ZBULO PLANIN E ALLAHUT PËR TY, NDIHMOJI UMMETIT
Për pesë minuta e ulur në klasë isha e nervozuar me veten. Nuk kisha mësuar sa duhet dhe pas pak më fillonte provimi për nivelin tjetër të gjuhës arabe. Studioja në Kairo për të realizuar ëndrrën e mësimit të gjuhës arabe, përfundimisht për ta kuptuar gjuhën e Kuranit, por prapë isha e papërgatitur për provim.
Mësuesja ime e pa se isha e shqetësuar. Mu afrua dhe më pyeti: – A je mirë? A ke dhembje?
Isha e hutuar dhe kisha nevojë që dikush të më thoshte – ke durim, rruga e diturisë është e gjatë dhe e rëndë por ia vlen. Këtë mundohesha t’ia thosha vetit, por nuk shkonte.
Mësuesja thuajse i kuptoi mendimet e mia dhe mu drejtua: – A e di kush e ka shkruar gramatikën e gjuhës arabe?
– Jo, – i thashë duke lëvizur kokën.
– Sibevejhi, – tha ajo. E pastaj filloi të më tregojë për mjeshtrin e madh të gramatikës së gjuhës arabe, Sibevejhin, Allahu e pastë mëshiruar.
– Ai nuk ka qenë arab, por persian. Kur Sibevejhi fliste arabisht, njerëzit e përqeshnin. Andaj, u betua që do ta shkruajë librin e gramatikës arabe. Ai kishte vetëbesim dhe Allahu i madhërishëm i dha sukses në atë që shkroi. Deri më tani gjatë gjithë këtyre shekujve askush as arab e as joarab nuk e ka shkruar gramatikën e gjuhës arabe sikurse Sibevejhi, mjeshtër i kësaj lëmie.
Por kur iu afrua vdekja, ai filloi të ndihej i pikëlluar dhe mendoi për shokët e tij.
Të gjithë njerëzit rreth tij e mësuan Kuranin përmendësh, tjerët i mësuan hadithet përmendësh. Ku është Kurani im? Ku është hadithi im? – qante ai. Në vend të kësaj ai mësoi vetëm gramatikën arabe dhe rregullat e saj.
Shkoi për të fjetur i shqetësuar dhe tejet i mërzitur. Atë natë pa ëndërr Pejgamberin e dashur, s.a.v.s., i cili e përgëzoi për mundin e tij. Sibevejhi u zgjua duke kuptuar sa e rëndësishme paska qenë puna e tij, ngase ajo ishte mjet që u ndihmonte njerëzve që ta dinë dhe kuptojnë Kuranin dhe hadithin.
Deri më sot ky libër vazhdon t’u ndihmojë njerëzve për ta kuptuar Kuranin dhe hadithin.
Ky nuk ishte arab. Nuk mund ta bëjë çdo kush, ngase nevojitet punë dhe mund i cili vlen.
Nëse Sibevejhi, joarab ka mundur ta shkruajë librin e gramatikës arabe, atëherë ç’është me ju që keni talent që u ka dhënë Allahu i madhërishëm? Shikoni dhe mendoni për atë që u është dhënë për ummetin dhe xhematin tuaj.
Ta bëjmë atë që bëri Pejgamberi s.a.v.s. për të ndërtuar gjeneratën më të mirë që ndonjëherë ka hapëruar në sipërfaqen e tokës. T’i gjejmë talentët brenda secilit individ, brenda vetë nesh dhe t’i marrim duke i shfrytëzuar ata në emër të Allahut në mënyrë që të përparojmë ummetin.
Ti i nevojitesh këtij ummeti!
Kjo nuk duhet të jetë vetëm gjuha arabe, Kurani apo hadithi. Kjo mund të jetë çdo gjë e dobishme që u bën dobi tjerëve.
Do të jetë kjo përpjekje frytdhënëse. Por siç më ka thënë njëherë mësuesi im i dashur: “Bëhu i durueshëm, ngase vërtet durimi është dritë nga Allahu. Mos harro, zbulo planin e Allahut për ty, ndihmoji ummetit.”
Merjem Amirebrahimi
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi