KUR SUNDIMTARËT E MBYLLIN KRENARINË NË ZEMRAT E NJERËZVE

Një sundimtar vërejti që populli në shtetin ku sundonte ishte krejtësisht i bindur dhe asnjëherë nuk kundërshtonte dhe as nuk protestonte, pa marrë parasysh çfarë zullumi u bënte. Për këtë, e thirri ministrin e vet dhe i shpjegoi se ndien ngushtësi në gjoks për shkak të bindjes robërore të njerëzve dhe dëshiroi që njerëzit të tregojnë më tepër krenari dhe dinjitet, më tepër shpirt të lirë, së paku bile njëherë të dalin në protesta dhe të kundërshtojnë nga çdo formë të shtypjes dhe për asgjë tjetër së paku që bota të sheh se në shtetin e tij mbizotëron demokracia.

Ministri i propozoi që të bëhet shtypja shtesë në popull në mënyrë që populli të fillojë të kundërshtojë. Propozoi që shteti t’i rrit taksat për kalimin nëpër urën kryesore të qytetit, të cilën populli e shfrytëzonte më së shumti.

Mirëpo, populli pa kurrfarë kundërshtimi u pajtua me këtë dhe iu bind pa asnjë fjalë vendimit të sundimtarit.

Sundimtari u tërbua për këtë sjellje të popullit dhe e kërcënoi ministrin me dorëheqje nëse nuk e zgjidh këtë problem, edhe pse ishte i vetëdijshëm që ai e kishte mbytur krenarinë në zemrat e njerëzve.

Ministri për shkak të frikës së dorëheqjes mendoi për diç më të rëndë t’i bëjë popullit në mënyrë që të ngritet kundër zullumit. Në fund, urdhëroi që të vendoset në urë një polic i cili secilin njeri që do të kalonte nëpër urë do ta godiste me shkop gome në qafë.

Kolona e njerëzve priste në rend që polici t’i godiste në qafë. Erdhi edhe vetë ministri për të parë si po shkon puna dhe gati u tërbua kur pa që njerëzit të qetë i përballonin goditjet dhe pritnin në rende të gjata për të kaluar urën.

Mirëpo, pas një kohe të gjatë, u dëgjua një zë i një njeriu i cili bërtiti: – Kjo është e palejueshme! Ky nuk është një gjest human!

Ministri kur dëgjoi këtë u gëzua pa masë. Më në fund u paraqit një qytetar krenar i cili ngriti zërin kundër zullumit. Urdhëroi që ta sjellin para tij, i cili i përsëriti fjalët e njëjta: – Kjo nuk lejohet. Ne po vonohemi në punë për shkak të kësaj procedure.

Ministri tejet i lumtur tha: – Shkëlqyeshëm, e çka propozon?

Njeriu me ton “revolucionar”u përgjigj: – Propozoj që pushteti të caktojë më shumë policë që do të na godasin me shkop gome në qafë, në mënyrë që të kalojmë më shpejtë nëpër urë për t’u mos u vonuar në punë.