A E DINI ÇFARË DOBIE KENI NGA LARTËMADHËRIMI I ALLAHUT xh.sh.?
A e dini çfarë dobie keni nga lartëmadhërimi i Allahut të madhërishëm?
Lavdërimi i Allahut të madhërishëm e sjell nafakën, për këtë në hadithin që e shënon imam Ahmedi, qëndron që Nuhu a.s. u ka thënë pasardhësve: “Lavdëroni Allahun duke thënë Subhanallah, ngase ky është namaz i çdo gjëje dhe me të Allahu i madhërishëm furnizon çdo gjë.” Për këtë në vazhdimësi lavdëroje Allahun dhe gëzohu nafakës.
Edhe një dobi e lavdërimit të Allahut të madhërishëm është që e mbron njeriun nga rreziqet e papritura dhe forcon vizionin e njeriut. Për këtë shumo tesbihun në momentet kur të rrethojnë problemet dhe rreziqet, do ta kthejë kthjelltësinë, qetësojë zemrën, ndriçojë shpirtin. Do të ndiesh siguri, ngase je në kontakt me të Gjallin e Përhershëm, Sunduesin mbi gjithë sundimtarët, përveç të Cilit nuk ka rival tjetër.
Me lavdërimin e Allahut të madhërishëm njeriu shpëton nga indiferenca, nga jeta e parregulluar dhe apatike. Të shpëton nga vërejtjet e njerëzve, përgojimi, fortunat e jetës duke u zhytur në këtë mënyrë në sigurinë e tokës dhe të vetmuarit me Zotin tënd, duke u mbështetur fuqishëm tek Ai dhe duke u kënaqur me dhikër:
“Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.”
(Er – Rra’d, 28)
Lavdërimi i Allahut të madhërishëm e largon njeriun nga gjumi i indiferencës, nga gjendja e keqe e atyre që janë larguar nga Allahu, e shpëton nga errësira e pabesimtarëve, e pastron nga gjurmët e ndjesisë dhe udhëheq kah rruga e adhurimit të Zotit të botëve.
Lavdërimi (tesbihu) të përkujton dobësinë tënde, paaftësinë tënde dhe shumicën e mëkateve tua dhe në përuljen tënde para Allahut. Poashtu, të përkujton në madhështinë dhe pavarësinë e Zotit tënd, në fuqinë e Tij, lartëmadhërinë dhe dinjitetin e Tij. Pasojë e kësaj vetëdije për Allahun është që do të jesh falënderues ndaj begative të Tij, do ta falënderosh në dhuratat e Tij. Do t’ia lësh të gjitha gjërat Atij dhe do të biesh në pragun e madhështisë dhe zotnillykut të Tij.
Lartëmadhërimi dhe lavdërimi i Allahut, të tregon në bukurinë e kozmosit dhe krijimit jashtëzakonisht mahnitës dhe madhështor të Allahut. Kjo kthen shikimin tënd kah libri i hapur i kozmosit i cili qëndron para syve tu. Për këtë fillon të meditosh për madhështinë e krijimit të Allahut, fillon të meditosh për madhështinë dhe fuqinë e Krijuesit.
Nga shpirti yt atëherë gufon “Subhanallah” sinqerisht, me përulje, me zemër të pastër, duke e mbushur peshoren e veprave tua të mira te Allahu.
Duke përmendur dhe lartëmadhëruar Allahun e madhërishëm, kujton dhikrin e të gjitha qenieve tjera, zogjve, peshqve, etj. Atëherë ndien xhelozi dhe përpiqesh t’i tejkalosh në dhikër, ngase Allahu të ka dhënë më shumë forcë, aftësi dhe mendje. Ky është njëri nga ibadetet më të rëndësishme dhe mënyra më e bukur e afrimit te Allahu. Mjerë për atë dhe përsëri mjerë për atë që pupëza, milingona apo bleta e lavdërojnë Allahun më tepër se ai.
Njëra prej bukurive të dhikrit dhe lartëmadhërimit të Allahut është në atë që në këtë ibadet bëhesh partner me melekët, ngase ata pandërprerë e madhërojnë dhe lavdërojnë Allahun. Kështu del nga indiferenca e njeriut dhe mëkateve të njerëzve në pastërtinë dhe afërsinë e melekëve, robërve të afërt të Allahut.
Me lartëmadhërimin e Allahut të madhërishëm, ti i plotëson mangësitë tua dhe plotëson ibadetet dhe bindjen tënde ndaj Allahut. Kompenzon ato vepra që i ke lëshuar. Dhikri është plotësues, stoli dhe aromë e veprave tua me të cilat plotëson të metat, pastron mëkatet, mënjanon gabimet dhe me bukuri plotëson vendin ku banon.
Dobia e dhikrit është edhe në atë që të bën në çdo vend dhe çdo kohë sikur me qenë në sexhde ndaj Allahut të madhërishëm, qoftë nëse je në shtëpi, veturë, avion ose në treg. Kudo që je, në momentin që bën dhikër dhe lartëmadhëron Allahun, je sikur më qenë në sexhde.
Andaj, shikoni sa i mrekullueshëm është ky ibadet, sa pozitë madhështore është kjo.
Aid el-Karni
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi