PUSHTETARËT HARROJNË MIRËSINË, NDËRSA LUANËT JO!
Tregohet që një mbret urdhëroi t’ia blejnë dhjetë luanë të vegjël. U caktoi rojtarin dhe dresuesin që do t’i ushqente dhe dresojë.
Plani i tij ishte që secilin nga ministrat dhe punëtorët tjerë që nuk e kryejnë punën si duhet, ta hudh në kafaz në mesin e dhjetë luanëve që ta copëtojnë.
Mbreti e kishte një ministër shumë të afërt, por ai filloi të mos i kryente detyrat si duhet dhe mbreti nuk ishte i kënaqur.
Për këtë vendosi ta dënojë që t’u jep shembull edhe tjerëve. Kur e dëgjoi këtë lajm të rëndë, ministri erdhi para mbretit dhe i tha: – Unë të kam shërbyer që dhjetë vjet, ndërsa ti në këtë mënyrë ma kthen shërbimin tim? Por, nëse tanimë ke vendosur të më dënosh në këtë mënyrë brutale, së paku më jep dhjetë ditë kohë.
Mbreti ia plotësoi dëshirën dhe ia shtyri dënimin për dhjetë ditë.
Ministri i dënuar shkoi tek rojtari i luanëve dhe iu lut që ai ta kryejë punën e tij për vetëm dhjetë ditë. Rojtari u habit nga kjo dëshirë e ministrit, por me kënaqësi e lejoi.
Ministri dhjetë ditë maksimalisht u kujdes për luanët, i ushqente, i pastronte edhe më mirë se rojtari.
Pasi kaluan dhjetë ditë, mbreti urdhëroi që t’ia sjellin ministrin që në praninë e masës së madhe të njerëzve ta hudhin në kafazin e luanëve.
Të gjithë shikonin çfarë do të ndodhte me ministrin dhe momentin kur luanët do ta copëtonin. Por, kur ministrin e hudhën në kafazin e luanëve, të gjithë luanët u ulën pranë këmbëve të tij duke e lëpirë. Mbreti u habit nga kjo pamje, iu afrua ministrit tek kafazi dhe e pyeti: – Çfarë u ke bërë luanëve?
Ministri u përgjigj: – Unë u kam shërbyer këtyre luanëve dhjetë ditë dhe këta nuk e harruan mirësinë time, ndërsa ty, o mbret, të shërbeva dhjetë vjet dhe ti për një moment e harrove mirësinë time.
Në këto fjalë, mbreti u turpërua, uli kokën dhe urdhëroi ta lironin ministrin dhe ta kthejnë në punë.
POPULLI ËSHTË NË FENË E SUNDIMTARËVE TË TYRE
Dijetarët islam sikur Ibn Kethiri në veprën “El-bidaje ven-nihaje”, Ibn Simaku në veprën “El-Zeherat el-mensure” dhe tjerët kanë shënuar në mes tjerash edhe fakte historike vijuese nga të cilat mund të merren shumë mësime.
Njerëzit në kohën e Haxhxhaxh ibn Jusufit, kur agonte dita e re dhe kur takoheshin në rrugë, pyetnin njëri-tjetrin kush është mbytur mbrëmë, kush është varur, kush është rrahur me kamxhik, dhe ngjashëm me këto.
Në kohën e sundimit të Velid ibn Abdul-Melikut, i cili e ka dashur arkitekturën, kultivimin e tokës dhe ndërtimtarinë në çdo pikëpamje, njerëzit kanë folur kryesisht për ndërtesat e reja, shitoret, hapjen e kanaleve të reja, ujitjen e tokave, mbjelljen e luleve, etj.
Kur në pushtet erdhi Sulejman ibn Abdul-Meliku, i cili ishte grykës i madh dhe kishte dëshirë për ushqim të mirë, gra dhe rroba, njerëzit në bisedat e tyre më së shumti flisnin për artin e kuzhinës, për gratë dhe martesë si dhe për modën e rrobave.
Kur erdhi në pushtet Omer ibn Abdul-Azizi, njerëzit pyesnin njëri-tjetrin sa nga Kurani kanë mësuar përmendësh, për sa kohë e bënin hatmen, sa ditë agjëronin nafile, a e kanë falur namazin e natës.
Andaj, njerëzit nuk kanë thënë kot: Populli është në fenë e sundimtarëve të tyre. Nëse sundimtari ka afinitet ndaj alkoolit, me siguri në kohën e tij do të konsumohet shumë alkooli, nëse anon kah prostitucioni, në kohën e tij do të përhapet amoraliteti dhe sjelljet devijuese. Nëse sundimtari është lakmitar, zullumqar, në marrjen e mitos, korrupsionit dhe mashtrimeve, me siguri në kohën e tij edhe në popull do të përhapen këto sëmundje shoqërore.
Nëse sundimtari është i drejtë, bamirës, i moralshëm, i devotshëm, trim, i ndershëm, padyshim që edhe populli do të jetë i tillë.