ORGANIZIMI I XHEMATIT SIPAS SHEMBULLIT TË SULEJMANIT a.s.

Para Sulejmanit a.s. u mblodhën ushtritë e tij të renditura në çeta. Secila çetë e kishte prijësin, udhëheqësin i cili kujdesej për ushtarët e vet, për të cilët ishte i obliguar.

I kishte vendosur në vendet e tyre dhe i shikonte gjatë inspektimit. Askush nuk qëndronte në vendin e tjetrit. Secili e dinte vendin e vet dhe për të duhej të mbahej. Në mesin e rreshtave nuk kishte çrregullim, shkapërderdhje apo anarki.

Këso sjellje duhet të dominojnë edhe në mesin e vetë muslimanëve. Duhet të dinë vendin e tyre në xhemat, punën e tyre, detyrimin e vet, të drejtat e tyre dhe obligimet e veta dhe të gjitha këtyre duhet përmbajtur. Këto vende dhe role duhet të renditen varësisht nga aftësitë dhe mundësitë dhe askush nuk duhet ta marrë vendin apo rolin e tjetrit, ngase nuk është meritor. Që xhemati ynë dhe puna e xhematit për islam të jetë e bereqetshme në këtë mënyrë duhet të sillemi, duke mbajtur rendin dhe disiplinën.

Imami dhe këshilli i xhematit (shura) duhet më së tepërmi të ketë kujdes për punën dhe disiplinën në xhemat.

Allahu i madhërishëm e krijoi njeriun si qenien shoqërore. Secili njeri e sidomos besimtari duhet të përpiqet të jetojë në shoqëri dhe për mirëqenien e saj. Ekzistojnë versete kuranore të shumtë dhe hadithe të Pejgamberit s.a.v.s. të cilët na nxisin për jetë dhe punë në xhemat, komunitet dhe për shumicën e besimtarëve. Kjo është e njohur mirë. Mirëpo, si të jetohet në xhemat, si t’i përgjigjemi këtij obligimi të rëndësishëm për të realizuar begati të shumta të garantuara për jetën dhe punën në xhemat, shumica prej nesh këtë e nuk e dinë. Por, sikur edhe për çdo problem tjetër, i kthehemi Kuranit dhe hadithit të saktë të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s. do të gjejmë përgjigje edhe në këtë çështje.

Një prej tregimeve të Kuranit i cili në mënyrë të bukur na shpjegon sesi të organizojmë komunitet të fortë dhe si t’i rregullojmë marrëdhëniet tona me të, është edhe tregimi për Sulejmanin a.s. Allahu i madhërishëm e përmend në kaptinën en-Neml. Të njihemi me këtë rrëfim, të kuptojmë obligimet e imamit dhe xhematlinjëve dhe lutemi Allahut të madhërishëm të na ndihmojë në praktikimin e të njëjtave.

 

Dituria e vërtetë – Pika e parë e organizimit të suksesshëm të xhematit

 

            Allahu i madhërishëm thotë:

            “Ne i patëm dhënë Davudit dhe Sulejmanit dituri, e ata të dy thanë: “I falënderohemi vetëm All-llahut që na dalloi (me të mira) mbi shumë robër të Tij besimtarë.”

(En – Neml, 15)

Verseti fisnik qartë tregon për vlerën e diturisë dhe të diturve mbi tjerët.

Dituria e Sheriatit është një prej begative më të mëdha të Allahut. Me të Allahu në veçanti dallon robërit e Vet të caktuar mbi tjerët, si thotë në versetin në vijim:

“O ju që besuat, kur t’ju thuhet: zgjerohuni (bëni vend) në vend ndeje, zgjerohuni, se All-llahu bën zgjerim për ju, e kur t’ju thuhet: ngrihuni! Atëherë ju ngrihuni, All-llahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. All-llahu është i njohur mirë me atë që punoni.”

