ISTIGFARI ËSHTË ILAÇ I CILI SHËRON NJERIUN NGA HELMI DHE MËKATET
Allahu i Madhërishëm e ka quajtur Veten në Kuran El-Gafur – Mëkatfalësi (Ai i Cili i falë mëkatet). Pos emrit El-Gafur, në Kuran përmenden edhe dy emra të Allahut me kuptim të njëjtë apo të ngjashëm, e këta janë El-Gafir dhe El-Gaffar.
Emri i bukur i Allahut El-Gafur përmendet në 91 ajete në Kuran, El-Gaffar përmendet në 5 ajete, ndërsa emri El-Gafir përmendet vetëm 1 herë në suren Gafir apo Mu’min:
“I cili fal mëkatin dhe pranon pendimin, dhe që është ndëshkues i ashpër, por edhe bamirës. Nuk ka zot tjetër përveç Atij. Te Ai është e ardhmja e çdokujt.“
(Gafir, 3)
Emri i Allahut El-Gaffar ka kuptim më të fortë se emri El-Gafur, El-Gaffar është Ai i Cili i falë mëkatet e mëdha, El-Gafur është Ai i Cili falë shumë edhe kur përsëriten mëkatet dhe njeriu pendohet dhe bën istigfar.
Dijetarët kanë thënë: “Nëse ka të bëjë me një mëkat dhe Allahu ta falë, atëherë Ai është El-Gafir, ndërsa kur ka të bëjë për shumë mëkate dhe Allahu t’i falë, atëherë Ai është El-Gafur, ndërsa kur ka të bëjë për mëkat të madh (të rëndë) i cili në sytë e njerëzve duket i pafalshëm, atëherë Ai është El-Gaffar.”
El-Hattabi ka thënë: “El-Gaffar është Ai i Cili i mbulon mëkatet e robërve të Tij, i mbështjell me pektun apo vellon e mëshirës së Tij. Mbulesa këtu ka kuptim që Allahu nuk i zbulon mëkatet ndaj njerëzve tjerë që ata mos ta njohin për mëkate.”
Nuk do të na urdhëronte Allahu që të bëjmë istigfar sikur Ai mos t’i falte mëkatet. Ai e di sa të dobët jemi, sa jemi indiferentë (të shkujdesur) në jetët tona, ndërsa falja (magfireti) i Allahut është ilaç për indiferencën tonë. Sikur Allahu mos të ishte El-Gafur, El-Gaffar dhe El-Gafir, çka do të bënim ne?
Allahu falë edhe pse është i Plotfuqishëm dhe mund të dënojë menjëherë apo më vonë për mëkate, por falja e Tij është e lidhur me plotfuqinë e Tij.
Njeriu ndonjëherë nuk merr nga njeriu tjetër atë që dëshiron dhe e falë. Pejgamberi, s.a.v.s., kur hyri në Mekë si triumfues, pas të gjitha të bëmave që ia kishte bërë ai popull, u tha: “Shkoni, jeni të lirë!”
Dijetarët islam kanë thënë: “El-Gafur është Zotëriu i Cili posedon fuqinë absolute, ndërsa falë për shkak të mirësisë së Tij, siç thotë Isai, a.s.:
“Nëse i dënon ata, në të vërtetë ata janë robër Tu, e nëse u falë atyre, Ti je i gjithëfuqishmi, i urti.“
(El – Maide, 118)
Dhe meqë Allahu është El-Gafur dhe El-Gaffar, Ai bën që njerëzit te ti të shohin më të bukurën dhe më të mirën, ndërsa i mbulon turpet dhe mëkatet tua që i bën fshehurazi.
Tregohet që një hajdut e sollën para Omerit, r.a., dhe ai nga frika i tha: “O udhëheqës i besimtarëve, pasha Allahun, kjo është hera e parë që kam vjedhur.” Në këtë, Omeri, r.a., i tha: “Gënjen, Allahu askënd nuk e turpëron pas mëkatit të parë.” Pastaj, ai pranoi se kjo ishte hera e tetë që vidhte.
Pra, kur mundet njeriu me qenë i turpëruar? Jo atëherë kur e përsërit mëkatin dhe pendohet, por kur vazhdon në mëkate dhe kjo i bëhet praktikë, zakon, pjesë e sjelljes, atëherë pason edhe turpi edhe dënimi, na ruajtë Allahu nga turpi dhe dënimi.
Përse është kështu? Sepse Allahu nuk është vetëm El-Gafur, por edhe Er-Rrahim (Mëshiruesi), siç thotë ajeti:
“Thuaj: “Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.“
(Ali Imran, 31)
El-Asme’i transmeton që një beduin qëndronte afër varrit të Pejgamberit, s.a.v.s., i kishte ngritur duart dhe bënte këtë lutje: “O Allah i dashur, këtu është i dashuri dhe Pejgamberi yt, s.a.v.s., unë jam robi Yt, ndërsa shejtani armiku yt. Nëse më fal, do ta gëzosh të dashurin Tënd, s.a.v.s., do të shpëtojë robi Yt, ndërsa do të zemërohet armiku Yt. Por, nëse nuk më fal, do të pikëllohet i dashuri Yt, s.a.v.s., do të kënaqet armiku yt, ndërsa robi yt do të shkatërrohet, ndërsa Ti je Fisnik dhe nuk do ta lejosh të pikëlluar të dashurin Tënd, s.a.v.s., ndërsa nuk e kënaq armikun Tënd dhe nuk e lë të shkatërruar robin Tënd.”
REZULTATET POZITIVE TË BESIMIT NË EMRIN E ALLAHUT EL-GAFUR
Mëshira dhe falja e Allahut në veçanti vie në shprehje në ajetin vijues:
“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!“
(Ez – Zumer, 53)
Ky ajet dhe ajetet tjerë në të cilët përmendet emri i Allahut El-Gafur, magfireti i Allahut (falja e Tij) është lajm i gëzuar për çdo njeri, për çdo mëkatar, lajm i cili qetëson zemrën dhe shpirtin, thirrje që të lirohemi nga dëshpërimi dhe të hudhim mendimin e keq për Allahun, sepse nuk ka mëkat që është më i madh se magfireti (falja) i Allahut.
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi