TESTIN QË E BARTI ERA
Një ditë, babai im u ndie keq dhe kishte dhembje në krahëror dhe më luti që ta dërgoja në spital. Kjo ndodhi të martën, ndërsa unë e kisha provimin në fakultet të mërkurën.
E mora librin me vete në spital. Pas analizave mjeku më tha se babai duhet disa ditë të qëndrojë në spital. I thashë mjekut se a mund të qëndroj sonte në shtëpi, pasi nesër e kam provimin.
Mjeku më tha: “Si të duash, por më mirë është të qëndrosh pranë babait në spital”.
Pastaj fillova të kujdesesha për babain deri kah ora dhjetë në mbrëmje. Kur babai fjeti, fillova të lexoj. Mirëpo, isha i lodhur dhe menjëherë më zuri gjumi.
Në mëngjes u zgjova për sabah, e zgjova edhe babain dhe e falëm së bashku namazin e sabahut. E putha babain në ballë dhe dorë dhe e luta të bëjë dua për mua që Allahu të ma lehtësojë provimin.
Pastaj, shkova në fakultet për provim. Kur erdhi testi, u dëshpërova. Nuk më kujtohej asgjë. Nga gjashtëdhjetë pyetje bëra vetëm nëntë.
Pas shtatë ditëve profesori solli rezultatet. Më tha i ke bërë të sakta gjashtëdhjetë pyetjet. Mendova mos po tallet me mua apo ka gabuar. Dhe shkova tek profesori duke i treguar se mos ndoshta ka gabuar, se unë i kam bërë vetëm nëntë pyetje.
Profesori filloi të kërkojë testin tim, por nuk mundi ta gjejë. Mu drejtua mua: “Fejsal, po të tregoj çfarë ka ndodhur. Unë pas ikindisë, në ballkonin e shtëpisë fillova t’i korrigjoj testet. Për një moment, fryu një erë dhe e hudhi testin tënd diku larg dhe nuk munda ta gjej kurrsesi. Pastaj, kuptova se ishte testi yt. Nga frika që të mos hyj në hakun tënd, t’i dhashë numrin maksimal të poenave. Ishte urdhër i Allahut që era ta bart vetëm testin tënd”.
Kur i tregova babait, ai qeshi dhe tha se ky ishte nder i Allahut, ngase ke qenë në shërbim të prindit tënd.
E kush bën diç për hir të Allahut, Allahu do t’ia kompensojë me diç më të mirë.
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi