Allahu neve na ka krijuar, Ai është i Vetmi Zot, Ai është i Gjithëdijshëm

Shumë kemi dëgjuar dhe lexuar për gjeneratën e parë, më të mirë dhe të papërsëritur e myslimanëve, për sahabët e Pejgamberit, s.a.v.s. Dhe kurdo që përpiqemi që t’i gjallërojmë kujtimet për ata dhe mnedojmë marrëdhënien e tyre me jetën, më së shpeshti para nesh i shohim si njerëz serioz, të cilët nuk kanë ditur ç’është mahia dhe qeshja dhe të cilët tërësisht kanë qenë të preokupuar me ibadet dhe vepra për ahiret.

Sigurisht që ata kanë punuar me përkushtim për jetën e përhershme, por edhe kanë ditur edhe të mahiten, ndërsa mahinë me vend dhe shpirtin e gëzuar e kanë trashëguar nga Pejgamberi, s.a.v.s., dhe shpesh janë mahitur njëri me tjetrin dhe kanë qeshur.

Imam el-Hejthem transmeton se e kanë pyetur Ibn Sirinin se a janë mahitur sahabët, ai në këtë është përgjigjur: “Ata në këtë çështje kanë qenë sikurse njerëzit tjerë.”

Ndërsa Ibrahim en-Nehai, kur e kanë pyetur se a janë mahitur sahabët dhe a kanë qeshur, është përgjigjur: “Po, janë mahitur, por edhe pas kësaj imani në zemrat e tyre ka qenë sikurse kodrat e mëdha.”

Në vazhdim, do të sjellim disa shembuj të mahive në mesin e sahabëve dhe tabiinëve.

 

 

KËSHTU JANË MAHITUR SAHABËT

 

Ibn Haxheri e ka shënuar në transmetimin e Ummu Selemës, r.a., në të cilin përmendet që Ebu Bekri, r.a., njëherë shkoi në Basër për tregti e me të ishin Nuajmani dhe Suvejbit ibn Hurmete, r.a., të dy pjesëmarrës të Bedrit. Suvejbiti ishte i obliguar për ushqim dhe pasi Ebu Bekri shkoi në treg për tregti, Nuajmani i tha: “Më jep të ha!” Suvejbiti i tha: “Prit derisa të kthehet Ebu Bekri.” Nuajmani ishte njeri i cili e dëshironte mahinë shumë dhe shkoi tek një grup i njerëzve dhe bërtiti: “O njerëz, bleni nga unë këtë rob të veçantë me prejardhje arabe!” Njerëzit u pajtuan, e pastaj u tha: “Ky është shumë elokuent dhe nëse u thotë se nuk është rob, mos i besoni, më thirrni mua e mos i bëni keq.” U pajtuan që ta blejnë për 10 deve.

Nuajmani pastaj e mori Suvejbitin dhe u tha blerësve: “Ja, ky është ai robi, po ua shes!” Suvejbiti bërtiti: “Njerëz, ky njeri është gënjeshtar, unë jam njeri i lirë, nuk jam rob.” Ata u përgjigjën: “E kem dëgjuar këtë tregim.” Ia vunë litarin në qafë dhe e morën.

Kur erdhi Ebu Bekri pyeti për Suvejbitin, ndërsa Nuajmani i tha çfarë ka bërë. Atëherë, Ebu Bekri shkoi tek njerëzit që e kishin blerë Suvejbitin, ua ktheu devetë dhe e liroi.

Kur u kthyen në Medine, i treguan për këtë Pejgamberit, s.a.v.s., ndërsa ai qeshi ëmbël, e me të edhe sahabët.

Transmetohet që Ebu Derdai, r.a., asnjëherë nuk ka biseduar me njerëz e që nuk ka buzëqeshur dhe bashkëshortja i thoshte: “Po frikësohem se njerëzit mos të mendojnë se je i çmendur, vazhdimisht po qesh.” Ai u përgjigj: “Asnjëherë nuk e kemi parë Pejgamberin, s.a.v.s., duke biseduar e që nuk ka qenë i buzëqeshur.”

Edhe tabiinët janë mahitur.

Tabiini i njohur, Sulejman ibn Mihran el-A’meshi, për të cilin imam Dhehebiu ka thënë se ka qenë Shejhul-islam, Shejh muhaddith, Huxhxhetul-islam, njeriu më i devotshëm, shumë e ka dashur mahitjen.

Transmetohet që njëherë një njeri i çmendur i cili quhej Ebu Davud, e pyeti: “A bën të falet pas imamit të çmendur? U përgjigj: “Lejohet të falet pas tij, por pa abdes.”

Përsëri e pyeti: “E çka mendon për të si dëshmitar?” El-A’meshi u përgjigj: “Pranohet dëshmia e tij, por me prezencën e dy dëshmitarëve të drejtë.”

El-A’meshi e dërgoi djalin që t’ia blejë një litar. Ai e pyeti: “Baba, sa të gjatë ta blej litarin?” El-A’meshi u përgjigj: “Dhjetë hapa.” “E sa duhet me qenë i gjerë?” El-A’meshi u përgjigj: “Djali im, litari le të jetë i gjerë aq sa është sprova ime me ty.”

I thanë Halil ibn Ahmedit: “Ti shumë dëshiron të mahitesh me njerëzit.” U përgjigj: “Njerëzit janë sikurse në burg nëse nuk mahiten dhe qeshin.”

Transmetohet se një njeri e pyeti Ebu Hanifen, r.a.: “Shejh, nëse i heq rrobat dhe kërcej në lumë për t’u larë, a duhet të kthehem kah kibla, apo jo?” Ebu Hanife u përgjigj: “Ti më së miri kthehu kah rrobat që mos t’i vjedh ndokush.”

Ja, kështu kanë qenë sahabët dhe tabiinët. Kanë poseduar dituri të vërtetë, kanë qenë të sinqertë dhe modestë në ibadet, kanë qenë simbol i përulësisë dhe vetëmohimit, por njëkohësisht ishin shembull i dashurisë ndaj njerëzve. I kanë dashur njerëzit dhe kanë dashur të sjellin gëzim në zemrat e njerëzve, duke pasuar fjalët e Pejgamberit, s.a.v.s.:

“Vepra më e mirë është të sjellësh gëzim në zemrën e vëllait tënd besimtar.” (Sahihul-xhami, I, 247)

 

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi