MUSAI a.s. PYET ALLAHUN xh.sh.

Musai a.s. e pyeti Allahun xh.sh.: “O Allah i madh! Ti e ke krijuar formën (e njeriut). Përse e shkatërron përsëri? Ti e ke krijuar formën që të qëndrojë shpirti në trup. Pastaj, Ti e shkatërron (e asgjëson) trupin. Përse?”

Allahu xh.sh. i tha: “E di që pyetja yte nuk është nga besimi, sepse për këtë pyetje do të dënoja. Por, ti dëshiron të zbulosh urtësinë dhe fshehtësinë e jetës në veprat e Mia. Në këtë pyetje është gjysma e diturisë.”

Edhe pyetja edhe përgjigjja bëhen nga dituria. Mu sikurse që edhe trëndafili edhe gjembi rriten nga toka dhe uji. Edhe shkatërrimi dhe shpëtimi rrjedhin nga dituria. Mu sikurse që edhe fryti i ithët edhe i ëmbël rriten nga toka.

Pastaj Allahu xh.sh. i tha Musait a.s.: “O Musa, mbill në tokë grurë që të kuptosh përgjigjen e drejtë.” Musai i mbolli farat dhe nga ato u rritën plot kallinj të bukur. Kur u pjek gruri, Musai e mori draprin dhe filloi ta korr grurin. Atëherë, nga Gajbi i erdhi zëri: “Pse e mbolle farën, e kultivove dhe tani po i pret kalinjët?”

Musai a.s. u përgjigj: “O Zot, e preva për të ndarë kokrrat nga kalliri (kashta).”

Kokrra nuk duhet të qëndrojë në kashtë, poashtu edhe kashta nuk duhet të qëndrojë në hambar. Nuk është mençuri t’i përziesh të dyja. Urtësia patjetër kërkon ndarjen e tyre.

Allahu xh.sh. i tha: “O Musa, nga e ke marrë këtë dituri që i ndave kokrrat nga kalliri?”

Musai a.s. u përgjigj: “O Allah, Ti ma ke dhënë këtë mendjemprehtësi.”

Allahu xh.sh. i tha: “E përse Unë mos të kem mendjemprehtësi?”

Në mesin e krijesave gjinden shpirtra të pastër. Por, ka edhe shpirtra të errët dhe të përdhosur. Jo të gjitha guaskat kanë të njëjtën vlerë. Në njërën ka margaritar e në tjetrën kokërr të pavlerë.

Kjo e mirë dhe e keqe medoemos duhet të tregohet qartë, mu sikurse që medoemos duhet ndarë gruri nga kalliri.

Trupi yt është gënjeshtra yte. Ndërsa shpirti (rruhi) është e vërteta yte. Me vite ky trup është i dukshëm, ndërsa shpirti në të qëndron i fshehur. Mu sikurse gjalpi që është i fshehur në qumësht. Shurdhmemeci as nuk dëgjon dhe as nuk mund të mësohet.

Pra, nevojitet tundje me mund për ta nxjerrë gjalpin nga qumështi.

Andaj, ky trup është argument i përhershmërisë së shpirtit.

Luani në flamur nuk është i gjallë, por e lëviz era dhe duket i gjallë.

Gjatë gjumit shpirti yt sheh gjëra të cilat zgjuar nuk i sheh për njëzet vjet. Për çdo natë gjatë gjumit shpirti flutturon me krahë për ta kërkuar lirinë e tij, duke përshkruar hapësira pa fund me shpejtësi të cilat trupi kurrë nuk mund t’i arrijë.

Andaj, lëre kashtën, mos i jep rëndësi, por kokrrës së grurit, asaj jepi përparësi.

Çfarë vlen guaska pa margaritar?

Andaj, bëhu luan e jo gomar.

Puno tërë jetën shpirtin për ta lartësuar, e kjo arrihet vetëm trupin duke sakrifikuar.

Mos u bëj gafil duke zbukuruar trupin.

Ngase kështu shpirtin nuk mund ta lartësosh.

Bëhu si Ibrahim Et’hemi, i cili mbretërinë e tij e copëtoi, por shpirtin e tij të bekuar në sfera qiellore e lartësoi.