ALLAHU TEK NE I DËRGOI QENTË TATAR PËR TË NA KTHYER PËRSËRI NË FENË E ALLAHUT

Transmetohet që pasi Hulagu-kan bëri invazionin në tokat myslimane, bija e tij (princesha), duke ecur rrugës e pa një grup të myslimanëve të mbledhur rreth një dijetari islam.

E çuditur pyeti: – Ç’është kjo?

I thanë se ky është një grup myslimanësh që janë tubuar rreth një dijetari i cili ua mëson islamin.

Atëherë ajo urdhëroi suitën e saj që ta lidhin dijetarin për duar dhe këmbë e t’ia sjellin para saj.

Kur ia sollën, e pyeti: – A je ti dijetar islam?

– Po. – u përgjigj.

Princesha tatare atëherë tha: – A e sheh që Allahu na do neve e jo juve, sepse na dha fitoren kundër jush.

Dijetari islam nuk foli asgjë, por i tha: – Nëse dëshiron që të përgjigjem, duhet të m’i zgjidhësh duart dhe këmbët dhe të ulem në karrige kundruall teje.

Princesha urdhëroi t’ia zgjidhin duart dhe këmbët dhe e uli në karrige.

Kur u ul dijetari, e pyeti princeshën: – A e di ç’është bariu apo rojtari i deleve?

– E di. – u përgjigj ajo.

Dijetari: – A e ka ai tufën që e ruan?

Princesha: – Natyrisht që e ka.

Dijetari: – A ka me tufën e deleve edhe qenë?

Princesha: – Ka.

Dijetari: – Cili është roli i qenve?

Princesha: – Ata i ruajnë delet, i kthejnë në tufë ato që ikin dhe largohen.

Dijetari: – Shembulli ynë dhe i juaji është sikurse shembulli i deleve dhe qenve. Kur ne myslimanët u larguam nga urdhrat e Allahut, Ai tek ne i dërgoi qentë tatar që përsëri të kthehemi në fenë e Allahut.

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi