TREGIMI PËR DY ASKETËT

Njëherë, udhëtonin së bashku dy asketë, i vjetri dhe i riu.

Duke ecur arrinë afër një lumi të rrëmbyeshëm. Buzë tij po qëndronte një vajzë e re, tejet e bukur, e veshur me elegancë. Ishte e shqetësuar që nuk mund ta kalonte ujin e rrëmbyeshëm, ngase i lagej fustani.

Pa u menduar, asketi i moshuar e ngriti mbi supe vajzën dhe e barti në anën tjetër të lumit. Ajo e falënderoi dhe vazhdoi rrugën më tej, ndërsa asketët vazhduan rrugën e tyre.

Asketi i ri ishte i hutuar me atë që pa.

Pas një heshtje të gjatë, iu drejtua asketit të vjetër: – “Vëlla, nuk di çfarë të mendoj. Ti i di mirë rregullat e rendit tonë, ndërsa me femrat nuk guxojmë as të flasim, ti e barte mbi supe përtej lumit dhe po vazhdon sikur mos të ketë ndodhur asgjë.”

Asketi i moshuar u përgjigj: – “Thjeshtë është kjo. Unë e lashë vajzën në anën tjetër të lumit, ndërsa ti ende je duke e bartur.”

 

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi