MËSUESI MË I MADH ISHTE NJË PLAKË

Në pyetjen se kush ka qenë mësuesi më i madh i tij, Ebu Jezidi u përgjigj: “Një plakë. Një ditë, kur isha në shkallë të lartë të ekstazës dhe dashurisë ndaj Allahut, dhe dola në një fushë jashtë qytetit. Aty takova një plakë të ngarkuar me një thes miell e cila m’u lut t’i ndihmoja që t’ia bartja deri në qytet. Por, i preokupuar me gjendjen (halin) që isha, nuk isha në gjendje të bartja asgjë. Vetëm bëra me shenjë dhe u paraqit një luan. Ja vura thesin me miell në shpinë dhe e urdhërova t’ia bart plakës në qytet. Pastaj e pyeta plakën: – Çfarë do të thonë në qytet për këtë që bëra?

Ajo tha: – Unë do t’u them se takova në njeri të ashpër (të vrazhdë) dhe të dobët.

– Si kështu? – e pyeta.

– Këtë luan Allahu e krijoi të lirë, e ti e urdhërove në shërbim. A nuk është kjo ashpërsi nga ana yte? Dhe megjithatë dëshiron që njerëzit të besojnë në kerametet tua. A nuk është kjo dobësi?

Nga fjalët e saj u bëra i vetëdijshëm për dobësinë time. Bëra teube (u pendova), zbrita nga lartësia dhe u bëra i përulur.

*     *     *

Një ditë duke shëtitur, Ebu Jezidit iu afrua një qen me ç’rast Ebu Jezidi e largoi xhyben (pelerinën) e tij që mos t’ia prekte qeni.

Qeni iu drejtua: – O Ebu Jezid, nëse unë ta përlyej xhyben tënde, ti mund ta pastrosh me ujë, por papastërtinë e zemrës tënde nuk mund ta pastrosh me ujin e shtatë deteve.

Ebu Jezidi i tha: – Vërtet ti je i papastër nga jashtë e unë nga brenda. Eja të shoqërohemi që nga dy papastërtitë tona të zhvillohet një qenie e pastër.

Qeni tha: – Unë nuk mund të përcjell ty, se ti nuk je i denjë për shoqërinë time. Unë jam i përbuzur nga njerëzit, ndërsa ti i nderuar dhe i dashur. Secili që më takon mua, do të më gjuajë me gurë, ndërsa ty do të përshëndesin me fjalë “Es-selamu alejke, o Sulltan arifin”. Unë për nesër nuk kam asnjë kockë të mbledhur, ndërsa ti e ke përplot thesin me grurë.

Atëherë, Ebu Jezidi tha: – O Allah, kur një qen nuk më gjen të denjë për shoqërinë e tij, si mund të shpresojë në shoqërinë Tënde?

Pastaj, falënderoi Allahun që nëpërmes qenit e mësoi.

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi