.s., kam kuptuar që njeriu mbetet qenie njerëzore pa marrë parasysh çfarë shkalle të imanit ka arritur. E para gjë që Merjemja tha pasi që e lindi Isain, a.s., ishte:

“…Ah sa mirë ka qenë për mua të kisha vdekur para kësaj e të isha e harruar që moti!

(Merjem, 23)

Gabojnë ata të cilët mendojnë që besimi (imani) njerëzit i bën melekë të cilët cilët nuk frikësohen, nuk brengosen, nuk durojnë, nuk pikëllohen, etj. Feja neve vetëm na frymëzon, na bën që më mirë ta kuptojmë jetën, na bën më të ndieshëm dhe më përgjegjës, ndërsa Merjemja e dëshiroi vdekjen pasi lindi, ngase e ka ditur çfarë e pret kur të vie me djalin e saj para popullit të saj.

Nga tregimi kuranor për Merjemen, a.s., kam mësuar që kjo botë është vend i lidhjeve pasojë-shkas dhe ligjeve dhe Allahu, xh.sh., askënd nuk e ka bërë të pavarur nga këto ligje; këtë do ta bënte me Merjemen, a.s., kur ishte në kulminacion të dobësisë dhe pamundësisë për shkak të lindjes. Por, edhe pas kësaj, Allahu e urdhëron:

E ti shkunde trupin e hurmës se do të bijnë ty hurma të freskëta.

(Merjem, 25)

Allahu e di që ajo nuk mund ta lëkundë drurin e palmës, por në këtë mënyrë na mëson që të përpiqemi sa të mundemi, sikur që na mëson që të besojmë që mundi ynë në vetvete nuk do ta rritë furnizimin tonë dhe as mungesa e mundit nuk do ta zvogëlojë furnizimin, por poenta është në atë që të tërhiqet vëmendja në faktin që dynjaja nuk është krijuar pa qëllim dhe nuk i është lënë vetvetes, por ekziston në ligjet që Allahu i ka përcaktuar.

Nga tregimi kuranor për Merjemen, a.s., kam mësuar që ne ndonjëherë heshtim jo për shkak të dobësisë dhe pafuqisë, por për shkak që disa njerëzve nuk vlen t’u flitet pa marrë parasysh çfarë u themi. Njerëzit ndonjëherë dëgjojnë vetëm atë që dëshirojnë dhe mu për këtë Merjemja kur erdhi tek populli i saj duke bartur djalin e saj, Isain, a.s., të cilin e kishte lindur si e virgjër, vetëm tha:

“…Unë kam vendosur heshtje për hir të Gjithëmëshirshmit, andaj asnjë njeriu sot nuk i flas!

(Merjem, 26)

Nga tregimi kuranor për Merjemen, a.s., kam mësuar që ne problemet duhet ballafaquar me qetësi dhe maturi, që ne nuk mund ta lëvizim dynjanë kryengul, andaj nëse e kemi ndonjë problem në jetë nuk duhet tërë jetën ta shikojmë si problem. Pa marrë parasysh të gjitha ato që i ndodhën Merjemes, mbetja shtatzënë dhe lindja e fëmiut si e virgjër, për të cilën populli i saj më vonë e lëndoi dhe shpifi, Allahu, xh.sh., e urdhëron që të gjitha këto t’i hudhë pas shpine dhe të jetojë momentin e jetës dhe të kënaqet në të, andaj i shpalli:

Ti pra, ha pi e qetësohu, dhe nëse sheh ndonjë prej njerëzve thuaj: “Unë kam vendosur heshtje për hir të Gjithëmëshirshmit, andaj asnjë njeriu sot nuk i flas!

(Merjem, 26)

Nga tregimi kuranor për Merjemen, a.s., kam kuptuar që lehtësimi vjen nga njeriu nuk shpreson dhe që ligjet që Allahu, xh.sh., i ka vendosur dhe përcaktuar janë të përhershëm.

Dije për Allahun në lehtësi, Allahu do të di për ty në vështirësi dhe fatkeqësi.

Askush në tokë, duke përfshirë edhe Merjemen nuk ka mundur të mendojë që fëmiu i porsalindur do të veprojë dhe mbrojë nënën e vet para gjykimit të pamëshirshëm të masës që do t’i heshtë të gjitha gjuhët e tyre dhe do të sjellë argumente për virgjërinë dhe pastërtinë e Merjemes.

Nga tregimi kuranor për Merjemen, a.s., kam mësuar që njeriu nuk do të jetë realisht i lirë nëse nuk është rob i Allahut, xh.sh. Akida (besimi) është identiteti i njeriut, teuhidi (monoteizmi) është nacionaliteti i tij, ndërsa vërtetimi i robërimit dhe adhurimit vetëm Allahut, e vetmja biletë për Xhenet. Populli i tubuar priti të dëgjojë cili është ky identitet dhe nacionalitet i djalit të Merjemes, Isait, a.s., dhe fëmiu i porsalindur qartë u tregoi duke u thënë:

Unë jam rob i All-llahut, mua më ka dhënë (ka caktuar të më japë) librin dhe më ka bërë Pejgamber.”

            Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqatë për sa të jem gjallë!

            Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë as të padëgjueshëm!

            “Selami (shpëtimi prej All-llahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur të vdes dhe ditën kur të dal (prej varrit) i gjallë!

(Merjem, 30-33)

 

www.saff.ba.

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi