A JENI TË PËRGATITUR PËR RAMAZAN?
A jeni të përgatitur për muajin e Ramazanit?
A jeni të përgatitur edhe për një vjet dhënie dhe afrim tek Allahu i madhërishëm? A jeni të vendosur në qëllimet tuaja, apo ato ende në zemrat tuaja janë të dobëta dhe të paqarta?
Cili është Ramazani më i bukur që keni kaluar në jetën tuaj? A thua ai i vitit të kaluar?
Të fillojmë me hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. i cili ka thënë ditën e parë të muajit Ramazan dhe natën e fundit të muajit Sha’ban. Hadithin na transmeton Selman el-Farisiu r.a., i cili thotë:
“Na thoshte Pejgamberi s.a.v.s. në natën e fundit të Sha’banit: “Njerëz, po ju vjen muaji madhështor, muaji përplot begati, në të cilin është një natë më e vlefshme se një mijë muaj. Allahu i madhërishëm e ka caktuar në këtë muaj agjërimin si obligim parësor, ndërsa teravinë – namaz i cili kryhet në këto netë si formë vullnetare e ibadetit. Kush i afrohet Allahut të madhërishëm me ndonjë mirësi, trajtohet sikur ta ketë kryer një farz (obligim parësor) në ndonjë muaj tjetër. Kush kryen një obligim parësor (farz), trajtohet sikur të ketë kryer shtatëdhjetë farze në ndonjë muaj tjetër.
Ky është muaj i durimit, për të cilin shpërblimi është xhenneti dhe muaj i ndihmesës kur rritet furnizimi i besimtarit. Kush në te përgatit iftar dhe ushqen agjëruesin, do t’i falen mëkatet dhe shpagim nga zjarri, ndërsa do të fitojë shpërblimin si agjërues, pa zvogëlim të shpëblimit të tij.”
A e shihni kujt i afroheni? A e kuptoni vlerën e asaj që flasim? A mund ta paramendoni këtë fillim?
Hadithi tjetër thotë: “Kur vie muaji i Ramazanit, hapen dyert e xhennetit, mbyllen dyert e xhehennemit, ndërsa shejtanët prangosen!” Kjo vërtet edhe ndodh, sonte. A i dëgjoni dyert e xhennetit se si hapen? A e ndieni aromën e xhennetit? Ky është Ramazani, u qoftë për hajr. Hudhni brengat dhe bëhuni të vendosur të kaloni 30 ditë në të cilat do të përpiqeni t’i afroheni Allahut.
Ibn Abbasi r.a. ka thënë: “Vërtet Xhenneti zbukurohet çdo vjet në kohën e Ramazanit, dhe kur ai paraqitet, Xhenneti thotë: “O Allahu im, bëje që robërit Tu në këtë muaj të jenë banorët e mi.” Duket sikur Xhenneti dëshiron zbukurime të reja . . .
Le të shikojmë cilat janë shpërblimet që arrijmë në këtë muaj.
Shpërblimet e Ramazanit ndahen në 5 kategori të cilat i kemi definuar në bazë të Kuranit dhe hadithit.
Secila kategori në atë masë është e madhe saqë kur dëgjoni për te, mendoni që vetëm ajo ju mjafton, ndërsa kur dëgjoni çfarë bart tjetra që pason, mendoni: Kjo është ajo që dëshiroj dhe për këtë do të përpiqem që ta meritoj.
Shpërblimet janë:
- Falja e mëkateve
- Shpëtimi nga Zjarri
- Thesari i veprave të mira
- Pranimi i lutjes
- Lejletul-Kadri.
- Falja e mëkateve
Mund të paramendoni që të gjitha mëkatet tuaja që i keni bërë në të kaluarën, fshihen pa marrë parasysh në peshën e tyre? Mu kjo ndodh në Ramazan sipas hadithit: “Kush agjëron muajin e Ramazanit duke besuar dhe shpresuar në shpërblim, do t’i falen mëkatet e bëra.”
Fjala “besuar” këtu udhëzon në atë që agjërimi nuk duhet kryer nga zakoni ose për shkak se të gjithë në mjedisin tuaj agjërojnë dhe nuk dëshironi të ndaheni.
Me agjërim duhet kënaqur Allahun. Në anën tjetër “të agjërosh për t’u fituar shpërblimi”, d.m.th. që agjërimit t’i qasemi me dëshirë që të fitojmë thevabe. Për këtë, nëse dëshirojmë që të na falen mëkatet duhet t’i respektojmë këto dy kushte.
Por, dikush do të pyet: Si është e mundur ta mbajmë të njëjtin nivel të sinqeritetit në qëllimet tona gjatë tërë tridhjetë ditëve?
Hadithi i mëparshëm na jep udhëzim si të përgjigjemi në këtë. Nëse jeni në gjendje të falni namazin e teravisë gjatë tridhjetë ditëve, i koncentruar me dëshirë që të fitoni thevabe, e jo për ta bërë vetëm si rutinë, jeni në rrugë që t’u falen mëkatet.
Dikush tjetër përsëri mund të thotë: E çfarë nëse lëshoj të ngritem gjatë natës, sepse nuk kam mundur të zgjohem? Pejgamberi s.a.v.s. na udhëzon na atë që ekziston edhe shansa e tretë për faljen e mëkateve, kur në hadithin e tij thotë: “Kush e kalon në ibadet Natën e Kadrit, duke besuar dhe shpresuar në shpërblim, do t’i falen mëkatet e bëra.”
- Shpëtimi nga Zjarri
Paramendojmë që këtë vit na janë falur mëkatet e që nuk do ta pritni Ramazanin e ardhshëm. Mëkatet që i keni bërë pas kësaj mbeten.
Për këtë në hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. hasim edhe një rast edhe për një shpërblim të madh, e ky është shpëtimi nga zjarri.
Muhammedi s.a.v.s. ka thënë: “Çdo natë në Ramazan Allahu liron nga zjarri disa prej robërve të Tij.”
Vërtet melekët çdo natë regjistrojnë emrat e atyre që ky shpëtim do t’u ndahet, dhe a thua dikush është në mes tyre? A thua ndonjë emër është regjistruar dje? A thua të gjithë kanë gjetur shpëtim? Kush janë ata të zgjedhur emrat e të cilëve janë të regjistruar?
Allahu shikon në zemrat e robërve të Tij dhe zgjedh të bindurit dhe të pastërtit, ata të cilët nuk kursejnë që ta kënaqin Atë. Këta njerëz nuk duhet në mënyrë obligative të jenë të arsimimit të lartë. Ndoshta kjo është vajza shtatëmbëdhjetë vjeçare, e cila nuk ka arritur të bëjë aq shumë, apo njeriu me shumë mëkate, por me qëllim të vendosur që këtë vit të bëhet person tjetër. A mund të paramendojmë cili emër shkruhet tani në këtë moment? Këtë e di vetëm Allahu. Ai shikon në zemrat e besimtarëve të Vet dhe di cilët prej tyre meritojnë këtë Shpërblim.
Duhet ditur se Allahu në këtë mënyrë fal mëkatet e kaluara dhe u premton të zgjedhurve që nuk do t’i prek zjarri, sepse kur Ai i zgjedh, atëherë më nuk do të jenë në rrezik. Paramendoni vetëm sa njerëz çdo natë lirohen nga zjarri në Egjipt, Marok, Arabi Saudite, Amerikë, . . .
Ndoshta do të thuani: Por unë me siguri do të gaboj përsëri pas Ramazanit, atëherë si më garantohet shpëtimi nga zjarri? Unë ju përgjigjem në këtë: Natyisht që do të gaboni, por falja bën që mirësia e juaj mbizotëron të keqen dhe që bindja juaj mbizotëron mosdëgjueshmërinë, andaj edhe mëkatet tuaja nuk do të kenë aq të këqija në vete ashtu siç kanë para se të jetë dhënë falja. A nuk e shikon madhështinë e kësaj begatije?! A e shihni tani vlerën reale të asaj për të cilën këtu flasim? Zgjohuni! Këto janë gjëra të rëndësisë së madhe.
- Thesari e veprave të mira
Ndoshta do të jeni prej atyre që Zoti do t’iu falë dhe shpëtojë nga zjarri, por kjo nuk do të thotë që do të arrini shkallë të lartë në Xhennet. Për të arritur këtë, u afrohet mundësia e tretë – arritja e thesarit të veprave të mira.
“Kush i afrohet Allahut të madhërishëm me ndonjë mirësi, trajtohet sikur ta ketë kryer një farz (obligim parësor) në ndonjë muaj tjetër. Kush kryen një obligim parësor (farz), trajtohet sikur të ketë kryer shtëtëdhjetë farze në ndonjë muaj tjetër . . .”
Përpiquni me ndihmën e matematikës të bëni llogaritje. P.sh. falja e namazit të drekës vlen dhjetë thevabe, ndërsa në xhemat 27 herë më tepër, pra 270. Nëse këtë namaz të njëjtë e falim me xhemat gjatë muajit të Ramazanit, ai do të na sjell 70 herë më shumë thevabe. Dhe nëse i falim pesë kohët e namazeve ditore në të njëjtën mënyrë, shpërblimi juaj është sa vijon: 270 x 70 x 5 = 94.500, e që është gati njëjtë sikur shpërblimi për një namaz i kryer në haremin e Qabes (100.000 thevabe)! E çfarë nëse këtë numër e shumëzojmë me 30, sa ka ditë Ramazani?
E çfarë është me thevabet që fitojmë duke lexuar Kuran? Secili harf vlen dhjetë thevabe. Muhammedi s.a.v.s. thotë: “Nuk themi Elifi, Lami dhe Mimi një harf, por Elifi është harf, Lami një harf, dhe Mimi një harf.” Pra, vetëm leximi i të përmendurës sjell 30 thevabe, e sa sjell leximi i bismeles? Ajo në vete ka 19 harfe dhe vlen 190 thevabe. Shumëzoni këtë me 70.
Ndërsa nëse e bëni hatme, dijeni se një xhuz përmban afro 7000 harfe dhe vlen 70.000 thevabe. Shumëzoni këtë me 70 dhe lehtë do të llogaritni që leximi i një xhuzi në Ramazan vlen 4.900.000 thevabe.
Për këtë ju nevojiten afro 45 minuta në ditë. Vazhdoni të shumëzoni dhe gëzohuni rastit të fitoni thesar të cilin mund ta arrini pa asnjë pagim.
Ndërsa sa thevabe sjell vet agjërimi? Këtë askush se di, por është e sigurt se numri është më i madh se tërë e përmendura. Në hadith thuhet: “Secila punë e njeriut i takon atij përveç agjërimit, agjërimi është Imi dhe Unë për të shpërblej në veçanti.” Me fjalë tjera, të gjitha veprat që bëjnë njerëzit, shpërblimi është i njohur, përveç agjërimit, ai është befasi që do t’ju pret në ditën e Gjykimit. Derisa për këtë mendoni, dini që kundërmimi nga goja e agjëruesit te Allahu është më e dashur se aroma (misku) më e bukur.
Përse Allahu na jep të gjitha këto? Sepse është i Mëshirshëm dhe dëshiron të na fut në Xhennet dhe dëshiron që nga ne ta nxjerr fuqinë që posedojmë. Andaj nëse Allahu ofron shansën, pranoni dhe thuani: “O Allah, unë jam i Yti.”
- Pranimi i lutjes
Pranimi i lutjes është ajo që na nevojitet më së tepërmi. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Lutja e agjëruesit nuk refuzohet.” Keni vëmendjen në fjalën e përdorur “nuk refuzohet”.
Në përputhshmëri me këtë, nëse keni vëmendje në versetin i cili ndodhet në kaptinën el-Bekare e ka të bëjë me agjërimin, do të shihni se thuhet:
“E kur robërit e Mi të pyesin për Mua, Unë me siguri jam afër, i përgjigjem lutjes së lutësit kur më lutet.”
(El – Bekare, 186)
A thua pse ky verset është përmendur mu në këtë vend? Sepse në mes lutjes dhe Ramazanit ekziston lidhja e fortë. Në fund të versetit Allahu thotë: “Kur më lutet Mua.” Kjo d.m.th. duhet të agjërojmë sinqerisht dhe në këtë duhet të jemi serioz, për të na pranuar Allahu lutjen.
Për çdo vit e kam zakon të jap këshillë që do ta përsërit këtu: Zgjidhni për vete pesë lutje, për ato gjëra që janë më të nevojshme dhe koncentrohuni në këto gjatë tërë muajit. Përmendni në vazhdimësi, në çdo sexhde, gjatë iftarit, çdo herë kur ngriteni në syfyr dhe gjatë secilit namaz të teravisë. Thuhet se sahabët për vete i kanë zgjedhur lutjet që i kanë përsëritur gjatë muajit të Ramazanit dhe asnjë herë nuk kanë pritur Ramazanin tjetër e që lutjet nuk ju kanë pranuar. Këtë e ka vërtetuar edhe përvoja ime.
Vërtet nuk e kam drejtuar lutjen në këtë muaj e që nuk ka qenë e pranuar, sepse ky është muaj i pranimit të lutjeve.
Paramendoni kur të gjithë bashkarisht t’i ngritnim duart në të njëjtin moment duke kërkuar shpëtim nga zjarri ose sikur ky ummet të ngritet dhe të lëviz pak përpara. Paramendoni të vie Ramazani tjetër dhe kjo të ndodh duke falënderuar lutjeve tona!
- Nata e Kadrit
Kjo është natë më e vlefshme se 1000 muaj. 1000 muaj janë 84 vjet, ose një jetë mesatare.
A e shihni çfarë do të thotë kjo? Nëse përkushtohemi ibadetit në këtë natë, kjo është sikur tërë jetën e kemi kaluar pandërprerë duke lartëmadhëruar Allahun! Dy rekat në këtë natë është sikur të falesh 84 vjet. Sa thevabe janë këto?!
Një lot në këtë natë është si det vajtimi në bindje dhe frikë ndaj Allahut, det i cili do të vendoset në peshojën e veprave tuaja.
Ta marrësh për dore nënën tënde në këtë natë, do të thotë se keni qenë i mirë ndaj saj 84 vjet, ndërsa sadakaja (lëmosha) sikur të keni dhënë çdo ditë në të njëjtën periudhë. Dhe sikur tasi i veprave në peshorën tënde para kësaj nate ka qenë i dobët, bindja e sinqertë në të do ta bëjë që peshoja yte të rëndohet duke krijuar kodra nga thevabet e veprave tuaja të mira. Kjo është mëshirë e Zotit tonë ndaj nesh, i Cili bën që neve të na fut në Xhennet.
Por, këto shpërblime nuk do t’i marrin ata që agjërojnë vetëm me stomak (uri), sepse ekzistojnë tri lloje të agjërimit:
Njëri është të përmbajturit nga ushqimi dhe pija.
I dyti kur agjërojnë pjesët e trupit tonë, d.m.th. trupi përmbahet nga bërja e mëkateve gjatë tërë muajit.
Për çdo Ramazan duhet të përmbahemi nga duhani, marrja e mitos, shikimi i programeve haram, gënjeshtra, thashethemet, përgojimi, shkuarja në vende haram apo lëndimi i dikujt. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush nuk e lë dëshminë e rrjeshme dhe veprimin sipas saj, Allahut nuk i duhet lërja e ushqimit dhe pijes së tij (d.m.th. Allahu nuk do ta pranojë agjërimin e tij).”
Për këtë, agjërimi këtë vit le të jetë i sinqertë. Agjëroni me tërë trupin, agjëroni me zemër.
Agjërimi më i mirë është kur agjëron zemra e ky është lloji i tretë i agjërimit. Agjërimi vetëm me stomak nuk do t’i shpëtojë njerëzit nga zjarri (por vetëm Allahu e di me siguri). Agjërimi më i mirë është i zemrës, ndërsa në zemrën ë këtij agjëruesi nuk ka tjetër pos Allahut gjatë tërë muajit. “O Allah, unë jam vetëm i Yti”, thonë këta agjërues. A mund ta arrini këtë gjendje?
A mund të agjëroni me zemër 30 ditë? Kjo do të thotë të flasësh për Allahun, të heshtësh për Allahun. Kjo do të thotë që jeta ynë të jetë për dhe me Allahun. Kjo nuk do të thotë që nuk do t’i kryeni obligimet e përditshme, por që tërë qenia e juaj do t’i përkushtohet kënaqësisë së Allahut.
Ejani që për këtë Ramazan vetit t’ia vejmë një moto. Kurdo që Pejgamberi s.a.v.s. dëshironte të bëjë një gjë serioze, ai vënte moto për sahabët dhe i nxiste të mendojnë për këtë dhe moton. Unë do t’ju propozoj disa moto nga të cilat mund të zgjidhni një për vete. Shqyrtoni moton e Musait a.s.:
“. . . Unë u nguta te Ti, o Zoti im që të jesh i kënaqur ndaj meje.”
(Ta Ha, 84)
Ose moton e Ibrahimit a.s.:
“Unë po shkoj aty ku më udhëzon Zoti im e Ai më udhëzon!”
(Es – Saffatë, 99)
Ose motoja e Pejgamberit s.a.v.s.:
“Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve!”
(El – En’amë, 162)
Ose motoja ime le të jetë verseti:
“Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për në një xhennet . . .”
