REZULTATET POZITIVE TË ISTIGFARIT

Ebu Seid Hudriu, r.a., transmeton që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë:

“Shejtani i thotë Allahut: ‘Pasha madhërinë dhe lartësinë Tënde, unë do t’i mashtroj njerëzit derisa i kanë shpirtrat në trup’. Ndërsa Allahu i thotë: ‘Pasha madhërinë dhe lartësinë Time, Unë do t’i falë pandërprerë derisa të më luten për falje’.” (Ahmedi)

Dhe jo vetëm kaq, por Allahu për shkak të mirësisë, fisnikërisë, mëshirës, bamirësisë, pas pendimit të sinqertë, veprat e këqija i kthen në vepra të mira siç tregon ajeti:

            “Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve All-llahu të këqijat ua shndërron në të mira. All-llahu është mëshirues, ndaj Ai falë shumë.

(El – Furkan, 70)

Mirëpo, besimtari nuk duhet lehtë të sillet ndaj mëkateve për faktin se Allahu falë mëkatet, sepse Allahu është për ata që sinqerisht pendohen për mëkate. Në këtë kuptim tregon edhe ajeti:

            “Zoti juaj e di më së miri atë që keni në shpirtin tuaj. Nëse keni qëllime të mira, vërtet Ai u fal atyre që pendohen.

(El – Israë, 25)

Si dhe ajeti:

            “Nuk ka dyshim se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqëndrohet për në rrugën e drejtë.

(Ta Ha, 82)

Kur besimtari di që Allahu i falë mëkatet, gjithashtu duhet të di që Allahu rekomandon që të përpiqet që të bëjë sa më shumë vepra të mira të cilat fshijnë mëkatet, të bëjë sa më tepër istigfar dhe t’i lutet Allahut për faljen e mëkateve, sepse istigfari (kërkimfalja) është rrugë e robërve të zgjedhur të Allahut.

 

 

ISTIGFARI ËSHTË RRUGË E ROBËRVE TË ZGJEDHUR TË ALLAHUT

 

            Istigfar është kërkimfalje dhe magfiret nga Allahu dhe simbolizon balsam me të cilin njeriu shërohet nga helmet dhe sëmundjet e mëkateve.

Në gjuhën arabe për përkrenaren (helmetën) dhe pancirin të cilin e vendos ushtari përdoret termi “el-migfer”, që d.m.th. mbrojtje nga shpata, shtiza apo plumbi në luftë.

Ndërsa ne jemi në luftë të përhershme me shejtanin dhe pasionet e nefsit, kështu istigfari është mburoja më e mirë.

Hasan Basriu, r.a., ka thënë: “Bëni shumë istigfar në shtëpitë tuaja, rrugëve, tregjeve, në ndeja, sepse ju nuk dini kur Allahu do ta zbritë magfiretin dhe faljen.”

Aisha, r.a., ka thënë: “I lumi ai në librin e të cilit ka shumë istigfar.”

Kur mëkatari, e gjithë jemi mëkatarë, qëndron para Zotit në namaz, e sidomos në namazin e natës dhe e thërret Zotin pas mëkateve të bëra të cilat i krijojnë dhembje dhe ngushllëk në gjoks, nuk e lënë të qetë, pasi që kupton se nuk ka shpëtim dhe strehim nga ky ngushllëk pos te Allahu dhe i lutet Atij me përulje, i bindur që vetëm Allahu është Ai i Cili i falë mëkatet, duke thënë: “O Allah i dashur, unë jam mëkatar, bëj mëkate ndaj Teje dhe zullum ndaj vetit, shejtani dhe nefsi im më kanë mashtruar, por unë kam uzda (besim) në madhërinë, mëshirën dhe mirësinë Tënde, jam kthyer te Ti i penduar duke kërkuar falje për mëkatet e mia, andaj më fal mëkatet e mia dhe mbi mbulo turpet e mia, sepse unë e di që përveç Teje askush nuk i falë mëkatet”, shpejtë do t’i ndiejë (përjetojë) frytet e istigfarit të tij, do ta ndiejë mëshirën e Allahut, sepse Allahu pas pendimit nuk shikon çfarë ka qenë më parë, sa mëkate ka bërë njeriu, por i gëzohet teubes (pendimit) të robit, dhe i hap dyert e qiellit që fjalët e lutjes së tij të ngriten deri në qiellin e shtatë për t’i pranuar Ai, e pastaj u thotë melekëve: “O melekët e Mi, robi Im di që ka Zot i Cili dënon për mëkate, por edhe është falës i mëkateve, andaj bëhuni dëshmitarë se e fala.”

Ndoshta ai njeri ka 40, 50 apo 60 vjet por Allahu për një moment të teubes së sinqertë dhe pendimit ia falë të gjitha mëkatet pas së cilës shejtani hudh dhe mbi kokën e tij duke u pikëlluar dhe duke thënë: “I mjeri unë, e kam lajthitur 40 apo 50 vjet, ndërsa iu falën mëkatet për një moment.”

 

 

VEPRAT QË JANË SHKAS I FALJES SË MËKATEVE

 

            Ka shumë vepra të mira që janë shkas i magfiretit dhe faljes së Allahut, e në këto vepra pos istigfarit gjithsesi bën pjesë edhe lutja (duaja).

Lutja me përulësi dhe përkushtim është shenjë e pendimit të sinqertë, sepse Allahu nuk do më shumë se zërin e ulët dhe të përulur të mëkatarit se sa tesbihin dhe dhikrin me zë të lartë.

Pastaj, mirësia ndaj prindërve. Imam Buhariu në veprën e tij “Edebul mufred” shënon transmetimin nga Ata’ ibn Jesar, në të cilin përmendet që një djalë erdhi te Abdullah ibn Abbasi, r.a., dhe i tha: “Unë e kërkova dorën e një vajze që e dashuroja, por ajo u martua me një tjetër. Xhelozia më kaploi dhe unë e mbyta. A ka për mua pendim?” Ibn Abbasi, r.a., e pyeti: “A ke nënë?” “Jo”, u përgjigj. Pastaj i tha: “Pendohu te Allahu dhe bën shumë vepra të mira, ndoshta Allahu do të falë.” Kur shkoi djaloshi, Ata’ ibn Jesari e pyeti Ibn Abbasin: “Përse e pyete se a ka nënë?”, ndërsa ai i tha: “Pasha Allahun, unë nuk di vepër e cila më shumë ofron te Allahu se sa bamirësia ndaj nënës.”

Pastaj, veprat që janë shkas i faljes së mëkateve nga Allahu janë mendimi i mirë për myslimanët, pastërtia e zemrës dhe falja e atij që të ka bërë keq.

Transmetohet që Abdullah ibn Mes’udi, r.a., njëherë kishte shkuar në treg për të shitur mallin e tij dhe një hajdut ia vodhi të hollat nga turbani. Njerëzit i thanë: “Lutu kundër tij pasi t’i vodhi të hollat.” Ibn Mes’udi e bëri këtë lutje: “O Allah i dashur, nëse nevoja e ka shtyrë që t’i marrë të hollat e mia, jepi bereqet në këtë, e nëse i ka vjedhur të hollat e mia pa pasur nevojë, bëje që ky të jetë mëkati i fundit.” (Ihja ulumid-din, III/196)

Omer ibn Abdulazizi thoshte: “Për Allahun, më të dashura janë tri vepra apo tri gjëra: falja në mundësinë e dënimit, mesatarja në pasuri dhe butësia apo mesatarja në ibadet. Askush nuk do tregojë butësi ndaj dikujt në dynja e që Allahu nuk do të jetë i butë ndaj tij në Ahiret.”

Pastaj, mbulesa e turpeve të tjerëve. Pasi që magfireti në vete përbën mbulesën e mëkateve dhe turpeve. Njëra prej lutjeve të Davudit, a.s., ka qenë: “O Allahu im, kërkoj mbrojtje nga Ti prej fqiut të keq, sytë e të cilit më shikojnë, veshët e të cilit më dëgjojnë, i cili kur e sheh të mirën tek unë e fsheh, por kur sheh diç të keqe e përhap.” (Imam Taberaniu, Mu’xhemul-evsat, hadithi nr. 6180)

Është pyetur Ebu Temim el-Huxhejmi: “Si ke gdhirë?” U përgjigj: “Jam gdhirë me dy begati dhe nuk di cila prej tyre është më e mirë. Allahu mi ka mbuluar turpet dhe nuk frikësohem që dikush për shkak të këtyre turpeve do të më bëjë me gisht, dhe më bëri që njerëzit të tregojnë dashurinë ndaj meje të cilën nuk e kam merituar me veprat e mia, por me mirësinë e Zotit të botëve.” (Shuabul-iman, 6/288)

Lutemi Allahut, Atij që Veten e ka quajtur El-Gafir, El-Gafur dhe El-Gaffar, që të na falë mëkatet dhe mbulojë turpet tona në dynja dhe në Ahiret, që të na mbulojë me magfiretin dhe faljen e Tij në ditën e Gjykimit dhe neve dhe familjat tona të na gëzojë me shpërblimin e përhershëm në Xhenet.

 

Amin

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi