DHJETË MËNYRA PËR TA PRITUR RAMAZANIN

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi pejgamberin më të zgjedhur, Muhammedin s.a.v.s., mbi familjen dhe shokët e tij të nderuar.

Këtë letër ia dërgoj secilit mysliman i cili pret Ramazanin me shëndet dhe fuqi për ta shfrytëzuar në bindje ndaj Krijuesit.

Jam përpjekur në këtë tekst të shpjegoj mënyrat dhe metodat që do të zgjojnë motivimin e besimit për të bërë sa më shumë ibadetet në këtë muaj fisnik.

Lutem Allahut të madhërishëm të na dhurojë sukses dhe të bëjë që kjo vepër të jetë sinqerisht për Te dhe në emër të Tij!

Pyetje: Si është mënyra më e drejtë që të presim këtë muaj fisnik?

Myslimani nuk duhet lejuar vetit që të lëshojë veprat e mira dhe të dobishme, veçanërisht kur kemi të bëjmë me ditët e vërtetuara që në to veprat vlerësohen shumë më tepër se ditët dhe muajt tjerë, përkundrazi duhet të garohet në bërjen e veprave të mira, siç thotë Allahu i madhërishëm:

       “E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën.”

                                                                                                            (El – Mutaffifinë, 26)

Për këtë, vëlla i dashur, mundohu që ta presësh Ramazanin sa vijon:

 

  1. Lutja

 

Duhet lutur Allahun që të mundësojë ta presësh Ramazanin me shëndet dhe rehati për të kryer ibadetet, sikurse agjërimin, namazin, zekatin dhe dhikrin. Transmetohet nga Enes ibn Maliku r.a. që ka thënë: “Kur vinte muaji Rexheb, Pejgamberi s.a.v.s. bënte lutjen: “O Allah, na jep bereqet në muajin e Rexhebit dhe Shabanit dhe na mundëso ta presim Ramazanin.” (Hadithin e shënon Ahmedi dhe Taberaniu)

Paraardhësit tanë të mirë kanë pasur traditë t’i luten Allahut t’ua mundësojë ta presin Ramazanin, e pas Ramazanit që Allahu t’ua pranojë veprat e mira që kanë bërë në Ramazan.

Kur paraqitet hëna e re thuaj ashtu siç thoshte Pejgamberi s.a.v.s.: “Allahu është më i madh, O Allah bëje këtë muaj të vijë me siguri dhe iman, paqe dhe islam, dhe ndihmo në atë që Ti do dhe ji i kënaqur Zoti ynë dhe Zoti yt (Hënë) është Allahu.” (Hadithin e shënon Tirmidhiu, e të saktë e ka vlerësuar Ibn Hibbani)

 

  1. Falënderim ndaj Allahut që të mundëson ta presësh muajin e Ramazanit

 

Ka thënë imam En-Neveviu në librin “El-Edhkjar”: “Dije që është e lavdëruar (mustehab) për secilin që i përsëritet një begati e dukshme, ose i mënjanohet një fatkeqësi e dukshme, të bëjë sexhde falënderimi Allahut të madhërishëm ose ta lavdërojë Atë ashtu si i takon Atij.”

Prej begative më të mëdha të Allahut ndaj robit është që t’i mundësojë që t’i robërojë Atij drejtë dhe t’i bën ibadet. Nuk ka dyshim që pritja e Ramazanit me shëndet është begati e madhe e Allahut ndaj njeriut dhe për këtë duhet falënderuar Allahun për këtë begati: Falënderoj Allahun me falënderim pa masë, falënderoj Ty, ashtu si meriton madhështia e fytyrës Tënde dhe fuqisë së pushtetit Tënd!

 

  1. Ndjenja e lumturisë dhe gëzimit për shkak të ardhjes së muajit Ramazan

 

Transmetohet që Pejgamberi s.a.v.s. e ka pasur traditë që t’i përgëzojë sahabët, duke i paralajmëruar ardhjen e Ramazanit me fjalët: “Ju erdhi muaji Ramazan, muaj i bereqetit, muaj që Allahu ua obligoi agjërimin, në te hapen dyert e Xhennetit, ndërsa mbyllen dyert e Xhehennemit . . .” (Ahmedi)

Paraardhësit tanë të drejtë i kanë kushtuar kujdes të veçantë Ramazanit, janë gëzuar ardhjes së tij. Dhe a nuk ka gëzim më të madh se lajmi që Ramazani po afrohet, muaji i mirësisë, muaji i mëshirës së Allahut!

 

  1. Përgatitja e planit të qartë dhe vendimi i fuqishëm që muajin e Ramazanit ta shfrytëzojmë në dobi maksimalisht

 

Shumë njerëz, bile edhe ata që i përmbahen fesë dhe rregullave të saj, kanë planet e dynjasë të qarta dhe të përgatitura me precizitet, por pak janë ata që i kanë të përgatitura planet e ahiretit. Shkas i kësaj është mungesa e kuptimit të rolit të një besimtari në këtë botë, apo harresa dhe indiferenca ndaj shanseve të shumta që Allahu i madhërishëm i ofron robit që t’i shfrytëzojë në dobi dhe edukatë ndaj vetvetes për të mbetur i fuqishëm dhe i vazhdueshëm në fenë e tij. Shembull i një plani preciz të ahiretit është planifikimi si ta shfrytëzojmë muajin e Ramazanit në ibadet sa më të madh. Myslimani duhet përgatitur vetit plan-programin sesi t’i shfrytëzojë ditët dhe netët e Ramazanit. Këtë që po e lexon do të ndihmojë ta shfrytëzosh muajin e Ramazanit në bindje ndaj Allahut të madhërishëm, inshallah!

 

 

  1. Vendosmëria e fortë dhe e sinqertë që kohën e Ramazanit do ta shfrytëzosh në bërjen e veprave të mira

 

Kush është i sinqertë ndaj Allahut, Allahu do t’ia lehtësojë rrugët e mirësisë dhe do t’i ndihmojë të bëjë ibadete.

Allahu i madhërishëm thotë:

       “. . . Do të ishte mirë për ata të jenë besnikë ndaj All-llahut.”

                                                                                                                  (Muhammed, 21)

 

  1. Duhet të kemi dituri për rregullat që janë të lidhur me agjërim

 

Është obligim i myslimanit ta adhurojë Allahun me dituri dhe nuk ka arsyetim për mosditurinë tënde kur janë në pyetje obligimet (farzet) që Allahu u ka përcaktuar robërve të Tij. Prej këtyre farzeve është edhe agjërimi i Ramazanit, për këtë myslimani duhet t’i mësojë dhe studiojë rregullat lidhur me agjërimin, para se të fillojë Ramazani në mënyrë që agjërimi i tij të jetë i drejtë dhe i pranuar te Allahu i maadhërishëm.

Allahu i madhërishëm thotë:

       “. . . Pyetni pra dijetarët nëse ju nuk dini.”

                                                                                      (En – Nahl, 43)

 

  1. Duhet pritur Ramazanin me vendosmëri të fortë që t’i lëni të gjitha llojet e mëkateve me pendim të sinqertë nga gjitha mëkatet e bëra, dhe vendosmërinë që më nuk do të ktheheni tek ato.

Muaji i Ramazanit është muaj i pendimit, ai i cili nuk pendohet në muajin e Ramazanit, kur do të pendohet?

Allahu i madhërishëm thotë:

       “O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë . . .”

                        (Et -Tahrimë, 8)

 

  1. Përgatitja shpirtërore për pritjen e Ramazanit, nëpërmes leximit të librave, fletushkave, dëgjimit të ligjëratave, të cilat shpjegojnë vlerën e Ramazanit dhe rregullat lidhur me agjërimin.

 

  1. Përgatitja për aktivitete të da’ves e disa prej tyre janë:

a.) Dhënia e këshillave gjithë atyre që kanë nevojë,

b.) shpërndarja e broshurave, fletushkave lidhur me Ramazanin,

c.) përgatitja e ndonjë dhurate, p.sh. libër, etj.

d.) me përkujtuar të varfërit dhe nxitja në dhënien e lëmoshës, zekatit, etj.

  1. Ta presim Ramazanin me fletë të reja, të pastërta dhe të shndërritshme:

a.) Me pendim të sinqertë ndaj Allahut,

b.) me pasim dhe bindje ndaj Pejgamberit s.a.v.s. në ato që ka urdhëruar dhe larguar nga ajo që ka ndaluar,

c.) mirëso ndaj prindërve, të afërve, bashkëshortes, fëmijëve dhe brenga për ruajtjen e lidhjes familjare,

d.) dobi e përgjithshme për komunitetin ku jetojmë, për të qenë i mirë dhe i dobishëm për shoqërinë. Ka thënë Pejgamberi s.a.v.s.: “Më i miri i njerëzve është ai që më së shumti u shërben tjerëve.”

Secili mysliman duhet kështu ta presë Ramazanin, sikur toka e tharë që i nevojitet shiu, si i sëmuri të cili i nevojitet mjeku për t’ia dhënë ilaçin, sikur ai i cili e pret personin e dashur që i mungon e duhet të vijë.

O Allah i dashur na munëso ta presim Ramazanin dhe pranoje nga ne, Ti je Ai i Cili dëgjon dhe di çdo gjë!

AMIN

 

Shejh Halid ibn Abdurrahman ed-Durvejsh

 

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi