SI E KAM PASTRUAR ZEMRËN TIME NGA KEQDASHJA DHE KEQBËRJA, ZILIA DHE URREJTJA

Një mik imi i mirë më tregoi: “Me mirësinë e Allahut, që kur di për vete asnjëherë nuk kam fjetur e që zemrën time nuk e kam pastruar nga keqdashja, keqbërja, zilia dhe urrejtja ndaj cilido myslimani. Këtë e kam arritur në mënyrë të thjeshtë, duke marrë abdes dhe falur dy rekate namaz, dhe i jam lutur Allahut, xh.sh., për atë që ka gabuar ndaj meje ose ndaj atij që kam gabuar, që t’i jep të mira në dynja dhe ahiret, ashtu siç dëshiroj për vete.”

Udhërrëfyes i kësaj ka qenë hadithi në të cilin Pejgamberi, s.a.v.s., ka dëshmuar se ai i cili e pastron zemrën e tij nga keqdashja dhe keqbërja ndaj njerëzve, do të hyjë në Xhenet.

Në realitet, këtë hadith të cilin e transmeton Enes ibn Maliku, r.a., flet për njeriun të cilin Pejgamberi, s.a.v.s., tri herë në tri ditë të ndryshme ka dëshmuar se është xhenetli.

Vëllezër të dashur, ju e dini që veprat i paraqiten Allahut, xh.sh., çdo të hëne dhe të enjte, dhe Allahu i falë myslimanët që nuk i përshkruajnë shok Atij, pos atë që është përlarë me vëllezërit e tij.

Transmeton Ebu Hurejre, r.a., që Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë: “Çdo të hëne dhe të enjte hapen dyert e Xhenetit dhe Allahu, xh.sh., e falë çdo mysliman i cili nuk i përshkruan shok Atij, pos njeriut që është përlarë me vëllezërit e vet. Atyre nuk u falet derisa nuk pajtohen.” Dhe këtë e përsëriti tri herë. (Muslimi)

O Allahu ynë, frymëzoji shpirtrat tanë me mirësi dhe na dhuro zemra të pastërta.

 

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi