AJAZI THYEN GURIN E ÇMUAR
Sulltan Mahmudi kishte një shërbëtor i cili quhej Ajaz. Ishte i njohur për sjelljen e tij të bukur dhe për urtësinë e tij. Në një rast, sulltan Mahmudi mbante në dorë një gur të çmuar. Ai urdhëroi njërin nga vezirët (ministrat) që ta thyente gurin. Meqë guri i çmuar i sulltanit ishte tejet me vlerë, veziri nuk e theu. Pastaj, sulltani i tha vezirit tjetër që ta thyente. Edhe ky refuzoi. Kështu vepruan të gjithë vezirët e oborrit mbretëror.
Atëherë, sulltani ia dha gurin e çmuar Ajazit duke i thënë që ta thyente. Ajazi e hudhi menjëherë dhe guri i çmuar u bë copë-copë. Sulltani e pyeti: “Përse e theve gurin e çmuar, kur këtë nuk e bënë vezirët?” Ajazi u përgjigj: “Guri i çmuar është me shumë vlerë, por urdhëri yt është më i vlefshëm.”
Secili prej nesh, përveç cilësive të përbashkëta me njerëzit, kemi edhe disa karakteristika që janë specifike për ne. Kështu, dikush e do më tepër sportin, disa artin, dikush shoqërinë, e dikush vetminë. Shumë hulumtojnë tërë jetën, duke u përpjekur pareshtur për të zbuluar specifikën e dhuruar të tij. Sa kemi sukses në këtë është vështirë të thuhet. Sepse çdo zbulim kërkon angazhim të sinqertë, përpjekje, mbledhje të informatave, përcaktimin e cakut, etj.
Dhe pengesa më e madhe në këtë punë është uni (egoja) e njeriut. Për të arritur këtë qëllim, duhet thyer unin (egon).