(Ali Imran, 133)
Moto mund të jetë edhe “unë do t’i afrohem Allahut”. Ejani që ne për vete të zgjedhim moton e përbashkët vijuese: “Do ta adhuroj Allahun sikur më parë.”
Ejani ta shënojmë këtë moto dhe le të jetë kjo moto e përbashkët. Tani që dimë cilat janë shpërblimet në Ramazan, ejani të planifikojmë veprimet tona në këtë Ramazan. Ejani të bëjmë marrëveshjëe për orarin që do t’i përmbahemi pa marrë parasysh në rrethana. Ejani t’i afrohemi Allahut si një bllok. Orari ynë do të përbëhet nga gjashtë kolona dhe tridhjetë rende. Secilën ditë të Ramazanit mund ta shënoni në y ose x kolonë. Paramendoni sa do të jeni të lumtur kur arrini atë që keni përcaktuar në orar. Paramendoni shpërblimin tonë nëse të gjithë bashkohemi dhe punojmë së bashku. çfarë shpërblimi! Nuk do të punojmë vetëm, por bashkarisht para Allahut, dhe ai do të jetë Krenar me ne në prezencën e melekëve të Tij.
Këto gjashtë gjëra (renditje) janë formula e Pejgamberit s.a.v.s.. Këto janë gjërat më të rëndësishme në të cilat është fokusuar Pejgamberi s.a.v.s. në Ramazan. Këto janë:
- Falja e pesë kohëve të namazit me xhemat (pa marrë parasysh mashkull ose femër) tërë muajin.
- Dhënia e sadakës (lëmoshës) çdo ditë. Pejgamberi s.a.v.s. ka qenë shumë zemërgjerë e në Ramazan edhe më shumë. E kanë krahasuar si fryma e cila nuk lë asgjë pas vetit, sepse jepte çdo gjë që kishte duke mos lënë asgjë për vete. Për këtë imitoni Pejgamberin tuaj dhe caktoni shumën e të hollave që do të jepni në Ramazan.
- Puna në përmirësimin e lidhjeve familjare dhe respekti ndaj prindërve për çdo ditë. Përqafoni prindërit në duar, ftoni farefisin, ose pajtohuni me kënd jeni të prishur. Bëjeni këtë për hir të Allahut.
- Për çdo ditë drejtoni lutje. Ne do të fokusohemi në dy lutje kryesore, e pastaj secili prej jush mund të shtojë lutjen e tij. Do t’i lutemi Allahut të na shpëtojë nga zjarri dhe që rilindja e ummetit tonë te realizohet nëpërmes nesh. Kjo është shpresa ynë. Ramazani këtë vit mund të jetë kthim historik.
- Leximi i tërë Kuranit në namaze.
- Bërja e ndonjë vepre të mirë çdo ditë.
Ramazani është muaji i punës së mundimshme. Të gjitha fitoret kanë ndodhur në Ramazan. Duhet të mësohemi nga sahabët si të arrihet kjo gjendje e barazpeshës.
Ejani që të gjithë të premtojmë vetit që do t’i përmbahemi këtyre gjashtë gjërave. Vetëm gratë mund të garantojnë plotësimin e këtij orari! Sepse kur gruaja diç e paramendon, ajo përpiqet që ta realizojë, ajo do ta përkujtojë bashkëshortin dhe të gjithë rreth vetit që ta bëjnë këtë. Nuk do të kemi suksese në këtë pa ndihmën e grave.
Unë jam shumë optimist këtë vit, ndiej që do ta hapim fletën e re në jetët tona pas Ramazanit, dhe që rilindja e ummetit tonë do të fillojë këtë vit në Ramazan. Ramazanin mund ta krahasojmë me vjeshtën. Vjeshta vjen me mirësi, shi, që t’i ofrojë tokës çfarë i nevojitet. Bimët dhe krijesat pinë dhe rriten me mëshirën e saj. Toka është shumë e mençur, ruan këtë mëshirë brenda për ta shfrytëzuar tërë vitin. Ngjajshëm me këtë Ramazani vjen që ummetit t’i ofrojë fuqinë shpirtërorë dhe etike. A thua ummeti do ta ruajë këtë fuqi për ta shfrytëzuar gjatë tërë vitit?
Kjo është shpresa ynë këtë vit. Ramazani është si batica dhe zbatica. Kur ballafaqohemi me rënien e shpresës, përtacinë dhe mjerimin, vjen Ramazani dhe ne shohim rritjen e bindjes, fuqisë dhe zemërgjerësisë.
Amr Halid
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi