PËRSE PËR SHKAK TË PARAVE DHE PUNËS I HUMBASIM MIQTË?

Dr. David Niven në veprën e tij “The 100 simple secrets of happy people” (100 fshehtësi të rëndomta të njerëzve të lumtur), përmend tregimin në vijim.

Dy këshilltarë financiar kishin një kompani më shumë se dhjetë vjet, por filluan të falimentojnë. Tërë pasurinë e tyre e futën në shpëtimin e firmës, por nuk mjaftoi dhe në fund humbën kompaninë dhe të gjitha paratë. Bankrotuan.

Që të dy ofshanin për humbjen e parave dhe me kohë miqësia në mes tyre u zbeh. Filluan ta akuzojnë njëri-tjetrin për falimentimin financiar. Kaloi viti dhe ata nuk shkëmbyen asnjë fjalë dhe një ditë u takuan gjatë drekës në një restorant. Ia pranuan njëri-tjetrit që patën humbje të tmerrshme, por nuk bëhej fjalë për para. Humbja e miqësisë ishte më e rëndë!

Njëri prej tyre tha: “Paratë janë sikurse dorëzat, ndërsa miqësia sikurse dora. E para është e dobishme, ndërsa e dyta e domosdoshme”.

Mesazhi: Dr. Niven në komentimin e këtij studimi përmend që shkalla e lumturisë njerëzore mund të matet në bazë të marrëdhënieve kualitative me njerëzit tjerë. A dëshironi të dini sa janë të lumtur njerëzit? Mos pyetni për paratë në llogaritë bankare të tyre. Mos pyetni sa e kanë pagën. Pyetni për miqtë e tyre.

Hulumtimet bashkëkohore edhe njëherë vërtetuan atë që besimtarët i mëson Islami, e këto janë rëndësia e dashurisë së ndërsjellë, respektimi dhe mbajtja e lidhjeve familjare.

Duhet kuptuar fjalët e Muhammedit s.a.v.s. i cili na mëson për fshehtësinë e lumturisë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të hyni në Xhennet derisa nuk besoni, e nuk do të besoni derisa nuk e duani njëri-tjetrin. A do t’u udhëzoj sesi do ta arrini dashurinë në mes veti? Përhapni selamin”! (Muslimi)

Madhështia e Islamit vërehet në atë sa ai insiston në ndihmesën e ndërsjellë, programet sociale, faljen e ndërsjellë, bashkimin e lidhjeve familjare, kualitetin e marrëdhënieve vëllazërore, bërjen e veprave të mira, kujdesit të domosdoshëm dhe zgjidhjen e problemeve lokale dhe globale.

Islami i plotëson marrëdhëniet e njeriut ndaj njeriut, farefisit, fqiut, kolegut të punës, eprorit, të nënshtruarit, mikut, myslimanit dhe jomyslimanit, në bazë të nënshtrimit ndaj ligjeve të Allahut xh.sh.

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Më i miri njeri është ai i cili më së shumti u bën dobi njerëzve tjerë”. (Taberaniu)