NDOSHTA DIÇKA E MIRË FSHIHET TE NJË E KEQE

Tregohet për një njeri i cili quhej Enes bin Amir, i cili ëndërronte të martohej me një grua të bukur.

Kur u martua e hyri dhëndërr, ia shpalosi fytyrën e saj, nuk i pëlqeu fare, sepse ajo ishte e zezë dhe jo e bukur, dhe natën e martesës u distancua nga ajo. Kjo gjë e lëndoi shumë gruan e tij të cilës Allahu nuk i dha shumë bukuri, mirëpo i dha shumë durim dhe urtësi. Kjo gjendje vazhdoi një kohë të gjatë dhe gruaja e vërejti se ai nuk ishte i kënaqur me të. Ajo i tha: “O Enes, ndoshta diçka e mirë fshihet te një e keqe.”

Kjo fjalë e qetësoi Enesin dhe u stabilizua disi, mirëpo zemra e tij ende ishte e trazuar dhe nuk jetonte i qetë. U largua nga shtëpia duke braktisur gruan për njëzet vjet, duke mos ditur se e kishtë lënë gruan shtatëzënë.

Pas njëzet vjetëve, Enesi u kthye në qytetin e tij dhe para se të arrinte në shtëpi, hyri që të falej në xhami. Aty e pa një hoxhë duke ligjëruar bukur dhe i pëlqeu shumë djaloshi. Pyeti kush është ky hoxhë, i thanë imam Maliku. Ai tha: “I kujt është ky Maliku?” Ata i thanë: “Është djali i një njeriu i cili e ka braktisur qytetin para njëzet vjetëve dhe quhej Enes.”

Atëherë shkoi te Maliku dhe i tha: “Unë do të vij me ty në shtëpinë tënde, por do të qëndroj para derës e ti thuaj nënës tënde se është një njeri tek dera jonë që thotë: – Ndoshta diçka e mirë fshihet te një e keqe.”

Kur Maliku i tha nënës së tij këto fjalë, ajo tha: “Vrapo dhe hapi derën, sepse ai është babai yt, është kthyer pas një udhëtimi dhe mungese të gjatë.”

Ajo asnjëherë nuk ia përmendi burrit të saj braktisjen e tij. Por me mund dhe sakrificë vetëmohuese e rriti, edukoi dhe shkolloi djalin e saj, dijetarin e mirënjohur, imam Malikun. Takimi i tyre ishte shumë mallëngjyes. Pas kësaj here, Enesi e kuptoi se gruaja e tij ishte një margaritar i çmuar.

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi