A DO TË DËNOHENI APO DO TË SHPËRBLEHENI PËR NAMAZIN TUAJ?

Kur është në pyetje marrëdhënia e njeriut ndaj namazit, njerëzit mund t’i ndajmë në pesë grupe.

I pari është ai i cili vetit i bën zullum dhe padrejtësi, i cili i lë namazet, nuk merr abdes si duhet, nuk ka kujdes për kohët e namazit, kufizimet dhe ruknet e namazit.

I dyti është ai i cili ka kujdes për kohët e namazit, kufizimet dhe ruknet, i cili ka kujdes për formën dhe abdesin, por tek ai nuk ka luftë me vetveten, ai nuk i kundërvihet cytjeve (vesveseve) të shejtanit, kështu që namazi i tij i kalon në paramendime.

I treti është ai i cili ka kujdes për kohët e namazit, kufizimet dhe ruknet, ai i cili lufton me vetveten dhe përpiqet të largojë përshpëritjet e shejtanit dhe mendimet që i vinë në namaz. Ai është i preokupuar me luftën kundër shejtanit, duke u përpjekur që të mos ia çrregullojë namazin. Ky njeri është në namaz dhe luftë me nefsin.

I katërti është ai i cili kur niset për të falur namazin, i plotëson ruknet e namazit, obligimet e tij dhe rregullat e namazit. Zemra e tij është në vazhdimësi në ruajtjen e namazit dhe rregullave të namazit, përpiqet që asgjë nga namazi mos t’i humbet. Brenga e tij kryesore gjatë namazit është që në mënyrë adekuate, plotësisht dhe me precizitet ta kryejë namazin. Gjatë namazit, zemra e njeriut të tillë është e mbushur me namaz dhe e përkushtuar ndaj Allahut të madhërishëm.

I pesti është ai i cili ngritet ta falë namazin si ai më parë, por ky njeri zemrën e tij e ekspozon para Allahut të madhërishëm. Ky njeri me zemër shikon kah Allahu i nënshtruar plotësisht ndaj Tij, me zemër të mbushur plot dashuri ndaj Allahut të Plotfuqishëm. I tilli e adhuron Allahun si me e parë. Tek ky nuk ka kurrfarë përshpëritje, mendime apo paramendime. Atëherë ngriten perdet në mes tij dhe Zotit. Njeriu në gjendje të këtillë nuk ka ndikim nga mjedisi. Largësia në mes tij dhe njeriut afër tij është sikurse largësia  në mes qiejve dhe tokës. Njeriu i tillë në namaz është tërësisht i përkushtuar ndaj Allahut.

Grupi i parë i njerëzve do të dënohet për namazin e vet, grupi i dytë do të jep llogari, grupi i tretë do të falet, grupi i katërt do të shpërblehet shumë, ndërsa grupi i pestë do të jenë afër Allahut. Kjo, sepse grupit të pestë i takon shpërblimi i atyre që në namaz ndiejnë gëzim, ndërsa ai i cili në namaz në dynja ndien gëzim, do të ndien gëzim edhe në afërsinë e Allahut në ditën e Gjykimit. Ai i cili në takim me Allahun ndien gëzim, ai ka ndier të gjitha gëzimet e dy jetëve, ndërsa ai i cili nuk ndien gëzim në takim me Allahun, ai ka humbur çdo gjë.

Në një transmetim përmendet: “Kur njeriu ngritet të falet, Allahu i madhërishëm thotë: – Hiqni perden në mes Meje dhe robit Tim. Por, kur njeriu shmanget (nga përqendrimi), i Lartësuari thotë: – Lëshoni (perden).” (Hadithin e përmend Imam Gazaliu në Ihja-ulumid-din)

Kjo shmangie shpjegohet si shmangie e zemrës së njeriut nga Allahu i madhërishëm. Kur zemra e njeriut kthehet kah dikush tjetër pos Allahut, atëherë lëshohet perdeja në mes Allahut dhe njeriut. Atëherë vjen shejtani dhe njeriut i ofron mashtrimet e dynjasë.

Kur njeriu me zemër kthehet kah Allahu, atëherë shejtani nuk ka mundësi të ndërhyjë në mes Zotit dhe zemrës së robit të tillë. Pra, shejtani vjen kur paraqitet perdeja, por kur njeriu i afrohet Allahut me zemër, shejtani ikë.

 

Ibn Kajjim el-Xhevzi

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi