HALIFI DHE I URTI
Një i urtë erdhi tek halifi i asaj kohe, dhe halifi i tha: – Më këshillo!
Në këtë, i urti i tha: – Dije, o udhëheqës i besimtarëve, njëherë udhëtova në Kinë dhe mbreti kinez ishte shurdhuar. U takova me të një ditë dhe e pashë duke qarë dhe thoshte: ‘Nuk derdhi lotë për shkak të humbjes së dëgjimit, por derdhi lotë për shkak se ndonjërit që i është bërë padrejtësia do të qëndrojë në derën time duke kërkuar ndihmë e unë nuk do ta dëgjoj rënkimin e tij. Por, falënderoj Zotin që ma ka ruajtur shikimin.’ Dhe ky mbret urdhëroi që tellalli të kumtojë: ‘Kujt i është bërë padrejtësi, të veshë rroba të kuqe!’ Mbreti kinez i hipur në elefant për çdo ditë shëtiste për të parë ndonjë që kishte rroba të kuqe për ta mbrojtur nga padrejtësia që i është bërë.
Andaj, o prijës i besimtarëve, shiko këtë mbret kinez jobesimtar çfarë keqardhje ka ndier ndaj robërve të Zotit, andaj merr mësim!