(El – Muxhadele, 11)

Për këtë Allahu i madhërishëm në versetin e kaptinës en-Neml diturinë (ilm) e ka përmendur në formën e papërcaktuar ilmen për çfarë dëshiron të tregojë në madhështinë e begatisë se diturisë, andaj për këtë përkthehet: Ne i patëm dhënë dituri dhe këtë çfarë diturie.

Verseti fisnik gjithashtu qartë tregon se atë që Allahu i madhërishëm e nderon me këtë dituri të Tij, i ka dhënë begatinë më të madhe – diturinë e sheriatit, duhet të jetë falënderues ndaj Allahut për këtë begati duhet ta falënderojë Zotin dhe duhet të jetë i vetëdijshëm se ai kurrsesi nuk mund të dallohet nga robërit tjerë të Allahut, sikur Allahu i madhërishëm mos ta nderonte me dituri, ai këtë asnjëherë nuk do ta arrinte me mundin dhe inteligjencën e tij. Për këtë personi i ditur duhet të jetë modest, i përulur, dhe jo të ngritet mbi robërit e Allahut, por vetëm me sinqeritetin dhe modestinë e tij me këtë dituri të sheriatit duhet të kërkojë krenari dhe madhështi te Allahu i madhërishëm.

Malik b. Dinari ka thënë: “Nëse njeriu kërkon dituri për hir të Allahut, kjo dituri do ta bëjë modest dhe të përulur, por nëse e kërkon për diç tjetër, kjo dituri do t’ia rrit mëkatet dhe kryelartësinë.” (Edh-Dhehebi, Sijeru e’alamin-Nubela, 5/362)

Edh-Dhehebiu ka thënë: “Kush kërkon dituri për ahiretin (Allahun), kjo dituri do ta bëjë modest dhe të përulur, përplot frikërespekt ndaj Allahut.” (Edh-Dhehebi, El-Kebair, 79)

Pra, secili i ditur duhet të dijë që burim i diturisë është Allahu i madhërishëm, për këtë duhet ta falënderojë Atë dhe diturinë ta shfrytëzojë për atë që Allahu i madhërishëm është i kënaqur.

 

Lërja e diturisë në trashëgim

 

            Allahu i madhërishëm thotë:

            “E Sulejmani e trashëgoi Davudin dhe tha: “O njerëz, ne kuptojmë gjuhën e shpendëve e na është dhuruar nga gjithçka, e vërtet ky është shpërblim i qartë.”

(En – Neml, 16)

Pas vdekjes së babait, Davudit a.s., Sulejmani a.s. e trashëgoi në pejgamberi dhe pushtet. Në versetin fisnik nuk është fjala për trashëgimin e pasurisë, por për trashëgimin e fesë dhe pejgamberisë, ngjajshëm siç ka thënë edhe i Dërguari i Allahut, s.a.v.s.: “Dijetarët janë trashëgimtarët e pejgamberëve!” (Tirmidhiu, 2682)

Sikur të ishte fjala për trashëgiminë klasike të pasurisë, për çfarë Sulejmani a.s. do të ishte i ndarë nga fëmijët tjerë të Davudit a.s.? Ndërsa vërtetimi më i madh se ka të bëjë më fenë dhe pejgamberinë janë fjalët e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s.: “Ne nuk trashëgohemi! Ajo që mbetet pas nesh (pasuria), kjo është sadaka (tjerëve)!” (Buhariu, 3711, Muslimi, 1758)

Ky verset kuranor flet për atë që ne si prindër do të duhej që t’u lëmë fëmijëve tanë në trashëgimi d.m.th. që fëmijët tanë gjatë kohës së jetës së tyre t’i mësojmë dhe aftësojmë që ata të jenë trashëgimtarët tanë në çdo gjë pas vdekjes sonë. Përkujtojmë versetin kuranor:

“E Sulejmani e trashëgoi Davudin dhe tha: “O njerëz, ne kuptojmë gjuhën e shpendëve e na është dhuruar nga gjithçka, e vërtet ky është shpërblim i qartë.”

(En – Neml, 16)

Në këtë verset kuranor këshillohemi që të gjitha begatitë e Allahut duhet t’i pranojmë dhe t’u tregojmë edhe tjerëve për ato, pa imagjinatë, pa u ngritur dhe pa mendjemadhësi ndaj tjerëve siç ka thënë Pejgamberi s.a.v.s.: “Unë jam paraprijës i bijve të Ademit dhe nuk lavdërohem!” (Tirmidhiu, 3148)

Për këtë, tjerëve duhet t’u flasim për begatitë e Allahut, ngase edhe tjerët kryesisht i posedojnë por nuk i njohin dhe nuk i vërejnë. Kjo në veçanti ka të bëjë me atë që ka pasur jetë të shthurur, larg nga bindja ndaj Allahut, kur Allahu i madhërishëm me mëshirën e Tij e ka udhëzuar në rrugë të Vërtetë, pra ai tjerëve duhet t’u flet për këtë begati të jashtëzakonshme të Allahut ndaj tij, në mënyrë që tjerët të marrin mësim nga jeta e tij. E gjithë kjo hyn në falënderim ndaj Allahut për begatitë e Tij siç thotë Allahu i madhërishëm:

            “E me të mirat që t’i dha Zoti yt, trego (udhëzo njerëz)!”

(Ed – Duha, 11)

Mesazhet e këtij verseti kuranor janë:

– Pas shkuarjes së imamit të aftë e të ditur, në vendin e tij duhet të vijë i ngjajshëm me të;

– Imami, udhëheqësi duhet të përzihet me xhematlinjët e vet, t’u drejtohet atyre dhe kohë pas kohe t’u raportojë atyre;

– Imami, udhëheqësi, kryetari, duhet t’u shpjegojë xhematlinjëve të tij për prejardhjen e të mirave që i posedon që në xhemat mos të përhapen dyshimet.

 

Mbikëqyrja dhe përcjellja e gjendjes së secilit individ në xhemat

 

Allahu i madhërishëm thotë:

            “E Sulejmanit i ishte tubuar ushtria e vet që përbëhej nga exhinët, nga njerëzit dhe nga shpendët dhe ata mbanin rendin.”

(En – Neml, 17)

 

            Para Sulejmanit a.s. u mblodhën ushtritë e tij të renditura në çeta. Secila çetë e kishte prijësin, udhëheqësin i cili kujdesej për ushtarët e vet, për të cilët ishte i obliguar. I kishte vendosur në vendet e tyre dhe i shikonte gjatë inspektimit. Askush nuk qëndronte në vendin e tjetrit. Secili e dinte vendin e vet dhe për të duhej të mbahej. Në mesin e rreshtave nuk kishte çrregullim, shkapërderdhje apo anarki.

Këso sjellje duhet të dominojnë edhe në mesin e vetë muslimanëve. Duhet të dinë vendin e tyre në xhemat, punën e tyre, detyrimin e vet, të drejtat e tyre dhe obligimet e veta dhe të gjitha këtyre duhet përmbajtur. Këto vende dhe role duhet të renditen varësisht nga aftësitë dhe mundësitë dhe askush nuk duhet ta marrë vendin apo rolin e tjetrit, ngase nuk është meritor. Që xhemati ynë dhe puna e xhematit për islam të jetë e bereqetshme në këtë mënyrë duhet të sillemi, duke mbajtur rendin dhe disiplinën. Imami dhe këshilli i xhematit (shura) duhet më së tepërmi të ketë kujdes për punën dhe disiplinën në xhemat.

Nga mesazhi i këtij verseti kuranor është sa vijon:

– Kryetari nuk mund t’i kontrollojë gjithë anëtarët, por kujdesin për të gjithë duhet lënë kryetarëve të xhemateve lokale, e pastaj kohë pas kohe të ketë takim me këta duke dëgjuar raportet  e tyre dhe dhënien e vërejtjeve;

– Poashtu, kryetari nuk duhet të lakmojë dhe të kërkojë që ai të pyetet për çdo gjë, por edhe tjerëve t’u jep rol në fushën e aftësive të tyre.

 

Individi është përgjegjës për mirëqenien e bashkësisë

 

Allahu i madhërishëm thotë:

            “Deri atëherë kur arritën mbi luginën e buburrecave, një buburrec tha: “O ju buburreca, hyni në vendet tuaja që të mos u copëtojë Sulejmani dhe ushtria e tij duke mos ju vërejtur”.

            E ai (Sulejmani) buzëqeshi i gëzuar prej fjalës së tij dhe tha: “Zoti im, më mundëso që t’i falënderoj të mirat Tuaja që m’i dhurove mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira që Ti i pëlqen, e me mëshirën Tënde më fut në mesin e robërve Tuaj të mirë!”

(En – Neml, 18-19)

Në fjalët: “O bubrreca, hyni në vendet tuaja që të mos u coptojë Sulejmani dhe ushtria e tij duke mos ju vërejtur”, gjejmë brengën për për xhematin, bashkësinë, duke konsideruar veten si anëtar i bashkësisë, pjesë të xhematit, e jo udhëheqës, imam, i cili kujdeset për vetveten, e jo edhe për xhematin e tij. Kjo milingonë ka mundur vetë të shpëtojë, ta largojë në vend të sigurt veten edhe të afërmit e saj, por nuk e bëri këtë, te ajo punoi vetëdija për xhematin, brenga për komunitetin ku ka banuar, dhe u nis t’i shpëtojë, pra mu atë që i dëshiron edhe vetit.

Njëjtë duhet të sillen edhe muslimanët, posaqërisht ata që janë në pozita dhe vende përgjegjëse, e sidomos nëse u është besuar brenga për muslimanët. Ashtu siç vetit dhe të afërmëve të vet i dëshirojnë dobi dhe të mirë, njëjtë ashtu edhe xhematlinjëve duhet t’u dëshirojnë dobi dhe të mira. Ashtu siç dëshirojnë të shpëtojmë nga e keqja ata vetë, shpëtim nga e keqja duhet kërkuar edhe për xhematlinjët e vetë. Kështu duhet të sillet secili musliman, duhet të konsiderohet si pjesë e xhematit, komunitetit në të cilin jeton. Kjo këshillohet për çdo musliman e sidmos atyre që kanë pushtet të caktuar dhe obligime ndaj muslimanëve tjerë.

Pastaj, përsëri në verset gjejmë në obligimin e falënderimit ndaj Allahut në begatitë e Tij dhe ndihmën e Allahut në çdo gjë, që Ai i Lartësuari të na bëjë falënderues, ngase falënderues ka pak. Duhet t’i lutemi Atij që të na ndihmojë që begatitë e përmendura t’i shfrytëzojmë për kryerjen e veprave të mira, të na dhurojë shoqërinë e njerëzve të Tij të mirë në dynja dhe ahiret, dhe të na dhurojë mëshirën e Vet.

Asgjë nga të përmendurat ne nuk mund t’i arrijmë pa mëshirën e Allahut.

 

Këshillimi dhe korrigjimi i gabimeve

 

Allahu i madhërishëm thotë:

            “Dhe vështroi shpendët e tha: “Ç’është që nuk e shoh pupëzën? Jo, ajo nuk qenka këtu!”

            Unë do ta dënoj atë me një dënim të ashpër ose do ta therë ose ka për të më sjellë ndonjë argument të fortë (si arsyetim).”

(En – Neml, 20-21)

Sulejmani a.s. e bëri inspektimin e shpendëve për t’u njohur me gjendjen e tyre, doli para tyre për të parë çfarë të reja ka. Dhe kur Sulejmani a.s. e bëri këtë me shpendët, njerëzit më afër duhet ta bëjnë njëri me tjetrin, gjegjësisht imami i xhematit, komunitetit duhet të vështrojë gjendjen e xhematlinjëve të vet, të takohet me ata, të përcjellë përparimin e tyre, etj. Poashtu prindërit duhet të ulen me fëmijët e tyre, të bisedojnë me ata, të hulumtojnë gjendjen e tyre. Të gjithë që kanë pozita të caktuara dhe obligime ndaj tjerëve, duhet kështu të veprojnë. Pastaj në gjithë këtë, përgjegjësit nuk duhet ta anashkalojnë, përulin dhe hudhin askënd. Shikoni sesi Sulejmani a.s. për hud-hudin (pupëzën) edhe pse zog i vogël, ka pasur kujdes dhe ka pyetur çfarë është me të, përse nuk është prezent.

