MBRETI DHE DHURATA E LYPËSIT
Çdo mëngjes, në një mbretëri të vogël por të pasur, një lypës pa fjalë i sillte mbretit nga një mollë e pastaj shkonte.
Mbreti i cili ishte mësuar të pranojë dhurata shumë më të vlefshme se kjo mollë, e përqeshte lypësin kur largohej. Të gjithë oborrtarët qeshnin, ngase duhej të vepronin sikurse mbreti.
Lypësi vazhdonte për çdo mëngjes t’ia dorëzonte mbretit mollën. Edhe pse i dukej monotoni, mbreti e pranonte dhuratën – mollën duke qeshur me ironi dhe e vendoste në një shportë. Pas një kohe, shporta u mbush përplot saqë nuk kishte më vend për molla.
Një ditë, majmuni i mbretit e mori një mollë dhe e kafshoi, por menjëherë e gjuajti para mbretit. Mbreti i çuditur e mori mollën dhe në mes e vërejti një diamant. Menjëherë urdhëroi të hapen të gjithë mollat dhe në të gjitha kishte nga një diamant.
I hutuar, mbreti e thirri lypësin dhe kërkoi shpjegim. Ky iu përgjigj: – “Ju solla këto dhurata që të kuptoni që jeta për çdo mëngjes ju ofron dhuratë të veçantë për të cilën ju harroni për shkak të pasurisë së madhe që ju rrethon. Kjo dhuratë është çdo ditë e re e cila fillon me buzëqeshje ndaj tjetrit. Ky është diamant i vërtetë, o mbret!” – tha lypësi duke u larguar nga pallati.
Mesazhi i tregimit: Shumë gjëra na duken më të rëndësishme, por ekziston një e mirë e cila i tejkalon të gjitha dhe është si diamant i fshehur në zemra tona – kjo është buzëqeshja që duhet t’ia dhurojmë atij që i nevojitet. A thua i japim çdo mëngjes dikujt dhuratën tonë më të çmuar?
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi