HYRJET E SHEJTANIT TEK NJERIU
Një njeri i devotshëm ka thënë: – Kam menduar nëpër cilat dyer hyn shejtani dhe i sulmon njerëzit, dhe kuptova që shejtani hyn nëpër këto dyer:
- Dyert e lakmisë dhe mendimeve të këqija dhe iu kundërvura me bindje dhe modesti;
- Dyert e dashurisë ndaj jetës dhe shpresës së gjatë dhe e prita me frikë nga vdekja e papritur;
- Dyert e dëshirës për rehati dhe kënaqësi ndaj begative të dynjasë dhe iu kundërvura me vetëdije për begatitë kalimtare të dynjasë dhe frikën nga llogaria e ditës së Gjykimit;
- Dyert e vetëpëlqimit dhe mendjemadhësisë dhe iu kundërvura me përulësi dhe frikë nga përfundimi i keq;
- Dyert e nënçmimit të njerëzve dhe mungesës së respektit ndaj tyre, dhe e prita me vetëdije për të drejtat e tyre dhe moslëndimit të atyre të drejtave;
- Dyert e zilisë dhe e prita me kënaqësi me begatitë dhe nafakën që ma ka përcaktuar Allahu;
- Dyert e paraqitjes dhe dëshirës për t’u lavdëruar nga njerëzit tjerë, dhe iu kundërvura me besim të sinqertë;
- Dyert e koprracisë dhe iu kundërvura me vetëdijen për atë që është kalimtare te njerëzit dhe asaj që është e përhershme te Allahu;
- Dyert e kryelartësisë dhe arrogancës dhe iu kundërvura me përulësi;
- Dyert e lakmisë dhe iu kundërvura me mbështetje të asaj që është te Allahu e jo tek ajo që posedojnë njerëzit tjerë;
Është thënë që shkaku më i madh i vrazhdësisë dhe gurëzimit të zemrës është lënia e dhikrit dhe lëshimi i tepruar në gjërat e kota.
Transmetohet që Malik ibn Dinari, r.a., ka thënë: – “Kur ndien shqetësim në zemër, dobësi të trupit dhe mangësi në nafakë, dije që je prej atyre që flasin për gjëra që nuk të interesojnë.”
Për këtë, mbahu heshtjes dhe ruaj veprat tua të mira, sepse ai që nuk e ruan gjuhën, karakterizohet me përgojim, ndërsa ai që flet shumë edhe gabon shumë. Përgojimi është vdekje për bindjen dhe adhurimin.
Sufjan eth-Thevriu, r.a., thoshte: – “Mbahu heshtjes, do të jesh i devotshëm; mos u bën lakmitar për dynja, do ta ruash besimin tënd; mos u bën shpifës, do të ruhesh nga gjuhët e njerëzve, mos ke zili askënd, do të rritet mendjemprehtësia dhe mendjehollësia.”
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi