E MIRA KTHEHET ME TË MIRË

Një djalë i varfër shiste mallin prej derës në derë për t’u shkolluar. Një ditë pasi nuk kishte të holla e ishte uritur shumë, vendosi të kërkojë ushqim në shtëpinë e parë që e hasi.

Trokiti në derë dhe një grua e re e hapi derën. Djaloshi këkroi vetëm një gotë ujë. Ajo e shikoi dhe kuptoi se djaloshi është i uritur. Shpejtë i solli një gotë të madhe me qumësht. E piu qumështin shpejtë dhe e pyeti gruan sa duhet të paguajë. Ajo u përgjigj: – Nuk ke borxh asgjë. Nëna na ka mësuar që mos të marrim të holla për mirësinë që e bëjmë.

– Atëherë, ju faleminderit nga zemra, – tha djaloshi duke ndier se tani është më i fortë jo vetëm fizikisht por edhe mentalisht i gatshëm të ballafaqohet me vështirësitë që bart jeta.

Kaluan vitet dhe një ditë kjo grua u sëmur seriozisht. Mjekët lokal nuk mundën t’i ndihmojnë, për këtë e dërguan në një spital më të specializuar. Një mjek i ri u ftua në konsultim. Kur hyri në dhomën e spitalit, menjëherë e njohu gruan e cila i kishte dhënë gotën e qumështit kur ishte uritur dhe më së shumti i nevojitej.

Mjeku ishte i vendosur t’i ndihmojë në maksimum gruas që të shërohej nga sëmundja e rëndë. Shërimi zgjati, por me sukses arritën ta tejkalojnë sëmundjen e gruas. Por, gruaja e shëruar ishte e brengosur si ta paguajë llogarinë e shërimit kaq të gjatë.

Në fund, kur gruaja e shikoi llogarinë në vend të shumës së të hollave qëndronin fjalët: – E paguar tërësisht me gotën e qumështit.