HAJDUTI DHE NJERIU I MENÇUR

Një hajdut, grabitës karvanësh, ishte pasuruar shumë duke vjedhur. Por, edhe pse kishte pasuri të madhe nuk ndihej i lumtur.

Për këtë, një ditë shkoi tek një njeri i mençur me reputacion, për ta pyetur se përse nuk ishte i lumtur.

Pasi e përshëndeti, i tha: – Kam ardhur të më tregosh si mund ta fitoj lumturinë. Unë kam shumë pasuri dhe kam 400 hajdutë që më binden dhe mund të më sjellin edhe më shumë pasuri. Por, ndihem i mjerë dhe i palumtur.

Njeriu i mençur e mori dhe së bashku shkuan afër një kodre. I tha t’i bartë tre gurë të mëdhenj dhe të ngjiten në maje të kodrës.

Posa filluan të ngjiten, hajduti i tha: – Mjeshtër, gurët janë të rëndë dhe mezi i mbaj, e lëre më të ngjitem në kodër.

Njeriu i mençur i kërkoi ta hudhë njërin gur dhe vazhduan të ngjiten.

Pasi u ngjitën pakëz, hajduti tha: – Mjeshtër, po më merret fryma, nuk mundem më!

Njeriu i mençur i kërkoi ta hudhë edhe një gur dhe vazhduan ngjitjen.

Pasi përshkruan edhe një distancë, hajduti u ndal për të tretën herë dhe tha: – Mjeshtër, nuk mundem më!

Atëherë, njeriu i mençur e urdhëroi ta hudhë edhe gurin e tretë dhe arritën në majën e kodrës.

Njeriu i mençur i tha: – Devijimi nga rruga e drejtë e rëndon në maksimum ndërgjegjen e njeriut. Ashtu siç nuk munde t’i bartësh dot tre gurët e rëndë derisa ngjiteshe në kodër, ashtu edhe ndërgjegjja e rëndë nuk të lejoi të ngjitesh në “kodrën” e lumturisë.

Rëndimi i ndërgjegjes me vepra të liga dhe mëkate e rëndon jetën tonë, cënon lumturinë dhe cilësinë e jetës.

 

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi