GOMARI I MENÇUR BISEDON ME SULLTANIN

Një lopë erdhi te oborri i sulltanit dhe u tha njerëzve: – Lajmëroni sulltanin që lopa dëshiron takim me të.

Rojet deshtën ta largojnë, por ajo u tha: – Nuk largohem nga këtu derisa nuk takohem me sulltanin. Roja kryesore e dërgoi njërin prej tyre te sulltani i cili i tha: – Sulltan, një lopë nga kopeja yte dëshiron të paraqitet para teje.

Sulltani iu përgjigj: – Le të vie . . . të shohim çfarë dëshiron.

Sulltani i tha asaj: – Çka të mundon dhe çfarë dëshiron?

Lopa u përgjigj: – Sunduesi im, dëgjova që jep mirënjohje, andaj edhe unë dëshiroj një mirënjohje.

Sulltani bërtiti: – Me çfarë të drejte? Çfarë ke bërë? Cili është kontributi yt për vendin për të dhënë mirënjohje?

Lopa tha: – Nëse nuk ma ndan mua mirënjohjen, atëherë kujt do t’ia japësh? E hani mishin tim, pini qumështin tim, shfrytëzoni lëkurën time, bile edhe bajgat e mia i shfrytëzoni për plehërim dhe ngrohje. Çfarë të bëj më shumë për të merituar mirënjohje?

Sulltani e pa që lopa ka të drejtë, dhe ia dha medaljen e shkallës së dytë.

Lopa e vuri medaljen në qafë e lumtur dhe gjatë rrugës e takoi mushkën dhe filluan bisedën: – Merhaba, lopë, motra ime!

– Merhaba, motër mushkë!

– Përse je kaq e gëzuar? Nga vjen?

Lopa ia shpjegoi të gjitha detajisht, ndërsa mushka u zemërua dhe shkoi te oborri i sulltanit dhe u tha rojtarëve: – Dëshiroj takim me sulltanin!

Rojet i thanë: – Nu ka mundësi.

Por ajo inatin e trashëguar nga babai i saj me kokëfortësi refuzoi të kthehej nga dyert e oborrit të sulltanit.

I treguan sulltanit çfarë po ndodh dhe ai u tha: – Edhe mushka është nga kopeja ime, le të hyjë.

Mushka doli para sulltanit, e përshëndeti dhe pastaj i tha që dëshiron nga ai mirënjohje.

Sulltani e pyeti: – Me çfarë e ke merituar mirënjohjen?

– Sulltani im, kush e meriton mirënjohjen më shumë se unë? A thua unë nuk i bart topat dhe pushkët në shpinën time gjatë luftërave? A thua fëmijët tuaj nuk hypin në shpinën time? Pa mua, o sundimtari im, nuk do të bëni asgjë.

Sulltani kur pa që mushka ka të drejtë, dha urdhër që t’i jepet medalja e shkallës së parë.

Derisa mushka kthehej nga oborri i sulltanit tejet e lumtur, takoi gomarin.

Gomari i tha: – Merhaba, mushkë!

– Merhaba, gomar!

– Nga vjen dhe ku je nisur?

Mushka ia rrëfeu tregimin e saj, ndërsa gomari i tha: – Pasi qenka kështu, po shkoj edhe unë te sulltani që ta marr mirënjohjen. Dhe vrapoi te oborri i sulltanit.

Rojet i bërtitën mjaft gomarit, por kurrsesi nuk mundën ta largojnë dhe shkuan te sullltani dhe i thanë: – Gomari juaj dëshiron takim me ju.

Sulltani e lejoi dhe gomari u paraqit para sulltanit: – Çka dëshiron gomar?

Gomari e lajmëroi sulltanin për dëshirën e tij. Sulltani i tha: – Lopa i shërben atdheut me mishin, qumështin, lëkurën dhe bajgat e saj, ndërsa mushka në shpinën e saj bart armatimin gjatë luftës, andaj edhe ajo i shërben atdheut. Ndërsa, çfarë bën ti për ta marrë mirënjohjen, dhe me pafytyrësi paraqitesh para meje dhe kërkon mirënjohje?

Gomari i gëzuar i përgjigjet: – Sulltan i nderuar, shërbimet më të mëdha që ua ofrojnë të gjithë rreth teje, i keni nga gomarët. Sikur mos të kishit në kabinetet tuaja me dhjetëra gomarë sikurse unë, ju nuk do të qëndronit në fron. A thua pushteti yt do të zgjaste mos të kishte gomarë?

Andaj, sulltani im, mos të ishte kopeja e gomarëve tu, as ju nuk të qëndronit në pushtet.

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi