BUJARIA

Një njeri erdhi te Imam Husejni r.a. dhe i tha: – O nip i Pejgamberit a.s., kam huazuar njëmijë dinarë dhe nuk po mundem t’i kthej në afatin e caktuar. Nderi im është i rrezikuar. Mendova nëse kërkoj prej dikujt, ai duhet të jetë më i ndershëm dhe më zemërgjerë se tjerët. Por, në këtë qytet nuk di për dikënd me këto cilësi që mund të krahasohet me ty.

Imam Husejni iu përgjigj: – Do të ndihmoj, por do t’i bëj tri pyetje. Nëse përgjigjesh në një pyetje do ta paguaj një të tretën e borxhit tënd, nëse përgjigjesh në dy, do të paguaj dy të tretat, por nëse përgjigjesh në tri pyetjet, do ta paguaj tërë borxhin tënd.

Njeriu i tha: – O nip i Pejgamberit s.a.v.s. si mund të përgjigjem në pyetjet tua, kur ti rrjedh nga familja e cila është poseduese e diturisë?

Husejni r.a. iu përgjigj: – Gjyshi im thoshte se nga tjetri mund të presësh atë që ai di.

Njeriu tha: – Në rregull, ti di më mirë se unë. Do të përgjigjem në atë që di.

Imam Husejni r.a. filloi me pyetjet: – Çfarë është gjëja më e mirë për njeriun?

– Të besojë Allahun xh.sh.

– Cili është zbukurim për njeriun?

– Dituria me durim.

– Por, nëse nuk ka dituri?

– Aftësia me bujari.

– Nëse nuk e ka këtë?

– Varfëria e shoqëruar me durim dhe shpresë në Allahun xh.sh.

– Nëse nuk e ka këtë?

– Atëherë ai është sikurse dega e tharë e cila ka rënë nga pema dhe e përdor për ndezjen e zjarrit, ngase nuk mund të shfrytëzohet për asgjë tjetër.

Imam Husejni qeshi dhe i ofroi qesen me njëmijë dinarë dhe unazën si dhuratë duke i thënë: – Me para paguaje borxhin, ndërsa unazën shite dhe ndihmoje familjen tënde.

I mahnitur njeriu i tha: – Allahu xh.sh. e di më së miri kujt ia beson imametin.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËR ÇDO CIGARE DY REKATE

 

Erdhi një njeri te doktor Halid el-Xhubejri dhe e pyeti: “Doktor, i kam lënë të gjitha veprimet që shkaktojnë hidhërimin e Allahut, pos duhanit.”

Në këtë doktori iu përgjigj: “A dëshiron të pendohesh dhe vërtet ta lësh duhanin?”

Njeriu i tha: “Doktor, pasha Allahun, jam përpjekur në çdo mënyrë, nuk kam pasur sukses ta lë duhanin.”

Doktori i tha: “Pasi ta përfundosh cigaren, merr abdes, nëse ke, përsërite abdesin, e pastaj fali dy rekat nafile për Allahun xh.sh.”

Pas një kohe, ky njeri erdhi i buzëqeshur te mjeku. Mjeku e pyeti: “Përse po qesh kështu, o vëlla?”

Njeriu i tha: “Fillova të veproj sipas këshillës sate. Në fillim shejtani më thoshte mos tymos kaq shumë duhan, sepse pas çdo cigareje duhesh të marrësh abdes dhe të falësh dy rekat nafile. Tymos më pak. Kështu, pas një jave e ndërpreva tymosjen e duhanit.”

Mjeku i tha: “Pasha Allahun, as që nuk kam paramenduar se kështu do të veprojnë dy rekat namaz nafile pas çdo cigare.”

Lutemi Allahun e Gjithëmëshirshëm ta ndihmojë rininë në ndërprerjen e duhanit.