VLERA E BESMELES NË TË GJITHA PUNËT

Pas vdekjes së dhjetra sahabëve r.a., të cilët e mbronin Pejgamberin s.a.v.s. në luftën e Uhudit, në skenë u paraqit sahabi i njohur Talha ibn Ubejdullah r.a., i cili luftoi me trimëri. Kur idhujtarët në këtë sulm ia prenë gishtërinjët, Talha r.a. bërtit: “Uh!” Pejgamberi s.a.v.s. në këtë i tha: “Sikur të thoje Bismil-lah (me emrin e Allahut), melekët do të ngritnin lart, ndërsa njerëzit këtë do ta shihnin.” Talha arriti t’i zbraps idhujtarët nga Pejgamberi s.a.v.s. (Nesai, hadithi i besueshëm)

Nga kjo thënie e Pejgamberit s.a.v.s. shohim sa ka vlerë me thënë Besmelën.

Bismil-lahir-rrahmanir-rrahim (me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit) është ajet me të cilin Allahu i madhërishëm e ka filluar librin e Tij. Ky është ajeti i parë i sures së parë të Kuranit, El-Fatihasë. Mu për këtë, besimtarëve u rekomandohet që çdo punë të hajrit ta fillojnë me Besmele. Në hadith thuhet: “Secila punë që fillon pa Besmele është jo e plotë dhe e mangët.”

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Më është shpallur ajeti i cili nuk i është shpallur asnjë pejgamberi, pos mua dhe Sulejmanit, birit të Davudit, e kjo është Bismil-lahir-rrahmanir-rrahim.” (Ibn Merdevejh)

Mu për shkak të bereqetit të këtij ajeti kuranor d.m.th. Besmelës, tërë jeta e besimtarit duhet të jetë e thurur dhe e komponuar me Besmele. Besmela është dhuratë nga Allahu dhe udhëzim se si të sillemi ndaj krijesave dhe gjërave që janë rreth nesh.

Transmetohet që Pejgamberi s.a.v.s. është pyetur për Bismil-lahir-rrahmanir-rrahim dhe ka thënë: “Kjo është një prej emrave të Allahut të madhërishëm, ndërsa në mes kësaj dhe emrit më madhështor (të Allahut) largësia është sikur në mes të bardhës dhe të zezës së syrit.”

Xhabir ibn Abdullahu ka thënë: “Allahu i madhërishëm u betua me Madhërinë e Tij që me rastin e përmendjes së Besmelës, në këtë do të jep bekim (bereqet).”

Besmela është ndihmë dhe çelës për çdo të mirë. Ajo mbron nga zjarri i xhehennemit, ngase Abdullah ibn Mes’udi r.a. ka thënë: “Kush dëshiron që Allahu ta ruajë nga 19 zebanitë (rojet e xhehennemit), le ta lexojë Besmelën.”

Një sahab kalëronte me Pejgamberin s.a.v.s. dhe kafsha kalëruese rrëshqiti dhe ky sahab tha: “Qoftë i shkatërruar shejtani”, ndërsa Pejgamberi s.a.v.s. i tha: “Mos fol kështu, sepse shejtani me këtë rritet dhe bërtet me krenari: “Unë me forcën time e rrëzova”. Thuaj Bismil-lah, sepse me këtë shejtani zvogëlohet dhe bëhet i imët si mushkonja.” (Ahmedi dhe Nesai)

Bile edhe në punët dhe nevojat e përditshme është mirë me thënë Bismil-lah.

Është e mirënjohur që Besmela lexohet para fillimit të ushqimit ose pijeve dhe në fund të ushqimit falënderojmë Allahun për begatitë. Pejgamberi s.a.v.s. i tha djalit që hante me të: “Djalë, thuaj Bismil-lah, ha me dorën e djathtë dhe ha para vetit!”

Para hyrjes dhe daljes nga shtëpia thuaj Bismil-lah. Në transmetim thuhet: “Kush gjatë daljes nga shtëpia thotë: “Bismil-lahi tevekkeltu alall-llah, ve la havle ve la kuvvete il-la bil-lah (Me emrin e Allahut, tek Allahu mbështetem, nuk ka gjendje dhe as fuqi pa Allahun)”, meleku i thotë: “Je i udhëzuar, je i mbrojtur dhe i ruajtur”, dhe shejtani ik nga ai.” (Ebu Davudi, sahih)

Gjatë veshjes dhe zhveshjes së rrobave thuaj Bismil-lah, ngase me këtë mbrohesh nga veprimi i shejtanit. Marrjen e abdesit detyrimisht e fillojmë me Besmele, ngase Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Nuk ka abdes ai i cili nuk e përmend emrin e Allahut, d.m.th. nuk e thotë Besmelen.” (Ahmedi dhe autorët e Sunenit)

Gjatë therrjes së kafshës lexohet Besmela. Bile edhe para marrëdhënies intime, sepse Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Nëse dikush prej jush kur dëshiron t’i afrohet bashkëshortes, thotë Besmelën dhe vazhdon: “Në emër të Allahut! O Allahu im, largo nga ne shejtanin! Largoje edhe nga ai që do të na dhurosh!” Nëse nga kjo marrëdhënie lind fëmiu, shejtani asnjëherë nuk do ta dëmtojë!”

Me Besmele fillon shumica e dhikreve dhe lutjeve që praktikohen çdo ditë.

Edhe kur e lëshojmë këtë botë gjatë mbylljes së syve të vdekurit, thuhet: “Bismil-lahi ve ala mil-leti Resulil-lah (Me emrin e Allahut dhe në fenë e të Dërguarit të Allahut; Bejhekiu, sahih)”, si dhe gjatë lëshimit të mejtit në varr, kur thuhet: “Bismil-lahi ve ala sunneti Resulil-lah (Me emrin e Allahut dhe sipas sunnetit të Dërguarit të Allahut veprojmë; Ebu Davudi dhe Ahmedi, sahih)”

Në kohën e krizës në kulturën e shprehjes dhe vulgaritetit në çdo vend, nevojitet që të mësohemi ne dhe tjerët, e në veçanti fëmijët tanë që ta mësojnë Besmelën dhe ta përmendin në çdo rast. Në këtë mënyrë e mbrojmë veten si dhe rrethin tonë me bereqetin e kësaj fjale.

Ky është ajet i cili i ka 19 shkronja dhe secila shkronjë shpërblehet dhjetëfish e më tepër. Kjo është fjalë e cila na lidh me Zotin tonë dhe na ndihmon në pasimin e Pejgamberit tonë s.a.v.s.

Nëse në ndonjë punë nuk e përmend Besmelën, nga kjo punë nuk ka hajr në këtë e as në botën tjetër. Bile edhe mëkatari më i madh kur bën ndonjë vepër të mirë duhet ta thotë Besmelën, sepse me këtë pos emrit të Allahut janë përmendur edhe dy cilësi e këto janë Mëshiruesi, për të gjitha krijesat (besimtarë dhe jobesimtarë) dhe Mëshirëbërësi, në veçanti për besimtarët.

Ky është Ai i Cili fal të gjitha mëkatet përpos shirkut, andaj përse vetit t’ia cungojmë këtë rast për arritjen e mëshirës së Allahut dhe bereqetit nga Besmela që e themi?

 

 

 

 

 

 

 

 

FSHATARI I LUMTUR ME KATËR GROSH FITIM HALLALL

 

Një mbret doli të shëtit dhe pa një fshatar të lumtur, i cili këndonte duke lavruar tokën. Mbreti i tha:

– Njeri, e shoh se je i lumtur dhe i kënaqur me punën tënde. A është kjo toka yte?

Fshatari u përgjigj: – Jo zotëri, unë punoj për pagë tek një njeri tjetër.

Mbreti e pyeti: – Sa të paguan për këtë punë të rëndë?

Fshatari tha: “Për çdo ditë nga katër grosh.

– A të mjaftojnë? – e pyeti mbreti.

– Po, edhe tepër. Një grosh e harxhoj për jetën time, me një grosh tjetër e paguaj borxhin, një grosh ua jap tjerëve dhe një grosh e ndaj në rrugën e Allahut. – u përgjigj fshatari.

Në këtë mbreti tha: – Unë nuk po e kuptoj këtë enigmë tënde.

Fshatari i tha: – Zotëri, unë do ta shpjegoj këtë. Sa i përket groshit që e harxhoj për jetën time, ky është grosh me të cilin i plotësoj nevojat e mia dhe të gruas sime. Sa i përket groshit që laj borxhin është groshi që u jap prindërve të mi të cilët kanë harxhuar për mua derisa jam rritur. Sa i përket groshit që u jap tjerëve ky është groshi që e harxhoj për fëmijët e mi duke shpresuar që ata do të dinë ta vlerësojnë dhe të ma kthejnë kur të plakem. Ndërsa sa i përket groshit që e harxhoj në rrugën e Allahut është groshi që ua jap dy motrave të mia të sëmura.

I mahnitur me veprimin e tij, mbreti i tha: – Njeri, shkëlqyeshëm e rendit fitimin tënd, andaj je i lumtur dhe i kënaqur.

Pastaj, nxori një qese me dukat dhe ia dhuroi fshatarit.