NJIHE VETEN: A JE MIZË APO BLETË!

Njëherë e pyetën plakun e urtë:

– Ju vazhdimisht flisni që të mendojmë pozitivisht . . . Dëshirojmë që të na këshillosh se si të ballafaqohemi me problemin në vijim. Shpesh na vinë njerëz që flasin keq për tjerët. Thonë që gënjejnë, konsumojnë alkool dhe janë të përzier në veprime amorale. Bile ndonjëherë ofrojnë edhe disa argumente. Si t’u përgjigjemi?

Plaku i urtë tha:

– Nga përvoja di që njerëzit janë të ndarë në dy kategori. Kategoria e tretë nuk ekziston. Njerëzit i takojnë njërës apo tjetrës kategori. Të parët të përkujtojnë mizën. Karakteristika e mizës është që atë e tërheq papastërtia. P.sh. kur miza gjendet në kopshtin përplot lule me aromë të këndshme, ajo as nuk do ta vërejë, por do të ndalet në ndonjë papastërti. Do të fillojë të rrotullohet rreth e përqark dhe do ta ndiejë veten bukur në kutërbim. Nëse miza do të mund të fliste, e ju të kërkoni që në kopsht ta tregojë trëndafilin, do të përgjigjej: – Unë nuk di fare sesi duket trëndafili. Unë di të gjej plehra, toalet dhe ndyrësira. Pra, ekzistojnë njerëz që të përkujtojnë në mizën. Njerëzit që i takojnë kësaj kategorie janë mësuar të mendojnë negativisht dhe në jetë kërkojnë vetëm anët e këqija, duke anuluar dhe refuzuar prezencën e së mirës.

Kategoria e dytë janë ata që të përkujtojnë bletën, karakteristika e së cilës është gjithmonë të gjurmojë të ëmblën dhe të këndshmen, për të fluturar në këto. Sikur bleta të gjindej në dhomën përplot me papastërti me një sheqerkë në kënd, ajo do të anashkalonte tërë papastërtinë dhe do të fluturonte në sheqerkë. Sikur nga bleta të kërkoni t’u tregojë ku gjinden plehrat do të përgjigjej: – Nuk di. Mund të them vetëm ku gjinden lulet, ëmblësitë, mjalti dhe sheqeri. Ajo di vetëm për gjërat e mira të jetës, ndërsa të këqijat për të janë të panjohura. Kjo është kategoria e dytë e njerëzve që ka mendime pozitive dhe sheh vetëm anën e mirë të gjërave. Ata gjithmonë përpiqen që ta fshehin të keqen për t’i mbrojtur të afërmit, ndërsa përkundrazi njerëzit nga kategoria e parë përpiqen që të ekspozojnë të keqen dhe ta sjellin në sipërfaqe.