TREGIMI MAHNITËS

Me një rast, dijetari me famë dhe i devotshëm, Hatim el-Esammi, qëndronte me miqtë e tij që përgatiteshin për të shkuar në haxh, ndërsa Hatimi ishte i varfër, kishte shumë fëmijë dhe gati të gjithë ishin vajza. Derisa miqtë e tij flisnin për haxh, ai ndjeu dëshirë të madhe të shkojë në haxh.

Erdhi në shtëpi dhe iu drejtua bashkëshortes dhe fëmijëve: “Miqtë e mi po shkojnë në haxh, edhe unë do të dëshiroja të shkoj . . .”

Atëherë bashkëshortja dhe vajzat me zë thanë: “Si do të shkosh në haxh?! Ne s’kemi çka të hamë, ndërsa ti nuk ke mjete për haxh . . .”

Mirëpo, vetëm njëra prej vajzave u ngrit dhe tha: “Ç’është me ju? Pse po e pengoni babain të shkojë në haxh?!”

Në këtë, ato thanë: “E kush do të kujdeset për ne?”

Ndërsa ajo u përgjigj: “Nuk është babai ai i cili na sjell nafakën dhe furnizimin, Allahu është Ai që jep furnizim, ndërsa babai është ai i cili e sjell kur Allahu e jep. Kur Allahu nuk jep, as babai nuk e sjell”.

Kështu, vajza e vogël e bindi nënën dhe motrat e saj që ta lejojnë babain të shkojë në haxh. Ai u gëzua shumë, paketoi ato pak gjëra që kishte dhe u nis me karvanin për haxh.

Natën e parë pasi babai shkoi nga shtëpia, nëna nuk kishte asgjë për t’i ushqyer fëmijët dhe ata filluan t’i bërtasin motrës së vogël: “Ti ishe shkaktare që e lëshuam babain të shkojë në haxh, e tani s’kemi asgjë të hamë!”

Vajza e vogël nuk fjeti tërë natën, falej dhe i lutej Allahut: “Zoti im, mos më turpëro këtë natë, më furnizo!”

Në mëngjes, dikush trokiti në derë dhe vajza pyeti: “Kush është?”

“Halifeja i myslimanëve”. – u dëgjua zëri.

E hapi derën dhe vërtet para saj ishte halifeja me përcjellje dhe kërkoi ujë. Shtëpia e Hatimit ishte në shkretëtirë dhe gati askush nuk e kishte vizituar asnjëherë, por halifeja kishte ngecur pa ujë dhe e kishte parë këtë shtëpi duke mos ditur se i takon Hatim el-Esammit.

Vajza i solli ujin halifes dhe pasi piu ujë të ftohtë, i dhuroi vajzës një qese me flori e pastaj u tha vezirëve: “Kush më don, vlerëson dhe nderon mua, le të bëjë ashtu siç veprova unë”.

Për një moment, Allahu shtëpinë e njeriut më të varfër e bëri më të pasurën në tërë vendin. Kur e pa këtë, vajza filloi të qajë. Halifeja e pyeti: “Përse qan? Tani jeni më të pasurit”.

Ndërsa vajza u përgjigj: “Një rob i Allahut na shikoi me shikimin e mëshirës dhe bëri që të jemi kështu të pasur, e çka mendoni çfarë do të bëhej me ne sikur Zoti i robërve të na shikonte me mëshirën e Tij?”

Për këtë qajti edhe halifeja.

Në anën tjetër, Hatimi kështu e përshkroi udhëtimin e tij në haxh: “Njerëzit kalëronin në deve dhe kuaj, e unë ecja këmbë. Natën kur flinim, njerëzit mbuloheshin e unë nuk kisha mbulesë. Ata hanin, e unë nuk kisha çka të haja . . .” Ishte nisur në haxh pa asgjë.

Një natë, udhëheqësin e karvanit e pickoi një akrep helmues dhe nga helmi u shtri në shtratin e vdekjes. I dhanë ilaçet që kishin me vete, por asgjë nuk bënte dobi.

Dhe kur udhëheqësi ishte duke dhënë frymën e fundit, një njeri tha: “Në mesin tonë është një njeri i mirë, dijetari Hatim el-Esammi, përse nuk e thirrni t’i bëjë lutje (rukje) dhe t’i lutet Allahut që ta shërojë udhëheqësin tonë të karvanit?”

E gjetën dhe ai iu lut Allahut për shërim. Në atë moment, udhëheqësi i karvanit u shërua, u ngrit në këmbë si mos ketë pasur asgjë. Udhëheqësi i karvanit i cili ishte shumë i pasur, i tha Hatimit: “Gjysma e pasurisë sime është e ytja”.

Për një natë, Allahu xh.sh. bëri që Hatim el-Esammi të bëhet më i pasur e në anën tjetër edhe familja e tij.

Allahu xh.sh. vërtet bën mrekullira për njerëzit e dashur.