Allahu e pastë mëshiruar Omer b. Hattabin r.a. i cili ka thënë: “Sikur delja diku në Irak ta thyente këmbën, për shkak se rruga nuk ka qenë e rrafshuar, Omeri për këtë do të ishte përgjegjës.” Apo ka thënë: “Sikur ujku ta hante delen në brigjet e Eufratit, Omeri do të pyetet për të.”

Atëherë, ne sa duhet të kujdesemi për vëllezërit muslimanë, për xhematlinjët tanë sidomos të rinjët, të cilët janë më të përafërt që t’u afrohet përkrahja, fjala e mirë, trimëria, etj.

Pastaj, shiko si Sulejmani a.s. pyet: “Ç’është që nuk e shoh pupëzën? Jo, ajo nuk qenka këtu.” D.m.th. (si thotë Ibn Kethiri): A po më gënjejnë sytë, apo mëkatet e mia nuk më lejojnë ta shoh se ajo është këtu apo mungon. Ky verset kuranor shpjegon principin e përmirësimit të gabimeve që i vërejmë tek tjerët, së pari duhet të hulumtojmë vetveten a thua ne gabojmë, e pastaj të vërtetojmë gabimin tek tjerët.

Pastaj thotë: “Unë do ta dënoj atë me një dënim ashpër ose do ta therr ose ka për të më sjellur ndonjë argument të fortë (si arsyetim).”

Edhe në verset kuptojmë që nuk duhet të sjellim vendim ndaj tjerëve në mënyrë të veçantë përderisa nuk i dëgjojmë. Është e mundur që argumenti është në anën e tyre apo për veprimin e tyre kanë arsyetim. Pra, ana tjetër duhët të dëgjohet. Për këtë, Allahu i madhërishëm e përmend bisedën e Sulejmanit a.s. me hud-hudin. Allahu i madhërishëm thotë:

            “Ajo nuk zgjati shumë e tha: “Unë kuptova atë që ti nuk je i njohur dhe të erdha nga Sebei me një lajm të sigurt.”

(En – Neml, 22)

Mesazhi i këtij verseti është sa vijon:

– Secili, qoftë edhe anëtari më i ri i xhematit mund t’i shërbejë xhematit vetë;

– Duhet dhënë përparësi xhematit mbi dobinë personale;

Në verset shpjegohet se hud-hudi u vonua fare pak: “Ajo nuk zgjati shumë dhe erdhi.” A thua këtij nuk duhet kërkuar më shumë arsyetim?! Gjithsesi. Pastaj i tha Sulejmanit a.s.: “Unë kuptova atë që ti nuk je i njohur.” Allahu ekber! Kujt hud-hudi i tha këto fjalë? I tha Pejgamberit të Allahut i cili për vete tha: “Ne kuptojmë gjuhën e shpendëve e na është dhuruar nga gjithçka!” Këtij Sulejmani hud-hudi i tha: “Unë di diç që ti nuk di!”

Me këto fjalë, Allahu i madhërishëm, i tregoi Sulejmanit a.s. se një krijesë e vogël sikurse hud-hudi mund të dijë atë që ai nuk di. Në këtë ka mësim për ne, sesa do që të kemi dituri, duhet dëgjuar edhe tjerët, e jo të kryelartësohemi me diturinë që kemi arritur se kjo është begati e Allahut, andaj kudo që dëgjojmë të vërtetën ta pranojmë. E vërteta nuk njihet sipas njerëzve, por njerëzit njihen sipas së vërtetës! Duhet ditur që sado që kemi dituri, ekziston dikush më i ditur siç thotë Allahu i madhërishëm:

            “Atë që duam Ne e lartësojmë shumë në dituri, e mbi secilin të dijshëm ka edhe më të dijshëm.”

(Jusuf, 76)

Paraardhësit tanë nëse takonin dikënd më të ditur se veten, kanë kërkuar dituri nga ai. Nëse kanë takuar ata që kanë pasur dituri më pak se ata, atëherë diturinë e tyre e kanë transmetuar tek ata, e nëse kanë takuar dikënd të barabartë me dituri si ata, atëherë kanë shkëmbyer mendime dhe kanë përsëritur diturinë që u ka dhënë Allahu.

Veprimi i tyre e arsyeton dhe vërteton atë që Allahu i madhërishëm rekomandon me këtë verset, e kjo është që njeriu në këshillim me tjerët, në shkëmbim të mendimeve me tjerët, duke dëgjuar këshillat e largon nga vetja vetëpëlqimin dhe mendjemadhësinë.     Për këtë, paraardhësit tanë kanë thënë: “Sado që ke dituri, përvojë, inteligjencë dhe mendjemprehtësi, njeriu duhet të këshillohet me tjerët, në mënyrë që mendimin e vet ta pastrojë nga imagjinata dhe kryelartësia . . .”

Me fjalët e përmendura hud-hudi e fitoi vëmendjen e veçantë të Sulejmanit a.s., ngase hud-hudi di diç që pejgamberi Sulejman a.s. nuk di. Ndodh që ne të jemi injorant më të mëdhenj se ai që vie të na ligjërojë, por ne as nuk e dëgjojmë dhe as nuk kemi edeb ndaj tij.

 

Dobitë e sundimit dhe udhëheqjes së Sulejmanit a.s.

 

– Imami, udhëheqësi i xhematit, kryetari i familjes duhet të jetë i ditur para se gjithash në fe e pastaj në lëmitë tjera shkencore;

– Kur vendoset si udhëheqës i xhematit së pari duhet ta përgatit përgjigjen ndaj Allahut të madhërishëm për veprimet e tij e pastaj ndaj xhematit në vendin ku vie. Kjo është begati nga Allahu;

– Imami i xhematit, kryepari i familjes, duhet të jetë modest, i përulur dhe rob falënderues ndaj Allahut;

– Imami, udhëheqësi i xhematit, komunitetit, kryepari i familjes duhet ta përcjellë gjendjen e xhematlinjëve të vet, anëtarëve të familjes, të takohet me ata për t’i dëgjuar dhe biseduar me ata;

– Për punë efektive në xhemat, xhematlinjët duhet të ndahen në grupe të punës;

– Puna dhe disiplina janë njëri nga shkaset e rëndësishme të punës së suksesshme të xhematit dhe në këto duhet vërë theksin;

– Secili anëtar i xhematit duhet të ndihet i rëndësishëm dhe duhet të jep kontribut në ndërtimin e xhematit;

– Imami së bashku me xhematlinjët merr pjesë në aksione;

– Duhet të jetë i vendosur për përmirësimin e gjendjes së xhematit të vet, qoftë edhe nëse duhet përdorur masat represive e ndonjëherë edhe qëndrimeve të ashpëra;

– Imami duhet të përpiqet të përmirësojë secilin anëtar të xhematit, nëse është për të mirë ta forcojë, e jo ta hudh, e sidomos në kohën dhe rrethanat tona;

– Në të gjitha të përmendurat imami, kryetari, udhëheqësi duhet të kërkojë ndihmë dhe mëshirë nga Allahu i madhërishëm.

Lutemi Allahut të madhërishëm që të na mbështesë në çdo të mirë dhe të na ruajë nga çdo e keqe. Tërë falënderimi i takon vetëm Allahut xh.sh., salavati dhe selami qoftë mbi Muhammedin a.s., familjen e tij dhe gjithë sahabët!

Prof. Hajredin Ahmetoviq

 

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi