NGUTU TË FALESH, GOMAR!

Një ditë, Abdullahu doli nga shtëpia për ta falur namazin e ikindisë në xhaminë e afërt. Gjatë rrugës pa një njeri në pemë duke vjelur molla. Abdullahu u befasua dhe mendoi: “Kush qenka ky njeri i cili qenka indiferent ndaj namazit?” I tërbuar bërtiti: “Zbrit nga pema, për ta falur namazin!”

Njeriu u përgjigj me gjakftohtësi: “Në rregull, njeri”.

Abdullahu përsëri bërtiti: “Ngutu ta falësh namazin, gomar!”

Njeriu u zemërua kur dëgjoi këto fjalë dhe theu një degë të pemës dhe ia hudhi Abdullahut në fytyrë, por nuk e goditi.

Njeriu zbriti nga pema, shkoi në shtëpi dhe e fali namazin e ikindisë, dhe u ul për të pushuar. Pastaj, përsëri u kthye në kopsht për ta përfunduar vjeljen e mollave.

Erdhi koha e akshamit dhe Abdullahu u nis në xhami. Rrugës përsëri hasi në njeriun në pemë duke vjelur molla.

Vendosi ta ndërrojë qasjen e tij dhe i tha njeriut: “Selam, o mik! Si je?”

Njeriu u përgjigj: “Mirë, faleminderit Allahut”.

“Si janë pemët sivjet?” – e pyeti.

Njeriu i tha: “Kurrë më mirë, faleminderit Allahut”.

Abdullahu i tha: “Allahu të dhashtë edhe më shumë sukses dhe shpërblim dhe ta bëftë jetën e lehtë dhe mos të privoftë nga shpërblimi për mundin dhe punën tënde”.

Njeriu u gëzua pa masë kur dëgjoi këto fjalë nga Abdullahu.

Abdullahu atëherë i tha: “Më duket se je tepër i zënë me pemë dhe nuk e ke dëgjuar ezanin për aksham. Ndoshta do të duhej të zbresësh nga pema që të pushosh pak dhe të përgatitesh për namaz. Pastaj, përsëri mund të vazhdosh me punën tënde”.

Njeriu tha: “Po, dhashtë Zoti”, dhe filloi ngadalë të zbret nga pema.

Atëherë u kthye kah Abdullahu dhe i tha: “Dëshiroj të falënderoj për sjelljen tënde të bukur dhe shihet se je i edukuar bukur. Ndërsa, sa i përket atij që kaloi pranë meje gjatë kohës së ikindisë, do të dëshiroja që ta gjej dhe t’i tregoj kush është gomar i vërtetë!”

Mesazhi i tregimit: Zgjidhni fjalët tua me kujdes.