FALEMINDERIT ISMAILIT, A.S., NGA TREGIMI I TIJ KAM MËSUAR QË DISA NJERËZ PA MARRË PARASYSH RININË E TYRE, JANË BESIMTARË TË BINDUR
Ed’hem Sherkavi
Faleminderit Ismailit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që kur vie ndihma e Allahut dhe lehtësimi, njeriu mbetet i mahnitur. Nëna e tij vraponte në mes Safasë dhe Merves duke shpresuar që diku në mesin e atyre kodrave do të gjejë ujë, por Allahu dha që burimi i Zemzemit të gugullojë nën këmbët e djalit të saj, Ismailit dhe të rrjedhë deri në ditët e sotit.
Faleminderit Ismailit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që Allahu asnjëherë nuk i lë dhe nuk i braktisë robërit e Tij të sinqertë dhe se Allahu është me mendimin e robit të Tij për Të. Kur babai i Ismailit, Ibrahimi, a.s., i la të birin e porsalindur, Ismailin dhe nënën e tij të vetëm në shkretëtirë, nëna e tij, Haxheri, e pyeti Ibrahimin, a.s.: “A këtë ta urdhëroi Allahu?” Dhe kur mori përgjigje vërtetuese, tha: “Shko atëherë rrugës sate, Allahu me siguri nuk do të na lë!” Dhe Allahu as nuk i la as nuk i braktisi, por bëri që në atë vend të vie dhe të vendoset fisi Xhurhum, që ishte paralajmërim që Meka nuk do të jetë vetëm vendbanim i rëndomtë apo qytet, por “Nëna e qyteteve” (Ummul-Kura), siç quhet në Kuran.
Faleminderit Ismailit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që disa njerëz pa marrë parasysh rinisë së tyre, janë besimtarë të sinqertë dhe të bindur. Madhështore ka qenë përgjigjja e djaloshit Ismail, a.s., pasi që babai, Ibrahimi, a.s., e lajmëroi që duhet ta sakrifikojë. Djaloshi i devotshëm tha:
“O babai im, puno atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të durueshmëve.”
(Es – Saffatë, 102)
Faleminderit Ismailit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që Allahu i sprovon robërit e Tij të cilët dëshiron për t’i bërë plotësisht të bindur vetëm ndaj Tij. Kur zemra e Ibrahimit, a.s., filloi të lidhet për djalin, Ismailin, Allahu e urdhëroi që ta sakrifikojë, por Allahu e shpagoi, sepse Allahu nuk dëshiroi që Ibrahimi, a.s., ta therë të birin, por ta presë pasionin e tij. Pasiqë e kaloi me sukses atë provim, pasoi shpagimi i madh në formë të dashit të cilin Ibrahimi, a.s., e bëri kurban në vend të djalit, Ismailit, a.s.
Faleminderit Ismailit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që babai (prindi) nuk duhet lëshuar rastin që fëmijët e tij t’i bëjë të veçantë dhe të suksesshëm. Kur Allahu, xh.sh., e urdhëroi Ibrahimin, a.s., që ta sakrifikojë djalin e tij, Ismailin, a.s., ai këtë ka mundur ta bëjë deria djaloshi ishte duke fjetur, duke mos e ndier këtë. Mirëpo, Allahu deshi që Ismaili, a.s., në dyer të mëdha të hyjë në histori si djali më i dëgjueshëm në historinë e llojit njerëzor.
Faleminderit Ismailit, a.s., nga tregimi i tij kam kuptuar që madhësia e sakrificës është e përhershme dhe që tek Allahu nuk humbë. Vrapimi i nënës së Ismailit, a.s., në mes Safasë dhe Merves në kërkim të ujit u bë një prej ritualeve bazike të haxhit, sikur gurëzimi i shejtanit nga ana e Ibrahimit, a.s., dhe therja e kurbanit. Vizita dhe tavafi rreth Qabes d.m.th. njëkohësisht edhe nder nga Allahu për familjen e Ibrahimit, a.s., e cila veten dhe jetën e vet ia kushtoi Allahut.
Faleminderit Ismailit, a.s., nga tregimi i tij kam kuptuar që besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët. Ismaili, a.s., e kishte përsosur gjuajtjen me shtizë. I Dërguari i Allahut, a.s., kaloi pranë sahabëve që ushtronin gjuajtjen me shtizë dhe u tha: “Gjuani pasardhës të Ismailit! Babai juaj, Ismaili, ka gjuajtur me shtizë dhe hark.”
Faleminderit Ismailit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që mashkulli është ai që kujdeset për furnizimin e familjes së tij pa marrë parasysh në rëndësinë dhe madhësinë e rolit dhe pozitës së tij në shoqëri. Ismailin, a.s., roli pejgamberik dhe misioni i tij nuk e pengoi që të kryejë obligimet e përditshme ndaj familjes së tij. Kur i erdhi babai, Ibrahimi, a.s., në vizitë dhe pyeti për të, gruaja e Ismailit, a.s., i tha: “Ka shkuar të kërkojë furnizim për ne.”
Faleminderit Ismailit, a.s., nga tregimi i tij kam mësuar që nëse Allahu e do robin e Tij, atëherë e obligon të shërbejë në fe. Allahu nuk ia besoi Ibrahimit, a.s., dhe Ismailit, a.s., ndërtimin e Qabes për arsye se këtë nuk kishte që ta bëjë dikush tjetër, por për shkak të dashurisë së Allahut ndaj tyre dhe u tregoi nder që të ndërtojnë mesxhidin e parë në tokë, sepse ata ishin meritorë për këtë detyrë madhështore.
Faleminderit Ismailit, a.s., nga tregimi i tij kam kuptuar çfarë mund të bëjë lutja. Kur babai, Ibrahimi, a.s., e drejtoi lutjen:
“Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë, ku nuk ka bimë, e pranë shtëpisë Tënde të shenjtë. Zoti ynë (i vendosa aty) që të falin namazin pra bën që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, dhe, për të falënderuar me mirënjohje, furnizoi ata me fruta.”
(Ibrahim, 37)
– Allahu e dëgjoi lutjen e tij dhe nuk ka mysliman në rruzullin tokësor e që zemra nuk i mallëngjehet për takim me Qaben.
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi