SI TA DISH QË JE KRYELARTË (MENDJEMADH)

Ahmed esh-Shukajri

 

            Problemi më i madh me sëmundjen e zemrës që quhet kryelartësi (kibr) qëndron në atë që kjo sëmundje është e fshehur dhe janë të rrallë ata që e ndiejnë. Dhe sikur ta pyesni cilindo njeri: – “A je kryelartë?!” – jam i bindur që shumica e njerëzve pa u përmbajtur dhe pa u luhatur do të përgjigjen: – “Jo, nuk jam kryelartë.”

Por, a thua këto vlerësime janë të sakta?

Në vazhdim, në formë të pyetjeve do të përmendim disa karakteristika të njerëzve kryelartë dhe nëse përgjigjja yte në këto pyetje është vërtetuese, dije që tek ti ekziston kryelartësia e fshehtë të cilën duhet ta shërosh sa më shpejtë.

  1. Kur je i ekspozuar ndaj kritikës nga ana e një personi, a hidhërohesh, apo ndien pakënaqësi, apo menjëherë përpiqesh të mbrohesh me të gjitha mjetet?
  2. A i ndërhyn në fjalë dhe e ndërpren bashkëfolësin nëse nuk të pëlqen të folurit e tij apo një pjesë e të folurit?
  3. A ndien shqetësim dhe një lloj frike të caktuar kur gjendesh para personit i cili është në pozitë më të lartë se ti në firmën ku punon dhe ndaj një personi që është më i famshëm se ti?
  4. A ndien frikë ta paraqesësh mendimin tënd para njerëzve nga frika që nuk do të pajtohen me ty?
  5. A më shumë flet sesa dëgjon (kur tjerët flasin)?
  6. A thua sjellja yte ndaj drejtorit (shefit) tënd është diametralisht e kundërt me sjelljen tënde ndaj atyre që janë më ulët të ranguar në punë dhe a thua ndaj njerëzve sillesh në bazë të pozitave të tyre e jo në bazë të principit të barazisë në mes njerëzve?
  7. A thua gjatë polemizimit me tjerët gjërat i merr shumë personale?
  8. A hidhërohesh apo ndien tendosje nëse njerëzit nuk të përkrahin dhe nëse nuk pajtohen me mendimin tënd?
  9. A shpreson gjithmonë që të dëgjosh lëvdata nga njerëzit dhe përpiqesh që njerëzit të lavdërojnë?
  10. A thua veten vazhdimisht e krahason me tjerët dhe ndien kënaqësi dhe gëzim nëse ky krahasim ka të bëjë me dikënd që është në pozitë më të ulët se ti, ndërsa ndien pakënaqësi nëse ky krahasim ka të bëjë me dikënd i cili në çdo pikëpamje është më i mirë se ti?

Nëse do të vijë më lehtë do të them se unë jam i pari që kam rënë në këtë provim. Pas këtij provimi, kam zbuluar që çështja e kryelartësisë është një çështje shumë delikate.

Të vërtetën e ka treguar i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., kur ka thënë: “Nuk do të hyjë në xhenet ai që në zemrën e tij ka thërrmijë të kryelartësisë.”

 

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi