ÇFARË MË SË TEPËRMI SJELL NË XHENNET E ÇFARË NË XHEHENNEM?
Një çështje që duhet më së shumti të interesohet besimtari në dynja është se çfarë më së shumti është shkas i hyrjes së njerëzve në Xhennet, e çfarë në Xhehennem?
I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., të cilin Allahu e dërgoi si mëshirë për gjithë botët, nuk ka lënë asgjë që është e dobishme për ne pa na treguar, dhe asnjë gjë që na dëmton dhe duhet ruajtur e që nuk na ka paralajmëruar.
Ebu Hurejre r.a. transmeton që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., është pyetur:
“Çfarë njerëzit më së shumti i sjell në Xhennet?”
“Devotshmëria dhe sjellja e bukur”. – u përgjigj.
“E çfarë njerëzit më së shumti i fut në Xhehennem?”
“Gjuha dhe organi seksual”. – u përgjigj i Dërguari i Allahut, s.a.v.s.
Fjala e Pejgamberit s.a.v.s. “devotshmëria” tregon në rëndësinë e devotshmërisë, e cila vërehet në atë që njeriu pandërprerë të ketë ndërmend Allahun, të përpiqet maksimalisht në ato që Allahu urdhëron dhe të largohet nga ndalesat e Allahut. Pra, devotshmëria është marrëdhënia e njeriut me Allahun.
Fjalët e Pejgamberit s.a.v.s. “sjellja e bukur” kanë karakter të përgjithshëm dhe përfshijnë çdo gjë të bukur në marrëdhënie me njerëzit.
Ka thënë Ibn Kajjimi: “I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e ka lidhur devotshmërinë dhe sjelljen e mirë, për arsye se devotshmëria e rregullon atë që është në mes njeriut dhe Zotit të tij, ndërsa sjellja e bukur rregullon marrëdhënien e tij me krijesat e Allahut. Devotshmëria e udhëheq njeriun kah ajo që ta dojë Krijuesi, ndërsa sjellja e bukur është shkas që ta duan njerëzit”.
Fjala e Pejgamberit s.a.v.s. “gjuha” tregon qartë sa është e rëndësishme njeriu të ketë kujdes për gjuhën e tij. Vetëm një fjalë e thënë mund të jetë shkas që njeriu të meritojë hidhërimin e Allahut, apo mëshirën e Tij. Shumë mëkate bëhen me gjuhë, mjerisht është bërë e përditshmja e jonë sharja, lëndimi, përgojimi, shpifja, gënjeshtra, përcjellja e fjalëve të huaja, këto janë vetëm disa prej mëkateve të gjuhës.
Fjalët e Pejgamberit sa.v.s. “organi seksual” tregon qartë në rrezikun e moskontrollimit të epsheve dhe mosruajtjen e organit seksual nga ajo që është e ndaluar.
Ky hadith le të jetë moto e jetës sonë, me devotshmëri rregullojmë marrëdhënien tonë me Allahun, ndërsa me sjelle të bukur rregullojmë marrëdhënien me tjerët, dhe të përpiqemi maksimalisht në ruajten e gjuhës sonë dhe organit seksual nga gjërat e ndaluara.
TI JE I VEÇANTË, MOS HARRO!
Një mësues filloi seminarin e tij duke ngritur lart monedhën prej 50 euro. Në amfiteatër ishin rreth 200 studentë.
Pyeti: “Kush e dëshiron këtë monedhë?”
Të gjithë ngritën duart.
Vazhdoi: Këto 50 euro do t’ia jap njërit prej jush, por së pari do të bëj edhe diç”. E ndrydhi monedhën, e pastaj pyeti: “A e dëshironi ende?”
Të gjitha duart ishin lart.
Pastaj vazhdoi: “E nëse e bëj këtë?” – dhe e hudhi monedhën në tokë, duke e shkelur me këmbë.
E ngriti monedhën e cila ishte e ndrydhur tërësisht dhe e përlloçur.
“Mirë, kush prej jush e dëshiron tani?” – pyeti.
Duart të gjitha u ngritën përsëri.
Pastaj tha: “Nxënës të dashur, mu tani e kemi mësuar një leksion të vlefshëm. Çfarëdo që bëra me monedhën, ju edhe më tej e dëshiruat, ngase asnjë moment nuk e humbi vlerën. Shpesh në jetë na ndodh që dikush të na shtyjë nga vetja dhe bimë ulët, ndihemi të ndrydhur dhe të hudhur në baltë. Këto janë fakte nga jeta e përditshme . . .
Ndonjëherë ndihemi që nuk vlejmë asgjë. Pa marrë parasysh çfarë të ndodh në jetë, ti asnjëherë nuk humb në vlerë. Qoftë nëse je i ndotur apo i pastër, i ndrydhur apo i hekurosur, ti edhe më tej je i vlefshëm për gjithë ata që të duan.
Jetët tona nuk vlerësohen sipas asaj çfarë punojmë ose kënd e njohim, por sipas asaj kush jemi.
Ti je i veçantë, mos harro këtë asnjëherë!”