A THUA VËRTET ZOTI EKZISTON?
Një njeri hyri në sallonin e frizerit për t’u qethur. Filluan të bisedojnë për tema të ndryshme. Papritmas, prekën temën për Zotin.
Frizeri tha: “Unë nuk e besoj Zotin”.
“Pse”? – e pyeti myshteriu.
“Thjesht, del në rrugë dhe do ta kuptosh se Zoti nuk ekziston”. – tha frizeri.
“Ma shpjego këtë”! – tha myshteriu.
“Sikur të ekzistonte Zoti, a thua do të kishte kaq shumë të sëmurë në këtë planet? A do të kishte kaq shumë fëmijë të lënë? A do të kishte luftëra? Sikur Zoti të ekzistonte, me siguri nuk do të kishte vuajtje dhe dhembje. Sikur të kishte Zot, nuk do të lejonte të ndodhin këto gjëra”.
Myshteriu heshti. Dukej sikur frizeri kishte argument. Pasi frizeri përfundoi punën, njeriu bëri pagesën dhe doli nga salloni i frizerit.
Pasi doli në rrugë, e pa një njeri me flokë të gjatë, mjekërr të gjatë e të shprishur. Dukej i parregulluar, i pakrehur. Njeriu u ndal dhe po shikonte. Papritmas, hyri në sallon dhe i tha frizerit: “A e di çka? Frizerët nuk ekzistojnë! Nuk ka frizerë”!
“Si nuk ka”? – pyeti frizeri.
“Qartë, nuk ka frizerë, sepse sikur të kishte, nuk do të kishte njerëz të parregulluar, të paqethur, të lënë, siç e pashë atë në rrugë”. – tha myshteriu.
“Miku im, frizerë ka, por njerëzit nuk shkojnë tek ata”. – u përgjigj frizeri.
“Saktë. Poashtu edhe Zoti ekziston, por njerëzit nuk shkojnë tek Ai”. – ia ktheu myshteriu.