NGA FARAONI I MËSOVA DHJETË URTËSI TË JETËS
Një dijetar erdhi në Egjipt për t’i vizituar piramidat. Gjatë vizitës së mumies së faraonit (Merneptahut të dytë) nga koha e Musait a.s., dëgjoi nga një punëtor i muzeut sesi vizitorëve u shpjegonte për mumien e faraonit.
Për një moment foli ashtu që dukej sikur direkt i drejtohej mumies së faraonit dhe në mes tjerash tha:
– Faraon, prej teje (nga jeta yte) i kam mësuar dhjetë urtësi:
- Kam mësuar nga ti që dëshira e Allahut është e pafund dhe asgjë nuk mund ta pengojë. Ti ke mbytur me mijëra fëmijë për të penguar ardhjen e Musait a.s. Mirëpo, kur Musai a.s. erdhi në këtë botë, ti e edukove në shtëpinë (pallatin) tënde.
- Kam mësuar nga ti që zemrat janë në dorën e Allahut, e jo në dorën e cilitdo njeri (tiran). Kur Musai a.s., si i posalindur ishte privuar nga afërsia e nënës, Allahu ia dhuroi nënën e dytë, gjegjësisht bashkëshorten tënde e cila e deshi dhe u kujdes si nënë.
- Kam mësuar nga jeta yte që askush askënd nuk mund ta prish. Sepse në pallatin në të cilin ti thoshe: ‘Unë jam zoti juaj më i madh! (Ene rabbukumul ea’la)’, në të njëjtën kohë jetonte bashkëshortja yte, Asia, e cila në dhomën e saj lartëmadhëronte Allahun duke thënë: ‘Lavdërimi është për Zotin e Lartëmadhëruar! (Subhane rabbijel ea’la)’.
- Nga ti kam mësuar që shtëpitë kanë fshehtësitë e tyre dhe është e pamundur që burri dhe gruaja të jetojnë nën një kulm, por të jenë tërësisht të huaj, sepse burrin dhe gruan vërtet mund t’i lidh zemra e tyre, e jo kulmi i përbashkët.
- Nga ti kam mësuar që asnjë ushtri nuk mund ta ndajë besimtarin nga feja e Allahut. Magjistarët që e pranuan islamin, nuk mundi t’i frikësojë ushtria yte e fortë dhe as frizeren e bijës sate nuk mundi ta frikësojë vaji i vluar në të cilin e hudhe ti.
- Kam mësuar nga ti që gjaku nuk është ujë dhe vajza e vogël arriti ta kthejë vëllain e saj të vogël (Musain a.s.) tek nëna e tij, por edhe vëllai mund të jetë aq fisnik (d.m.th. Musai a.s.), saqë aspak nuk i erdhi rëndë të pranojë që vëllai i tij (Haruni a.s.) është më i mirë në elokuencë se ai.
- Kam mësuar nga ti që robërit me duart e tyre krijojnë xhelatët dhe shtypësit e tyre. Ti nuk do të mund të kalëroje mbi shpinat e popullit tënd sikur ata mos të vendosnin vullnetarisht dhe të pajtoheshin me qenë shërbëtorë dhe robër tu.
- Kam mësuar nga ti që kur Allahu dëshiron ta ndihmojë një rob të Tij, atëherë e ndihmon nëpërmes një shkopi të rëndomtë të cilin ai rob para kësaj e ka përdorur vetëm për mbështetje gjatë ecjes dhe shkundjen e gjetheve për delet, por kur Allahu dëshiron ta disfatojë dikënd prej robërve të Tij, atëherë e disfaton nëpërmes ushtrisë së madhe të Tij.
- Kam mësuar nga ti që çdo gjë në Tokë i ka shkaset e veta që vlejnë për njerëzit, por jo edhe për Allahun. Kështu, lumi i cili do të duhej ta përmbyste fëmiun, u bë “postier” i cili para pallatit tënd e solli arkën në të cilën ishte fëmiu (Musai a.s.) të cilin kërkove ta mbysësh, ndërsa deti i cili nuk mund të kalohet pos me anije, u bë stazë nëpër të cilin njerëzit (beni Israilët) e kaluan këmbë në anën tjetër.
- Kam mësuar nga ti që çdo gjë që është në Tokë përbën në realitet ushtri nga ushtritë e Allahut dhe që Allahu e zgjedh armën dhe armatimin për luftë. Dhe kur ti u nise me ushtri shumë të madhe në përndjekje të Musait a.s. dhe pasuesve të tij, Allahu ka mundur të kundërvihet me ushtri të njëjtë, por jo. Bëri që vdekja të jetë për ty nga uji, nga i cili Allahu krijon çdo gjë të gjallë.
Andaj qoftë i lavdëruar Allahu i Lartëmadhëruar dhe Zoti Fuqiplotë.