SAKRIFICA NGADHËNJEN

Vaji i ullirit kishte rënë në një enë me ujë dhe ishte ngritur mbi ujin. Uji iu drejtua vajit: “Nuk të vjen turp të ngritesh mbi mua, nuk ke edukatë dhe kulturë, ndërsa unë të ngrita kur ishe pemë.” Vaji i ullirit u përgjigj: “Është e vërtetë se ti më ngrite në fillim, por pastaj vazhdove rrugën tënde i qetë në rrjedhën e lumit, ndërsa unë u përballa me shira e fortuna, e më e rënda ishte kur më vunë në zjarr, andaj ai që sakrifikon më shumë, është më meritor të ngritet më lartë.”

 

*     *     *

 

Tregohet se Iblisi l.a. e pa Musain a.s. dhe i tha: “O Musa, do t’i mësoj tri gjëra. O Musa, ruaju nga zilia, zemërimi dhe koprracia. Sepse ziliqari dhe njeriu i zemëruar janë mendjelehtë, me këta luaj sikur fëmijët me top. Ruaju nga koprracia, sepse koprracia ia shkatërron koprracit këtë jetë e jetën tjetër. Dhe bëhu i kujdesshëm në gjuhë, sepse nuk i mashtroj njerëzit më lehtë se me gjuhët e tyre. Dhe ruaju nga gratë, sepse ato janë rrjetat e mia me të cilat i gjuaj njerëzit.”

*     *     *