SI E NGUSHËLLOI LOTI MËKATARIN?

Një mëkatar, i molisur dhe i dëshpëruar, tërë ditën mendoi për mëkatet e shumta dhe mangësitë e veprave të mira, dhe i rrodhi një pikë loti nga syri dhe e pyeti:

– Përse je i pikëlluar, o rob i Allahut?

Mëkatari: – Përse rrodhe?

Loti: – Për shkak të zjarrit në zemrën tënde.

Mëkatari: – E çka e ka mbushur zemrën time me zjarr?

Loti: – Mëkatet dhe veprat e këqija.

Mëkatari: – A thua mëkatet ndikojnë në zjarrin e zemrës?

Loti: – Po . . . a nuk e ke dëgjuar lutjen e Pejgamberit s.a.v.s.: “O Allahu im, laji mëkatet e mia me ujë, borë dhe akull.” Çdo herë që robi i Allahut bën ndonjë mëkat në zemrën e tij ndizet zjarri të cilin e shuan vetëm uji dhe akulli.

Mëkatari: – Të vërtetën thua . . . unë ndiej ngushtësim në zemër dhe mendoj se kjo është nga mëkatet.

Loti: – Natyrisht . . . vërtet mëkatet lënë pasoja tek ai që i bën. Pendohu tek Allahu, o rob i Allahut!

Mëkatari: – Dëshiroj të pyes diçka.

Loti: – Urdhëro!

Mëkatari: – Unë ndiej vrazhdësi në zemër, andaj si ke arritur të dalësh nga zemra?

Loti: – Kjo është e lindur, o rob i Allahut. Sot njerëzit i kanë anashkaluar zemrat e tyre, kështu që nuk mund të gjesh zemër të devotshme e cila është në lidhje të vazhdueshme me Allahun, pos një pakice.

Mëkatari: – Cili është shkaku i kësaj, o loti im?

Loti: – Dashuria ndaj dynjasë dhe përkushtimi ndaj saj. Njerëzit janë të magjepsur me dynajnë, pos atyre që i ka mëshiruar Allahu. Dije që dynjaja është sikurse gjarpri i cili të magjeps me bukurinë e tij, por të mbyt me helmin e tij. Kështu edhe njerëzit kënaqen me bukurinë e dynjasë e nuk e shohin helmin që i mbyt.

Mëkatari: – Ç’është helmi?

Loti: – Mëkatet dhe veprat e këqija që helmojnë zemrën dhe kush nuk i mënjanon nga ajo, zemra vdes.

Mëkatari: – Si t’i pastrojmë zemrat tona nga helmet?

Loti: – Allahu xh.sh. në Kuran thotë:

            “Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetvetes, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i falë mëkatet përveç All-llahut? – dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen).“

(Ali Imran, 135)